E Diel, 1 Nëntor 2026

Sistemi i gradave, hierarkia në Policinë e Shtetit

 

Kriteret për të përfituar një gradë më të lartë

Gradat në Policinë e Shtetit shprehin hierarkinë që ekziston midis personelit që punon në këto struktura. Sipas specialistëve që kanë hartuar ligjin, “Grada” është shprehje e nivelit të ndërmjetëm brenda rolit që përmban cilësitë dhe ushtrimin e funksioneve në përputhje me hierarkinë në strukturën e policisë. Sipas ligjit që vepron aktualisht, gradat janë ndarë në rol bazë, të mesëm,të lartë dhe madhor. Punonjësit që janë pjesë të strukturës së rolit të mesëm, duhet të kenë gradat e nëninspektorit, inspektorit dhe kryeinspektorit. Më pas, po sipas ndarjes sipas roleve, vijnë ata punonjës që përfshihen në rolin e lartë. Këta të fundit përfitojnë gradat nënkomisar, komisar dhe kryekomisar. Në fund janë dhe gradat më të larta që bëjnë pjesë sipas hierarkisë së përcaktuar në rolin madhor. Këto janë personat që përfitojnë gradat drejtues dhe drejtues i parë. Për të qenë pjesë e strukturave të larta në Policinë e Shtetit duhet të ndjekësh një procedurë të caktuar ligjore, që është shprehur qartë në ligjin për gradat e policisë. Sipas këtij ligji, në momentin që një person mbaron arsimin e lartë që është Akademia e Rendit dhe përfshihet në strukturat e policisë, merr automatikisht gradën “agjent”. Më pas kërkesa për të marrë një gradë më të lartë shqyrtohet nga komisioni përkatës dhe në varësi të gradës që kërkohet, punonjësi i policisë duhet të plotësojë kritere dhe kushte të ndryshme. Zakonisht përveç aftësive personale dhe vlerësimit të punës në momentin që një punonjës kërkon gradë më të lartë duhet të plotësojë dhe kushtin për vjetërsinë e punës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›