Doganat greke sërish në grevë, bllokohen për 3 orë pikat kufitare
Kakavijë – Ashtu siç bënë edhe një javë më parë, më 15 prill, doganierët grekë zhvilluan dje një grevë të paralajmëruar treorëshe në të gjitha pikat doganore të rajonit të Greqisë veriperëndimore, nga ora 07:00 deri në orën 10:00 të paradites. Gjatë këtyre orëve, nuk u krye asnjë procedure deklarimi e mallrave për subjektet private në të tria pikat kufitare që ndajnë vendin tonë me Greqinë: Kakavijë, Kapshticë dhe 3-Urat. Nga ky vendim janë të prekur edhe kalimtarë, që kalojnë në kufi si pasagjerë, më konkretisht emigrantë, të cilët largohen nga vendi ynë pasi kanë festuar Pashkët ortodokse këtë fundjavë, e që presin radhën për t’u larguar drejt shtetit fqinjë. Drejtoria e Përgjithshme e Doganave ka njoftuar subjektet tregtare dhe qytetarët të marrin në konsideratë këtë fakt dhe të shmangin kalimin e tyre ose të mallrave në këto orare. Greqia është përballur këto kohë me një sërë protestash dhe grevash të sektorit publik. Situata në vendin fqinj është tensionuar tej mase për shkak të krizës së rëndë ekonomike, por edhe përplasjeve të fundit mes policisë dhe protestuesve pas vdekjes së një adoleshenti në muajin dhjetor.
23 Prill 2009