Doganat, rritet lufta ndaj piraterisë
Kodi Doganor i Republikës së Shqipërisë ka pësuar dje disa ndryshime, me synim mbrojtjen e të drejtës së autorit, duke forcuar kontrollin në pikat doganore për mallrat e falsifikuara. Në kuadër të së drejtës së mbrojtjes së autorit, patentës për mallra të caktuara dhe licencës për të operuar në tregun tonë, tashmë dogana do t‘i ketë të përcaktuara rastet se kur duhet të ndërhyjë dhe si do veprohet me mallin e bllokuar. Kështu, mallrat që cenojnë të drejtën e pronësisë intelektuale, të falsifikuara, do të konsiderohen mallrat, përfshirë edhe ambalazhimin e tyre, të cilat pa lejen e mbajtësit të së drejtës mbajnë një markë tregtare, identike me atë të regjistruar rregullisht për të njëjtat lloje mallrash, ose që në thelb është e padallueshme nga kjo markë, duke cenuar të drejtat e mbajtësit të kësaj marke tregtare, sipas legjislacionit në fuqi.