E Diel, 1 Nëntor 2026

Tepelenë, çobani i armatosur terrorizon fshatin, arrestohet nga policia

Tepelenë, 24 janar NOA – Terrorizonte banorët
e një fshati me armë, arrestohet çobani.

Rakip Bani 60-vjç gjuante me breshëri
automatiku nga stani i tij duke vënë në rrezik jetët e banorëve të fshatit.

Ngjarja ndodhi dje në fshatin Mezhgoran të
Tepelenës kur Bani ka dalë nga stani i tij dhe ka qëlluar me armë në drejtim të fshatit karshi.

Burime nga policia thanë se dje pasdie në
Sallën Operative të Komisariatit të Policisë Tepelenë kanë ardhur disa
telefonata nga banorë të fshatit Mezhgoran të cilët njoftuan se shtetasi Rakip
Bani, i cili është çoban afër këtij fshati po qëllon me armë zjarri nga stani i
tij në drejtim të fshatit Mezhgoran duke vënë në rrezik jetën e banorëve.

Menjëherë forcat e Policisë së Komisariatit të
Policisë Tepelenë janë nisur në drejtim të këtij fshati.

Pasi është bërë rrethimi i zonës dhe janë
marrë të gjitha masat për të mos lejuar qarkullimin e banorëve të rastit në
afërsi të stanit të 60-vjçarit, i është bërë thirrje këtij të fundit nga
policia që të dorëzonte armën e zjarrit, pasi ai vazhdonte të qëllonte akoma.

Policia brenda pak minutash arriti të
neutralizonte ngjarjen duke vënë më pas në pranga çobanin e armatosur.

Nga kontrolli i mëtejshëm që u bë në stanin e
tij u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale edhe 70 copë
fishekë model 56.

k.k/NOA

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›