Ylli: Bashkëpunimi me Berishën, në të mirë të vendit
I menjëhershëm ka qenë reagimi i pjesës tjetër të Lëvizjes Socialiste për Integrim, e cila ka premtuar dje besnikëri deri në fund ndaj kreut të mazhorancës Sali Berisha. Nëpërmjet drejtorit për marrëdhëniet me mediat, Dritan Ylli, kreu i LSI-së, Ilir Meta, në reagim ndaj deklaratës së pesë anëtarëve të kryesisë (Xhufi, Brokaj, Klosi, Legisi dhe Muçi), ka bërë të ditur se do t'i shkojë deri në fund vendimit të marrë nga konventa e kësaj force gati një muaj më parë, për të qenë në një koalicion qeverisës me Sali Berishën. "Duke qenë shumë të qartë për motivet e forta të përfitimit personal dhe aspak politik të deklaruesve qejfmbetur, që kanë prishur rehatinë e tyre verore në funksion të këtyre motiveve, duke kujtuar se programi i LSI-së ka prioritet madhor atdheun, ne do të veprojmë gjithmonë vetëm në funksion të interesave të mëdha të vendit dhe stabilitetit të tij politik dhe ekonomik dhe kurrë në funksion të atyre interesave të ngushta, personale dhe meskine, që kanë penguar zhvillimin dhe integrimin e tij", - tha Ylli në deklaratën e tij për mediat. Madje, ai nuk ka nguruar të aludojë se deklarata e pesë themeluesve të LSI-së ka qenë e porositur nga kreu i PS-së, Edi Rama, si një mënyrë për të hequr vëmendjen nga debatet në gjirin e selisë rozë. "Qëndrimi më i fundit që mbajnë deklaruesit ose thënë më thjesht, përfituesit më të mëdhenj të mundit dhe sakrificave të LSI-së dhe mijëra anëtarëve të saj, është vetëm krijimi i një fokusi artificial për të shmangur vëmendjen nga kongresi i PS-së dhe nga kriza shumë e rëndë që vjen nga humbja e Ramës, pas betejës mafioze, manipulative dhe korruptive të tij ndaj LSI-së", - u shpreh Dritan Ylli.