E Diel, 1 Nëntor 2026

Idrizi: Nenet që refuzojmë te ligji i gjobave

Grupi parlamentar i selisë rozë shpreh kundërshtimin për projektligjin e procedurave tatimore. Deputeti Shpëtim Idrizi vlerësoi dje se ky është projekt, sa regresiv, aq dhe kaotik. "Ku parimet bazë të fiskalitetit, si vetëvlerësimi dhe vetëdeklarimi, neutraliteti i administratave fiskale dhe barazia e pagimit të taksave, janë zëvendësuar me nenet e gjobave, hetimeve, sekuestrimeve, falimentimeve, metodave alternative e çmimeve referuese", sqaroi Idrizi. Sipas të cilit, pagimi i tatimeve dhe taksave në ekonominë e tregut është një kontribut për shoqërinë, e ku qeveria ka detyrimin e madh t‘ia kthejë në më shumë siguri. Idrizi kujtoi se vendi po përjeton krizën më të thellë ekonomike. Kjo, e shprehur në rritjen marramendëse të çmimeve, e shoqëruar me goditjen e fuqisë blerëse në treg, rritjen e inflacionit, rritjen e deficitit buxhetor, rritjen me 100% të tatimit mbi pagat e ulëta etj. Grupi Parlamentar, i Partisë Socialiste, është në mbështetje të plotë të Komunitetit të Biznesit për të gjitha vërejtjet, konstatimet dhe stigmatizimet. PS-ja i cilëson të papranueshme disa nene dhe kërkon që ato të ndryshohen. Konkretisht është neni 17, kriteret politike të përzgjedhjes së drejtorit të përgjithshëm. Neni 68, vlerësimi tatimor. "Është shumë e qartë se mënyra se si është shkruar pika 4 dhe 5 e këtij neni, cenon në mënyrë të hapur parimin bazë të administrimit bashkëkohor tatimor, atë të vetëvlerësimit dhe vetëdeklarimit të detyrimit tatimor", vlerësoi Idrizi.

Në bazë të këtij parimi, çdo tatimpagues është i detyruar të vetëvlerësojë dhe të vetëdeklarojë në mënyrë të sinqertë detyrimin e tij tatimor. Kundërshtohet gjithashtu neni 71, metodat alternative të vlerësimit, ku jepen rastet në të cilat përdoren metodat alternative për përcaktimin e detyrimeve tatimore. PS-ja shpreh bindjen se, Administratës Tatimore i janë krijuar hapësira të gjëra dhe të tepërta për përdorimin e metodave alternative, gjë që do të krijojë premisa shumë të përshtatshme për kontrolle të paligjshme. Neni 73, afati i parashkrimit të së drejtës për të bërë vlerësim tatimor, nga 6 në 3 vjet. Nenet 93, 94, 95, 96, ku flitet për sekuestrimin e pasurisë, i cili ngatërrohet me konceptin e konfiskimit dhe që mund të bëhet vetëm me vendim gjykate e jo të drejtorit politik rajonal. Neni 99, përgjegjësia e ortakut, aksionerit dhe administratorit. Neni 101, detyrimi për t‘u paraqitur. Administrata tatimore me funksionin e ri të saj, atë të hetimit, ka të drejtën të thërrasë me detyrim çdo person, i cili detyrohet për t‘u paraqitur e detyrohet për të dëshmuar dhe pikërisht kjo është antiligjore. Neni 104, fillimi i procedurave të falimentimit, rasti kur del 3 vjet me humbje! Neni 105, struktura dhe funksionet e njësive të hetimit tatimor dhe neni 107, ose neni i gjobave, ku kërkohet të hiqet parapagimi i 15%. Grupi parlamentar i PS-së e konsideron të rëndësishme dhe imediate krijimin e Gjykatës Administrative, të premtuar që një vit më parë nga qeveria. Partia Socialiste garanton të gjithë tatimpaguesit dhe komunitetin e sipërmarrjes së lirë, se do të shfrytëzojë të gjitha hapësirat ligjore për këtë çështje. Kjo përfshin ridiskutimin e projektligjit në Komisionin e Ekonomisë,

amendimin e neneve të veçanta në seancën e miratimit të ligjit në Parlament, me qëllim për të shmangur deformimet kushtetuese thelbësore të ekonomisë së tregut.

Nenet e kontestuara

Neni 17, kriteret politike të përzgjedhjes së drejtorit të përgjithshëm

Neni 68, vlerësimi tatimor

Nenin 71, metodat alternative të vlerësimit

Neni 73, afati i parashkrimit të së drejtës për të bërë vlerësim tatimor, nga 6 në 3 vjet

Nenet 93.94.95.96, ku flitet për sekuestrimin e pasurisë

Neni 99, përgjegjësia e ortakut, aksionerit dhe administratorit

Neni 101, detyrimi për t‘u paraqitur

Neni 104, Fillimi i procedurave të falimentimit, rasti kur del 3 vjet me humbje!!

Neni 105, struktura dhe funksionet e njësive të hetimit tatimor

Neni 107, ose neni i gjobave



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›