Privatizimi i AMC-së, Ruli përplaset me Financat
Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Genc Ruli, kërkon që një pjesë të të ardhurave nga shitja e aksioneve shtetërore të AMC-së të shkojnë për mbulimin e disa shpenzimeve të kryera nga kjo e fundit, gjatë procesit të privatizimit. Jo vetëm kaq, por ndaj shoqërisë në fjalë, shteti ka detyrime të pashlyera, si tatim-fitim të kredituar pranë organeve tatimore, si dhe të tjera detyrime. Për këtë arsye, ministri Ruli paraqiti dje në qeveri projekt-vendimin për "Përdorimin e të ardhurave nga privatizimi i paketës së aksioneve shtetërore të mbetura të shoqërisë anonime Albanian Mobile Communications (AMC)". Ky projekt-vendim shpreh mënyrën sesi do të mbulohen disa pagesa që i takojnë shoqërisë anonime AMC, shuma e së cilës shkon deri në 160 milionë lekë. Aktualisht, qeveria zotëron 15 për qind të aksioneve në këtë shoqëri dhe po planifikon shitjen e rreth 12 për qind të aksioneve, ku të ardhurat nga kjo do shkojnë për disa detyrime të prapambetura. Por, Ministria e Financave del kundër propozimit të Rulit, me pretekstin se këto detyrime mund të mbulohen nga fitimet e qeverisë, të krijuara nga pjesëmarrja me 15 për qind të aksioneve (dividenti). Kështu, sipas relacionit të firmosur nga ministri i Ekonomisë dhe Tregtisë, të ardhurat e realizuara nga shitja e paketës së aksioneve shtetërore, të mbetura në shoqërinë AMC, do të përdoren për mbulimin e shpenzimeve të kryera nga kjo shoqëri për procesin e shitjes së aksioneve investitorit strategjik, në vlerën prej rreth 25 milionë lekë. Po ashtu, 25 milionë lekë do të përdoren për mbulimin e shpenzimeve të kryera për shitjen e paketës shtetërore të aksioneve të mbetura, duke përfshirë edhe detyrimin tatimor para privatizimit, me rreth 90 milionë lekë. Ndërsa shkresa e Ministrisë së Financave, me firmën e ministrit Bode, sqaron se, "shpenzimet për realizimin e procedurave të përzgjedhjes së konsulentit dhe për shërbimet e tij, si dhe për mbulimin e shpenzimeve të nevojshme për transferimin e paketës të përballohet nga pjesa e dividentit të ortakut shtetëror në AMC sh.a". Ministri i Financave me këtë përgjigje i referohet vendimit të qeverisë, datë 11 korrik 2007, duke zyrtarizuar nisjen e procedurave për privatizimin e aksioneve, të ardhurat e të cilit do të shkojnë për ish-pronarët e truallit dhe për punonjësit e shoqërisë.