Dogjani: “Ministri Basha shkel Rregulloren e Kuvendit, refuzon interpelancat”
Partia Socialiste ka akuzuar ministrin e Brendshëm, Lulzim Basha, se po shkel Rregulloren e Kuvendit pasi për herë të dytë radhazi refuzon raportimin në Komisionin e Sigurisë për plotësimin e kritereve të mbetura që janë thelbësore për integrimin e vendit. Shqetësimi ka ardhur nga deputeti socialist Asllan Dogjani. “Ministri i Brendshëm, në mungesë të plotë të respektit ndaj Legjislativit, në shkelje të hapur të Rregullores, duke shpërfillur në mënyrë të hapur pushtetin legjislativ, për të dytën herë radhazi nuk u paraqit për raportim në Komisionin e Sigurisë në një seancë dëgjimore në lidhje me plotësimin e kushteve të mbetura pa plotësuar për procesin e integrimit në Bashkimin Europian, kryesisht përsa i përket luftës kunsër krimit të organizuar e korrupsionit, që janë edhe prioritete të partneritetit europian, siç shprehet dhe progres-raporti i fundit i BE-së”, - tha Dogjani. Ai theksoi se Basha ka refuzuar edhe interpelancën e kërkuar prej tij për zhdukjen e 6-vjeçares Bleona Mata që prej 22 majit 2010. “Kemi mbi 45 ditë nga zhdukja e Bleona Matës dhe akoma nuk dihet për fatin e saj; kemi 22 ditë që ne i kemi kërkuar ministrit të Brendshëm që të vijë në Parlament dhe të japë shpjegime pse ka dështuar policia në gjetjen e vajzës nga Zapodi, por ai përsëri refuzon dhe sot na kthen përgjigje që nuk mundet të raportojë në seancë parlamentare pasi përbën sekret, duke na vënë në dispozicion një informacion që vetëm sekrete nuk kishte në të”, - nënvizoi Dogjani.
Deputeti i Kukësit, duke iu referuar shifrave të UNICEF-it për trafikimin e fëmijëve dhe shifrave të publikuara në media për vrasjet dhe vetëvrasjet, e akuzon Bashën se po përpiqet t’i shmanget përballjes me Legjislativin dhe përfaqësuesit e qytetarëve. “Sipas UNICEF-it, janë rreth 4000 fëmijë të trafikuar në Greqi dhe Itali që shfrytëzohen nga trafikantët. Krimi i vrasjes është më i larti që nga viti 2005. Me gjithë kurbën e rritjes, akoma nuk ka pasur një analizë. Siç janë dhe rastet e tjera të bujshme, përfshirë atë të vrasjes së deputetit socialist Fatmir Xhindi”, - u shpreh Dogjani. Më tej, deputeti socialist tha se është zgjeruar harta e kultivimit të bimëve narkotike dhe sipas informacioneve nga Shërbimi Informativ, ajo është shtrirë në tërë territorin e Shqipërisë.
8 Korrik 2010