Bastiset kisha e “Shën e Premte”, policia gjen sendet e fshehura nëpër shkurre, kapet autori

Përmet, 24 janar NOA – Identifikohet dhe
arrestohet autori i dyshuar i vjedhjes së kishës së "Shën e Premte"në Përmet.
Françesko Kasaj 31-vjç lindur dhe banues në
fshatin Zhepovë, të komunës Sukë Përmet është arrestuar mbrëmë pasi akuzohet për
vjedhjen e kishës.
Burime nga policia thanë se mesditën e djeshme
në Sallën Operative të Komisariatit të Policisë Përmet ka mbërritur një telefonatë
nga një person i cili ishte me detyrë "Epitrop”, në kishën "Shën e Premte”, e
cila ndodhet në lagjen Varosh të qytetit Përmet, dhe njoftoi se ka konstatuar
derën e kishës të hapur.
Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar forcat e
policisë së Komisariatit të Policisë Përmet si dhe grupi hetimor ku kanë
konstatuar se dera e kishës ishte hapur me forcë dhe nga këqyrja e brendshme e
kishës rezultoi se ishin vjedhur një kazan bakri që shërbente për pagëzim, dy
shandanë që mbajnë qirinj, dy kryqe metalik bronzi, kupa e kungimit me ngjyrë
argjendi, një tabaka kungimi bronzi, xhezve, ibrik dhe 6 gota të gjitha bronzi
, thikë kungimi, një objekt metalik në formë zogu ngjyrë bronzi etj.
Specialistët e parandalimit të Krimit në
Komisariatin e Policisë Përmet nisën menjëherë hetimet për të identifikuar dhe
kapur autorit.
Vetëm pak orë pas nisjes së hetimeve policia
mundi të zbulonte identitetin e autorit të dyshuar të vjedhjes së kishës, ndërsa
në mbrëmje lokalizoi vendndodhjen e tij duke i vënë dhe prangat.
Françesko Kasaj për të shpëtuar nga arrestimi
kishte fshehur gjysmat e sendeve të vjedhura në kishë, tek disa shkurre larg
kishës dhe gjysmat në një banesë të braktisur, por të gjitha u gjetën dhe u
sekuestruan nga policia.
k.k/NOA