E Diel, 1 Nëntor 2026

“SOS, një buzëqeshje”, romani i ri i shkrimtarit Zija Çela



Petrika GROSI
Pas librave si “Shtëpia e lepujve”, “Gjaku i dallëndyshes”, “Lëngata e Hënës”, “Gjaku im i errët”, “Las Varrezas”, “Për dashurinë shkruhet pas vdekjes...” etj., duket se krijimtaria për shkrimtarë si Zija Çela nuk ndalet as nga mosha e as nga vitet apo nga vështirësitë, situatat e çuditshme, vuajtjet e jetës, ndërrimi i sistemeve, tranzicioni i pafundmë i yni...
Kjo fuqi për të ecur para, pa njohur pengesa, ose më mirë e thënë duke i përballuar, rezistuar, shembur e kapërcyer pengesat e shumanshme, të bën që ta admirosh edhe më shumë autorin dhe veprën e tij, që fundja nuk mund të shihen të ndarë.
Kështu, në vazhdën e të qenit produktiv (në këtë dhe atë kohë), e mbi të gjitha me cilësi më tepër sesa sasi (përveç angazhimeve të tij me suplementin letrar “Albania e vogël”, apo redaktimeve e përkthimeve të ndryshme), duhet theksuar se shkrimtari i njohur na sjell ndoshta një tjetër “perlë” për të pasuruar raftet e bibliotekave tona, e sigurisht për ta lexuar para se kjo të ndodhë! “Sos, një buzëqeshje” titullohet romani i ri i Zija Çelës, një vepër që vjen si botim i “Ideart”. Për hir të së vërtetës, për një libër që ende nuk e ke lexuar nuk është mirë dhe nuk mund që të flasësh, e as për Zija Çelën nuk ka nevojë të bësh shumë komente, sepse shumëkush që ka njohuri nga letrat shqipe e njeh penën e tij. Por ka nga ata që besojnë se një vepër mund të njihet sadopak edhe pa u lexuar. Nuk e kisha fjalën për hamendësime apo biseda kafenesh, por nëpërmjet kritikave të ndryshme e objektive në subjektivitetin e pashmangshëm individual të tyre. Një nga poetët tanë të njohur bashkëkohorë (fitues i Pendës së Argjendtë), njëherësh edhe botues siç është Arian Leka, do të shprehej për Zija Çelën se “ka shumë njerëz që punojnë gurët e çmuar dhe dhurojnë prej tyre stoli, me të cilat kënaqemi duke i mbajtur gjatë ndër duar. Ata quhen mjeshtër vetëm e vetëm se i dhanë formë një vlere, pavarësisht se as e krijuan dhe as e gjetën atë. Po ç’mund të themi për Zija Çelën, që edhe gjen, edhe përpunon lëndë vezulluese për prozën e tij, nga ajo lëndë që, për ironi, vazhdojmë ta presim të na mbërrijë vetëm si përkthim prej letërsive të tjera? Duhet të nxitojmë ta quajmë kryemjeshtër? Apo u dashka t’i krijojmë kushte sére për të shkruar me një pseudonim tingëllues latin dhe pastaj ta duartrokasim? Është paksa vonë për të gjitha këto pandehma. Është vonë, sidomos për vetë autorin e librave me proza aq të pazakonta, për atë që prej kohësh di të nxjerrë në dritë kristale aty, ku të tjerët shohin karbon. Ndër të gjitha ofrimet, më i arsyeshmi do të ishte leximi. Mbajtja në duar dhe shfletimi i vëmendshëm i librave të tij, të cilët njerëzit e shtënë pas klasifikimeve letrare mëtojnë t’i quajnë magjikë a simbolistë, edhe pse vendet e përshkruara aty, së bashku me banorët e atyre viseve, janë të afërt e të ngjashëm me ne po aq sa syri me syrin”.

Shkrimtar unik në letrat tona

Shkrimtari dhe kritiku Rudolf Marku, mes të tjerash, do të thoshte këto fjalë në parathënien e librit “SOS, një buzëqeshje”: “Zija Çela përbën një rast unik në letrat shqipe. Ai shfaqet jo si prozatori me i rëndësishëm pas Kadaresë, siç janë shprehur plot dashamirës të autorit, por si një planet letrar, krejt më vete, i pakrahasueshëm, prandaj i rëndësishëm dhe vetvetja. ‘SOS’ është një trazim i së vërtetës me përrallën, e sureales me të prekshmen, e fantazisë me të përditshmen, çka krijon te lexuesi një kompleksitet ndjesish, që shilarsojnë mes dhembjes e qeshjes, mes habisë mosbesuese dhe identifikimit me karakteret, mes kureshtjes e libërimit katarsiastik. Këto lloj ndjesish të një peizazhi me kaq variacione e kaq larg monotonisë, lexuesi me fat arrin t'i përftojë veç nga veprat më cilësore. Dhe si çdo letërsi e nivelit të lartë, romani ka një humor të jashtëzakonshëm, që vjen sa në mënyrë të natyrshme, aq dhe të papritur. Ky libër ka gjithashtu dritë, një dritë që depërton ngado përmes hijeve dhe është përplot përfytyrime njerëzore. Falja e buzëqeshjeve është një gjetje e kalibrit të letërsisë së madhe, asaj që duke lindur nga një pendë e vend i caktuar, mbart shpirt dhe vlera universale. ‘SOS’ është një roman që i çon më tej librat e Zija Çelës. Për ku? Te letërsia që mbetet letërsi. Tek ajo letërsi që i lëshon ca SOS-e, alarme sekrete, shpirtit njerëzor. Është shpërblimi i atyre shkrimtarëve, të cilët janë të preokupuar që të mbesin vetëm shkrimtarë e asgjë më shumë. Por dhe asgjë më pak se kaq. Romani i tij paraardhës, ‘Las Varrezas’, thellësisht shqiptar e po aq universal, është një kryevepër e groteskut dhe e tragjikomizmit letrar. Një roman krejt i veçantë nga gjithë çfarë kemi lexuar deri sot në letërsinë shqipe. Një shkrepje e rrallë, fort e rrallë, një nga ato gjetjet me të cilat edhe autori më fatlum mund të ndeshet një herë në njëqind vjet.
Romani ‘SOS, një buzëqeshje” është libri më i mirë që ka shkruar autori. Në letërsinë shqipe është romani më origjinal që njoh; është më i guximshmi; është romani më modern. Në krahasim me ‘Las Varrezas’, është edhe më i sofistikuar. Këtu arrihen kufijtë më sipërorë të Erosit, duke kaluar nga dashuria në çift te dashuria njerëzore në përgjithësi. Ai është i populluar me karaktere të kohës, është piktura më besnike e Tiranës dhe e qyteteve shqiptare. Asnjë shkrimtar shqiptar nuk ka arritur ta japë, madje as të guxojë që t'i afrohet këtij realiteti deri sot”.

Vepra të autorit

Buletini i borës
Eklips...
Mali i tejdukshëm
Shtëpia e lepujve
Gjaku i dallëndyshes
Gjysma e Xhokondës
Monedha e dashurisë
Banketi i hijeve
Një fjalë me lejen e Zotit
Lëngata e Hënës
Oborri i një tirani të fshehtë
Gjaku im i errët
Las Varrezas
Për dashurinë shkruhet pas vdekjes...

4 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›