E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tirana, të djathtët në KQZ rrëzojnë kërkesën e PS-së

TIRANË- Bien pretendimet e tre subjekteve zgjedhore, PS, LZHK dhe PBDNJ, për parregullsi në procesin e numërimit të votave në Qarkun e Tiranë.


Ashtu si edhe në rastin e Beratit, edhe dje me Tiranën, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka rrëzuar me forcën e kartonëve të anëtarëve të djathtë, kërkesat ankimore të tre forcave politike që kishin paraqitur objeksionet e tyre lidhur me rezultatin e reflektuar në tabelat përmbledhëse për zonën zgjedhore të Qarkut të Tiranës.


Mbledhja e djeshme ka qenë kopje e asaj që u zhvillua një ditë më parë për Beratin, vetëm me një përjashtim, pasi atje kishim dy ankimues, ndërsa në rastin e Tiranës kemi tri parti që nuk bien dakord për atë çka është reflektuar në tabelat e rezultateve.


Palët ankuese kanë paraqitur objeksionet e tyre se, gjatë procesit të numërimit të votave, janë vënë re mangësi të mëdha, çka kanë sjellë, sipas tyre, në rastin më të mirë, mosvlerësim si duhet të votës dhe, në rastin më të keq, kalimin e saj një subjekti tjetër, duke e bërë dyfish më të rëndë gabimin.


Kështu, socialistët, nëpërmjet avokatit të tyre për këtë çështje, Bledar Skenderi, kanë theksuar se, në 6 KZAZ, me numër 55, 56, 57, 58, 59 dhe 60, numërimi i votave është bërë jashtë kritereve ligjore, çka ka sjellë si pasojë një rezultat jo real të zgjedhjeve në këto KZAZ. Për këtë arsye, në emër të forcës që ai përfaqësonte, ka kërkuar rinumërim dhe rivlerësim të fletëve të votimit që janë shpallur të vlefshme dhe të pavlefshme.


Akoma më të rënda ishin pretendimet e Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar, e cila ka deklaruar para KQZ-së se në tabelat e rezultateve nuk pasqyrohet numri i duhur i votave, që kjo forcë ka përfituar më 28 qershor.


LZHK-ja ka shkuar më tej duke akuzuar në mënyrë të drejtpërdrejtë komisionerët e djathtë të GNV-ve dhe KZAZ-ve se kanë vjedhur votat e kësaj force, duke ia kaluar Partisë Republikane. "Me lekët e korrupsionit të Gërdecit u blenë komisionerët dhe me ta më pas u blenë votat tona", - tha avokati i LZHK-së në KQZ.


Por, pavarësisht pretendimeve të palëve dhe fakteve të paraqitura prej tyre, anëtarët e djathtë të KQZ-së, edhe një herë nuk janë bindur nga parashtrimi i pretendimeve të palëve ankuese, për këtë arsye, edhe një herë, dy anëtarët e majtë të këtij komisioni, nënkryetarja Dëshira Subashi dhe Artan Lazaj, në respekt të neneve 136 dhe 138 të Kodit Zgjedhor, për të siguruar provën, kanë kërkuar rinumërimin dhe rivlerësimin e votave sipas objektit të kërkesës së ankuesve.


"Kemi bërë një kërkesë unë dhe Subashi, që është protokolluar, ku kërkojmë rinumërim dhe rivlerësim të votave të QV-ve sipas ndarjeve të KZAZ-ve: KZAZ 55, 56, 57, 58, 59, 60, Tiranë. Në bazë të nenit 136, pika 3, KQZ-ja është e detyruar ta marrë parasysh dhe nuk mund të refuzojë kërkesën", - tha anëtari socialist i KQZ-së, Artan Lazaj.


Por kjo kërkesë ka risjellë edhe një herë debatet e forta në mbledhje, ku sërish përfaqësuesit e PD-së në këtë komision kanë ripërsëritur deklaratën e tyre kundrejt anëtarëve të KQZ-së, që bënë këtë propozim, se një kërkesë e tillë është e kundërligjshme dhe se me të po shpërdoronin detyrën.


Kjo ka provokuar edhe një herë replika të ashpra mes të dyja palëve në këtë debat, ku nuk kanë munguar akuzat dhe kundërakuzat. "Duke qenë se kërkesa nuk i referohet ligjit, por votave të caktuara është ekstraligjore dhe nuk parashikohet në nen, prandaj nuk duhet të merret parasysh.


Është e nxitur politikisht, sepse unë shikoj një koordinim shumë të mirë midis ankuesit, i cili thotë se tavolinat janë të vogla dhe anëtarët kërkojnë numërim në Tiranë. Ky koordinim jo vetëm për të prishur punën e KQZ-së, por dhe ecurinë normale", - tha kreu i KQZ-së Ristani.


Por, sipas socialistëve, një argument i tillë është antiligjor dhe i paargumentuar, pasi, siç ka theksuar Damian Gjiknuri dje në mbledhje, në një rasat të tillë, KQZ-ja nuk e hedh në votim propozimin e dy anëtarëve, por vetëm e zbaton atë.


Madje, ai ka akuzuar KQZ-në se në mënyrë të kundërligjshme nuk ka vënë në dispozicion të palëve ankuese CD-në me pamjet filmike të regjistruara gjatë numërimit të votave. Pavarësisht kësaj, KQZ-ja, ndryshe nga herët e tjera, ka shmangur një vendimmarrje për kërkesën e dy anëtarëve, duke kaluar direkt në votimin e ankesave të subjekteve ankuese.


Kërkesa e PS-së për Tiranën

KZAZ 55
Rinumërim dhe rivlerësim i votave në qendrat e votimit nr. 2009, 2015, 2018, 2021/1, 2030, 2031

KZAZ 56
Rinumërim dhe rivlerësim i votave në qendrat e votimit nr. 1564, 1565, 1573, 1573/1, 1574, 1575, 1576, 1576/1, 1578, 1579, 1579/1, 1580, 1581, 1581/1, 1582, 1583, 1584, 1585, 1590, 1594, 1594, 1596, 1597

KZAZ 56
Qendra 1592 rivlerësim i votave të vlefshme

KZAZ 57
Rinumërim dhe rivlerësim i votave në qendrat e votimit nr. 1545, 1547, 1548, 1552, 1553, 1554, 2037, 2038, 2038/1, 2039/1, 2085, 2098, 2092


KZAZ 58
Rinumërim dhe rivlerësim i votave në qendrat e votimit nr. 1633, 1634, 1637, 1644, 2040, 2041, 2041/1, 2042, 2043, 2044, 2044/1, 2045, 2046, 2047, 2047/1, 2048, 2049, 2049/1, 2050, 2050/1, 2051, 2063, 2072

KZAZ 59
Rinumërim dhe rivlerësim i votave në qendrat e votimit nr. 2123, 2125, 2202, 2135, 2169, 2171, 2172, 2175, 2176, 2177

KZAZ 59
Qendra e votimit 2172 kërkohet rivlerësim i votave të vlefshme

KZAZ 60
Rinumërim dhe rivlerësim i votave në qendrat e votimit nr. 5158, 2159, 2161

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›