E Diel, 1 Nëntor 2026

Fushata e PD-se, shtabet elektorale u japin lëmoshë familjeve të varfra në këmbim të votës

Drejtuesit e PD-së, 50-100 mijë lekë për të varfrit. Blerja e votës, masive në komuna të ndryshme të vendit

Eljona Ballhysa
Drejtuesit, kandidatët dhe të gjithë anëtarët e shtabeve elektorale kanë intensifikuar përpjekjet në dhjetë ditët e fundit të fushatës elektorale për të fituar votën e qytetarëve shqiptarë. Përveç takimeve të shumta me banorë të ndryshëm duke trokitur në çdo derë, drejtuesit dhe personat që janë angazhuar në këtë fushatë e kanë kuptuar që në një kohë kur kriza ekonomike ka prekur vendet më të zhvilluara të Europës e aq më tepër qytetarët shqiptarë, paraja bën shumë punë për të fituar zgjedhjet. Kandidatët, biznesmenët e lidhur me ta e cilido i përfshirë në fushatë tashmë ka hapur “thesin” e parave. Burimet bëjnë të ditur se strategjia e “blerjes” së votës tani ka nisur.
Strategjia
Drejtuesit dhe anëtarët e shtabeve të ndryshme elektorale të PD-së janë përqendruar në takime me banorë të komunave të ndryshme të vendit, të cilat gjenden në vështirësi elektorale. Pagesa për ta në këmbim të votës në zgjedhjet e 28 qershorit varion sa një pension mujor fshati e shkon deri në një pension mujor qyteti. Burimet bëjnë të ditur se vota në fshat blihet me 50-100 mijë lekë të vjetër për ato familje që nuk kanë të ardhura financiare dhe jetojnë me ndihmë ekonomike apo vetëm me pensione. Por ka nga ata kandidatë që e kanë orientuar stafin e bashkëpunëtorëve drejt dyqaneve ushqimore dhe kanë shlyer borxhet e banorëve të zonës që kanë blerë me listë prej kohësh. Banorët ndihen disi të “përkëdhelur” nga kjo “lëmoshë” e përkohshme e kandidatëve. Megjithatë, për ta është e mjaftueshme për të hedhur votën në kutinë e votimit, pasi një shumë e tillë parash është e barabartë me një pension mujor fshati, me të cilin, përveç ushqimeve, do të paguhen edhe taksat e tjera, si dritat dhe uji.
Praktika
Këto praktika ndiqen kryesisht nëpër komuna ose rrethe të vogla dhe për të dhënë para përdoren njerëz të afërt me familjet në vështirësi ekonomike. Kandidatët dhe anëtarët e shtabeve përdorin njerëz që kanë njohje në një lagje të caktuar dhe operojnë nëpërmjet listave. Ata marrin informacion dhe blejnë mendime se çfarë bindjesh politike kanë banorët e një fisi apo të lagjes dhe më pas zhvillojnë takime të veçanta me kryefamiljarët në praninë e personave të njohur të palëve. Pasi sigurohen për votën pro tyre nga kryefamiljari, atëherë, në shenjë mirënjohjeje, anëtarët e shtabeve elektorale japin zarfin me para.

19 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›