E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjykata: Pirro Çako nuk ka dijeni për kërkesën e divorcit



Laureta Rryçi

Tiranë - Pirro Çako nuk është njohur zyrtarisht me kërkesën për divorc të bashkëshortes së tij, Inva Mula. Të paktën ky ka qenë shkaku që detyroi dje gjyqtaren e çështjes, Elona Gjoka, që të shtyjë seancën e pajtimit për një tjetër ditë. Edhe pse pas kësaj pak shanse kanë mbetur që mes çiftit të njohur të ketë një pajtim. Pirro Çako duket shumë indiferent ndaj kërkesës së bashkëshortes së tij dhe tashmë vënia në dijeni ka mbetur nëpërmjet ftuesit të Gjykatës. Padia për divorc është depozituar që në ditët e para të këtij muaji nga sopranoja. Çiftit të njohur pas shumë vitesh martesë duket se i ka ardhur fundi i bashkëjetesës së tyre ligjore.
Seanca
Në zyrën e Gjyqtares Elona Gjoka dje u paraqit vetëm avokati i Inva Mulës, Sokol Çomo. Ndërsa ora shënonte 14:00 pritja e gjyqtares për paraqitjen e palës së tjetër ka qenë e kotë, pasi ftuesi ka shpjeguar se nuk kishte mundur dot të njoftonte Pirro Çakon. Për këtë arsye gjyqtarja e ka shtyrë seancën e pajtimit me datën 4 maj. Seanca e pajtimit është shumë vendimtare në të tilla procese civile, pasi nëse çifti kërkon të rikthehen sërish bashkë atëherë padia pushohet. Në të kundërt, procesi vijon deri në vendosjen e kujdestarisë së fëmijës. Pak gjasa duket se ka shanse pajtimi mes çiftit, ftohja midis tyre tashmë është bërë dhe publike duke qëndruar indiferent ndaj iniciative të njëri-tjetrit.
Padia
Prej dy ditësh sopranoja ka kërkuar zyrtarisht ndarjen nga bashkëshorti i saj pas 20 vitesh martesë, fryt i së cilës është edhe djali, tashmë 14 vjeçar. Pas disa ditësh do të caktohet edhe data që do të zhvillohet seanca ballafaquese mes çiftit. Padia është depozituar nga ana e sopranos dhe ende nuk dihet reagimi i kantautorit Pirro Çakos. Çështja mban numrin 7644 dhe datë regjistrimi 31 mars 2009. Kërkues është këngëtarja Inva Tchako (Mula), ndërsa i paditur bashkëshorti i saj Pirro Tchako. Në ueb-siten e gjykatës thuhet se objekti i padisë është zgjidhja e martesës midis dy bashkëshortëve Mula–Çako, mbështetur kjo kërkesë në nenet 129-162 të Kodit të Familjes.

23 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›