Elektra greke: Gjak dhe zhveshje
"Elektra" e trupës greke nga Athina: lëvizje, muzikë dhe pak tekst. Tragjedia e rrëfyer vetëm nga trupat e balerinëve
Butrint
Shfaqja e trupës greke "Politistiko Somateio Roes", i ka rikthyer skenës antike të Butrintit, mbrëmjen e së hënës, njëfarë gjallërie. Shkallaret ishin të mbushura plot me spektatorë pothuajse të të gjitha moshave, të cilët njësoj si paraardhësit e tyre dikur, fjaloseshin teksa prisnin fillimin e shfaqjes, (filloi me plot 30 minuta vonesë).
Trupa e greke kishte ngjallur një interes tek banorët e Sarandës, të cilët duke njohur edhe gjuhën e vendit fqinj, kishin udhëtuar drejt Butrintit për ta ndjekur.
"Elektra" e artistëve grekë e solli fabulën antike nëpërmjet një dance theatre-i. Regjisorja dhe njëkohësisht koreografja, Sofia Spyratou, e kishte futur "Elektrën" e saj në mes të korit dhe u desh të kalonin minuta të tëra përpara se ajo të dilte në pah. Ishte një Elektër me fizik të dobët e të vogël, por shumë e fuqishme.
Çdo muskul, çdo lëvizje që bënte, reflektonte trazimin që ndjente në shpirt për nënën e pamoralshme, Klitemnestra. Dhe më tepër do të dukej plastika e trupit të saj në momentin që kori i tallazitur dhe në delir e zhvesh, duke e nxitur akoma dhe më shumë drejt vrasjes së nënës.
Gjatë konferencës për shtyp, regjisores Spyratou ju desh të shpjegojë me fjalë gjithçka që një natë më parë kishte treguar nëpërmjet lëvizjeve dhe aktrimit. Teknikën e saj të punës dhe të ndërtimit të veprës e bazonte mbi trininë, tekst-muzikë-danc. Tri elementë që Spyratou ishte kujdesur që të kishin secili prej tyre vendin e vet. Pak tekst, muzikë dhe shumë veprim.
Në këtë version të Spyratou-t, dy ishin elementët që binin më shumë në sy: gjaku dhe zhveshja. Momenti i vrasjes së bashkëshortit të Klitemnestrës, ishte një gjetje shumë interesante e regjisores koreografe.
Kori i tërbuar nga shkelja e moralit i vërsulet Egistit si një tufë me korba dhe e qëllojnë njëri pas tjetrit, deri në vdekje. Pas kësaj muzika shuhet fare, dhe kori (gjashtë vajza) fillon të heqë veshjet dhe me to të pastrojnë gjakun e derdhur të Egistit, i cili tanimë është i pastër, pasi vdekja e shleu mëkatin.
Dhe korit do t'i duhet të zhvishet deri në fund për të pastruar gjakun që derdhi vetë. "Nudoja është shenjë pafajësie. Ajo ka funksionin e katharsisit e pastrimit", - shpjegoi regjisorja, e cila shtoi se nudoja nuk bënte pjesë në procesin e saj të punës, por vepra kishte një strukturë të tillë, që sugjeronte këtë zgjidhje.
Muzika ishte një element shumë prezent në "Elektrën" e trupës greke. Njësoj si gjendja shpirtërore e personazheve, ajo ngjitej e zbritej, krijonte ankth, çlironte frymëmarrjen dhe kryente krim.
Çdo notë ishte krijuar nga kompozitori britanik, Michael Nyman, posaçërisht për këtë vepër, e cila në Butrint ngjitej për herë të 24-t në skenë. Teksti i pakët i veprës nuk jepej me titra, por një zë burri rrëfente nga pas skenës ato pak vargje që përshkruanin aktet që përgatitej të kryente Elektra, Klitemnestra apo kori. Gjithçka tjetër ishte në dorë të aktorëve.
Për Spyratou-n kjo nuk është vepra e parë e antikitetit që përkthen në gjuhën e teatrit. Ndonëse thotë se nuk i preferon tragjeditë, ka ngjitur në skenë plotë 19 të tilla.
Por kësaj here ishte përballë një vepre të shkruara nga dy autorë, Euripidi dhe Sofokliu. "Zgjodha Euripidin, sepse heroina e tij është me e plotë.
Nuk arrij ta kuptoj Sofokliun, i cili ka krijuar një grua me kaq shumë patos, siç është Elektra, por që nuk arrin ta çojë deri në fund veprën. Elektra e Euripidit po", - u shpreh regjisorja Spyratou.
Edhe Elektra e saj e çoi deri në fund veprën, e mbajti spektatorin të mbërthyer gjithë kohën.
Aktorja protagoniste, Evangelia Chatzaki:
"Unë mendoj se fillimisht duhet të dish ta lexosh rolin që ta fusësh brenda në trupin tënd dhe më pas të dish ta interpretosh, ta përcjellësh në publik. Që njerëzit të kuptojnë historinë e veprës, nuk do të thotë që ajo duhet të jetë vetëm me fjalë.
Kërcimi është një shenjë shumë e mirë, që me trupin dhe me lëvizjen mund të përcjellësh tek publiku gjithçka. Unë kam punuar tre muaj për këtë rol dhe është hera e parë që interpretoj në një tragjedi antike. Dhe sigurisht, sa më shumë të luash një rol, aq më shumë piqet ai dhe e përcjell më mirë tek njerëzit."
Sot
Teatri: "Kocaeli Municipality Theatre" Izmit, Turqi
Shfaqja: " Dervishi dhe vdekja"
Autor: "Mesa Selimovic"
Përshtatja: Nebojsa Bradic
Dramaturg: Dllek Tekintas
Përkthimi: Bilge Emin
Regjisor : Nurullah Tuncer
Skena, Kostumet dhe Ndriçimi: M. Nurullah Tuncer
Aktorët: A.Nejat Birecik, Koray Onur, Serhat Guzel, Tarik Keskiner, Deniz Alan, Mehmet Çevik, Safak Karali, Melih Duzenli, Cemal Aldiç, Tekin Ezgutekin
Kërcimtarë: Nagihan Zengin, Fatma Yilmaz, Asli Komurcu, Ulku Aksoy, Zaynep Ozan
Koreograf: Gjergji Prevazi