Doganieri arrestohet publikisht në Kakavijë, për “shpërdorim detyre”

Tiranë, 23 Janar NOA – Një doganier u arrestua
sot publikisht në vendin e punës, nga specialistët e Antikrimit Ekonomiko-Financiar në Gjirokastër
pasi akuzohet për shpërdorim detyre në vendkalimin kufitar të Kakavijës,
informon korrespondentja e agjencisë NOA.
Syrja Misiraj, 35 vjç, lindur dhe banues në
Fier, me detyrë Doganier i Kontrollit Fizik në Degën e Doganës Kakavijë
Gjirokastër u ndalua pasi Gjykata e Rrethit Gjirokastër me një vendim të marrë
dy ditë më parë, ka vendosur masën e sigurisë "Arrest me burg”, për veprën
penale të "Shpërdorimit të detyrës”.
Hetimi për 35-vjçarin nisi pasi më 11 dhjetor
të vitit që shkoi, ndërsa punonte si doganier i Kontrollit Fizik në Degën e
Doganës Kakavijë rreth orës 17.00, nga kjo doganë ka dalë pa kryer procedurat e
zhdoganimit mjeti tip kamion me targa TR 1880 R / TR 1882 R i cili vinte nga
Athina për në Tiranë
Ky mjet është bllokuar dhe kontrolluar nga
Specialistët e Sektorit Kundër Krimit Ekonomiko Financiar në Drejtorinë e
Policisë së Qarkut Gjirokastër.
Bllokimi u bë në hyrje të qytetit Tepelenë në
aksin rrugor Gjirokastër-Tepelenë mbi bazën e informacioneve të marra në rrugë
operative se ky mjet transportonte mallra ushqimore kontrabandë. (oriz,
rio-mare, vaj, birra, pije freskuese, kartopeceta, etj.)
Nga kontrolli i ushtruar në këtë automjet
rezultoi se malli ishte i pashoqëruar me deklaratë zhdoganimi nga Dogana e Kakavijës,
- tha policia.
Për këtë mjeti dhe malli u sekuestruan si dhe
drejtuesi i automjetit u arrestuan në flagrancë.
Nga veprimet e mëtejshme hetimore dhe procedurale
rezultoi se në këtë ngjarje ishin të përfshirë edhe dy doganierë të cilët u
shpallën në kërkim ku sot njëri prej tyre, 35-vjçari Misiraj, është kapur në
Pikën e Kalimit Kufitar, në Doganën e Kakavijës, ndërsa ishte në detyrë.
v.d/e.r/NOA