Diveroli, akuza për 35 anijet me fishekë drejt Afganistanit
Akt-akuza: Efraim Diveroli ka mashtruar Shtetet e Bashkuara të Amerikës për çdo anije me fishekë të blerë në Shqipëri
FLORIDA- Akuza kryesore e ngritur ndaj 4 të arrestuarve për fishekët e blerë në Shqipëri është ajo e mashtrimit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke shkelur ligjin me prezantimin e rremë të origjinës së municioneve. Prokuroria e Floridës ka ngritur 36 akuza kundër Efraim Diverolit dhe bashkëpunëtorëve të tij, si dhe ka renditur një sërë ligjesh të shkelura prej tyre. Hetimi ka zbuluar skemën e mashtrimit që është përdorur në Shqipëri, për maskimin e municioneve nëpërmjet ripaketimit të tyre. “Municioni që është dërguar në Afganistan është manipuluar me anën e instruksioneve të të pandehurve. Për secilën anije të dërguar me fishekë, Diveroli ka certifikuar me dokumente false se origjina e fishekëve ishte kompania MEICO në Tiranë”,-thuhet në njoftimin për shtyp të Prokurorisë së Floridës.
***
Procedurat false për certifikimin e fishekëve, në të cilat është implikuar edhe MEICO së bashku me zyrtarët shqiptarë janë kryer në dërgimin e 35 anijeve me fishekë drejt Afganistanit. “Për secilën prej anijeve të dërguara, i pandehuri Diveroli duhej të dërgonte në Departamentin e Ushtrisë certifikatën. Duke u bazuar në këto të dhëna false, ushtria i ka paguar kompanisë AEY dhjetë milionë dollarë për 35 ngarkesat me municion kinez”,-ka pohuar prokuroria e Floridës. Sipas akuzave të mësipërme, secili prej të pandehurve rrezikon të qëndrojë në burg për 10 vjet.
***
Prokurori i Distriktit të Floridës, Aleks Acosta, ka pohuar dje se kontraktorët e Mbrojtjes janë përgjegjës për efektivitetin dhe sigurinë e municioneve që u dërgohen trupave amerikanë apo aleatëve të tyre. “Kur këta kontraktorë, qëllimisht shkelin ligjet për të pasuruar veten, ata rrezikojnë jetët e burrave dhe grave që shërbejnë në ushtrinë amerikane. Një egërsi e tillë për jetët e ushtarëve tanë apo aleatëve tanë nuk do të tolerohet, por do të hetohet fuqishëm”,-tha ai. Prokurori i Shteteve të Bashkuara komentoi hetimin e kryer nga një sërë agjencish, të përfshira në këtë çështje.
Arrestimi i Efraim Diverolit në SHBA pritet të hedhë dritë edhe mbi implikimin e zyrtarëve shqiptarë
Përgjimi i Diverolit, djali i
Berishës në çështjen e armëve
TIRANË- Afera e armëve shqiptare drejt Afganistanit ka implikuar zyrtarët më të lartë të shtetit shqiptar. 22-vjeçari Efraim Diveroli, i cili ka firmosur kontratë me Ministrinë e Mbrojtjes në një përgjim telefonik ka përmendur emrat e ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu dhe të kryeministrit Sali Berisha, si të përfshirë në këtë çështje. Në bisedën e tij telefonike me kontraktorin shqiptar, Kosta Trebicka, Efraim Diveroli ka përmendur emrin e djalit të kryeministrit Berisha, si të përfshirë në aferën e municioneve drejt Kabulit. Përgjimi i mësipërm u publikua edhe nga gazeta prestigjioze “The New York Times”, por kryeministri Sali Berisha mohoi përfshirjen e të birit, duke e cilësuar këtë gazetë si “letër higjienike”. Gjatë gjithë reagimeve të tyre publike, si Berisha ashtu edhe Mediu e kanë cilësuar si të rregullt kontratën me Diverolin, duke e cilësuar atë si një subjekt të licencuar nga qeveria amerikane. Por tashmë që Efraim Diveroli është në pranga, jashtë hetimit amerikan nuk do të mbetet edhe kontrata e firmosur me ish-kreun e MEICO-s, Ylli Pinari apo personat e tjerë të implikuar në Shqipëri.Skandali i kontratës për fishekët që shkuan drejt Afganistanit u zbulua në Shqipëri pas shpërthimeve në Gërdec, ku humbën jetën 26 persona dhe u plagosën mbi 300 të tjerë.
KONTRATA
Ortaku i Pinarit rriti çmimin e municioneve
Rritja e vlerës së municioneve që u blenë me paratë e qeverisë amerikane u krye në bazë të një marrëveshjeje të thjeshtë mes Ylli Pinarit dhe Efraim Diverolit. Biznesmeni Kosta Trebicka ka pohuar se Diveroli u takua së bashku me Pinarin në një shtëpi në Tiranë dhe iu kërkua të firmoste një kontratë direkte me MEICO-n dhe tani e tutje, të gjitha materialet do të shiteshin me çmimin 26 dollarë për 1000 copë fishekë, ndërsa çmimi tjetër prej 14 dollarësh, do t'i paguhej kompanisë së Delijorgjit, në mënyrë që të plotësohej totali i 40 dollarëve, të cilat AEY-së po i merreshin nëpërmjet "EVDIN". “Kjo e detyroi zotin Diveroli të më kërkonte mua ndihmë, të hyja në kontakt me zotin Pinari me zotin Mediu, për të sqaruar situatën, pasi nga ana tjetër po krijoheshin shumë pengesa me furnizimin me armë. Unë kontaktova zotin Pinari dhe e pyeta sesi është problemi që Diveroli ishte tepër i pakënaqur nga mënyra sesi zhvilloheshin transaksionet. Pinari më tha mua që nuk duhej të ngatërrohesha me këto gjëra, pasi janë forca madhore. Duke dyshuar tek ndërgjegjja e zotit Pinari, unë kërkova të takohem me zotin Fatmir Mediu. Pasi i shtrova problemin, Mediu u tregua shumë indiferent, mospërfillës, shumë përbuzës dhe më thotë që kjo është një çështje civile dhe nuk varej nga ai, por direkt nga MEICO. Mediu më tha që MEICO ka autorizim të pakufizuar dhe mund të veprojë si të dojë. Unë mbeta i shtangur. Që në këtë moment lajmërova Ambasadën Amerikane dhe sektorët përkatës të kësaj ambasade dhe i vë në dijeni për gjithçka”,- ka pohuar biznesmeni Kosta Trebicka. Sipas tij, dyshimet për kontratën nisën në fund të janarit të këtij viti kur edhe dy përfaqësues të Pentagonit mbërritën në Tiranë dhe nisën hetimin e çështjes. Ata bënë sekuestrimin e të gjitha dokumenteve e më pas u larguan sërish për në Amerikë. Por realisht kontrata u ndërpre rreth datës 10-15 maj, por gjatë kësaj kohe ishin dërguar në Afganistan qindra milionë fishekë kinezë të blerë në Shqipëri. E.Janina
AFERA
“Zoti i Luftës”, ndërmjetës
mes Pinarit dhe Diverolit
Ministria e Mbrojtjes dhe firma shtetërore MEICO kanë lidhur kontrata miliona- dollarëshe me një shtetas zviceran, mjaft të njohur në tregun botëror të armëve si “Zoti i Luftës”. I hetuar nga Departamenti Amerikan i Mbrojtjes, i hetuar nga Amnesty International dhe nga shumë agjenci të huaja, ai është pranuar nga qeveria shqiptare si një njeri “i besuar” për të kryer tregtinë e municioneve shqiptare, në furnizim të ushtrisë amerikane në Afganistan. Nga dokumentet që “Shekulli” disponon, MEICO nuk ka firmosur një kontratë direkte me AEY, por me të ashtuquajturin Henri Tomei, edhe pse e kaluara e tij është shumë e dyshimtë. Shfaqja e Tomeit në skenë ka shkaktuar dyfishimin e çmimit të municionit, pasi sipas kontratave me MEICO-n, Tomei e blinte një arkë fishekësh me 22 dollarë dhe ia shiste AEY-së me 40 dollarë. Emri i tij është shfaqur pothuajse në të gjitha skandalet botërore të trafikut të armëve, por kjo duket se nuk e ka shqetësuar aspak qeverinë shqiptare, që vazhdon të ngulmojë se kontrata me amerikanët është e rregullt. Henri Tomei, i cili njihet edhe me emrin Heinrich Thomet, është shfaqur fillimisht në skenën shqiptare si përfaqësues i firmës “EVDIN LTD” me qendër në zonën off-shore të Qipros. Ai kryhej nëpërmjet kontraktorëve privatë, që transportonin mijëra tonë armë dhe pajisje të tjera ushtarake në të gjithë botën.