E Shtunë, 31 Tetor 2026

Doganat në Veri do hapen

Autori i Lajmit: red.
"Ne jemi në bashkëpunim të ngushtë me KFOR-in dhe me institucionet e tjera ndërkombëtare për të rivendosur elementet e nevojshme që kontrolli në veri të jetë jo vetëm në aspektin e doganave, por edhe në aspektet tjera të sundimit të ligjit, kështu që këto ditë, mbase këto javë, veprimet konkrete do të jenë të konfirmuara edhe nga vetë terreni", ka thënë ministri i Ekonomisë dhe Financave, Ahmet Shala.
Ai tha se Prishtina do të mirëpriste ndihmën e Beogradit për çështjen e doganave dhe shprehu gatishmërinë për bisedime me Serbinë si dy shteteve fqinje.
"Çdo ndihmë që mund të jetë si dy shtete për të mirën e qytetarëve të Kosovës dhe të rajonit, ne jemi të gatshëm të bashkëbisedojmë dhe të ulemi të diskutojmë, për të mirën e mirëqenies së qytetarëve, për të mirën e funksionimit të ligjit për të gjithë, pavarësisht përkatësisë së tyre dhe për të mirën e qetësimit të situatës në rajon e konsolidimit të fqinjësisë së mirë ndërmjet Kosovës e Serbisë", është shprehur Shala.
Shefi i UNMIK-ut, Lamberto Zannier ndërkaq, ka thënë se për rivendosjen e dy pikave doganore në veri të Kosovës, të cilat u dogjën nga protestuesit serbë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, nevojitet bashkëpunimi i Beogradit. Zannier beson se rivendosja e pikës doganore në Leposaviq dhe asaj në Zubin Potok do të jetë më e lehtë, nëse për këtë sigurohet mbështetja e autoriteteve të Beogradit.
"Është bindja ime që të kemi funksionim të plotë të doganave në portën 1 dhe 31, është shumë e rëndësishme të kemi bashkëpunim me Beogradin. Mendoj se është në interesin e Beogradit të ndalet kontrabanda në atë zonë, të sigurohemi që ka kontroll të plotë atje", tha Zannier.
Janë bërë më shumë se gjashtë muaj që kur dy pikat doganore në kufi të Kosovës me Serbinë nuk po funksionojnë, duke i shkaktuar humbje të mëdha buxhetit të Kosovës, si pasojë e rritjes së kontrabandës së mallrave.
Ky lajm është publikuar: 22/08/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›