E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shoqatat e ushtarakëve: Pensionet, të gjitha shkeljet ligjore



Aleanca Kombëtare e Ushtarakëve të Shqipërisë, me tërë shoqatat e armëve e shërbimeve që koordinon e bashkëpunon, si një faktor i rëndësishëm në shoqërinë e sotme demokratike, si palë ankimuese dhe grupe interesi, kanë sjellë zërin e tyre në Gjykatën Kushtetuese për Ligjin e shumëpërfolur Nr. 10142, datë 15.5.2009 “Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të Forcave të Armatosura....” dhe e konsiderojmë një arritje në fushën e mbrojtjes së të drejtave të ushtarakëve.
Ushtaraku ka qenë dhe është një simbol kombëtar, figura më patriotike dhe demokratike, emblema e Republikës, i cili betohet para flamurit për të dhënë edhe jetën për mbrojtjen e atdheut. Ai, me pozitën kushtetuese të tij, është i mbrojtur me status të veçantë, sepse ka një profesion të veçantë dhe të vështirë, të rrezikshme për jetën e njeriut, me detyrime dhe të drejta të veçanta dhe të pakrahasueshëm me profesionet e tjera. Mbështetur në karakterin e veçantë të veprimtarisë profesionale dhe të shërbimit të ushtarakut, për të kuptuar më mirë si janë respektuar e zbatuar të drejtat e ushtarakut në fushën morale, sociale dhe ekonomiko-financiare, duhet t`u referohemi të drejtave themelore të njeriut, të mbrojtura nga konventat ndërkombëtare, nga Kushtetuta e legjislacioni shqiptar dhe nga statusi i ushtarakut në fuqi. Shkeljet ligjore, në të gjitha fushat mbi të drejtat e ushtarakëve gjatë 20 viteve, si për pensionet dhe të drejtat e tjera të fituara, në trajtën më koncize, paraqiten si vijon:

Shkeljet ligjore

* Nuk është zbatuar Ligji Nr. 7496, datë 03.07.l991 dhe Ligji Nr. 9210, datë 23.03.2004 “Për statusin e ushtarakut të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, dispozita organike-bazë nga burojnë edhe shumë ligje e vendime të tjera. Nuk është zbatuar Vendimi Nr. 9, datë 26.02.2007 i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë.

* Nuk është paguar pension për asnjë ushtarak pas përfundimit të trajtimit me pagë kalimtare (asistencë) për një periudhë për 6 vjet, nga 01.01.1993 deri 01.01.1999; përjashtim bëjnë vetëm ushtarakët që kanë përfituar asistencë brenda një kohe të kufizuar.

* Nuk është bërë llogaritja e pensionit të ushtarakut sipas kritereve të ligjit mbi statusin e ushtarakut, sipas pagës referuese të përfituar, viteve të shërbimit dhe sipas kontributeve të detyruara të sigurimeve shoqërore të derdhura. Llogaritja e pensionit është bërë apriori më e ulët nga çfarë i takon çdo ushtaraku, duke hedhur poshtë skemën e llogaritjes, duke vënë kufizime, “tavan juridiko-financiar”, jo më shumë se 1 pension maksimal, ose, 1-2 pensione minimale në shkallë vendi. Kjo situatë ka vazhduar edhe pas shfuqizimit të këtij kufizimi nga neni 49 i statusit të ri, pra edhe nga data 14 maj 2004 e në vazhdim.

* Pensioni i ushtarakut nuk është llogaritur drejt, sipas kritereve ligjore të përcaktuara në status: Janë shkelur kufijtë ligjorë të moshës së ushtarakut si përfitues në pension të parakohshëm.

* I është hequr ushtarakut pensioni i parakohshëm në rast punësimi, në kundërshtim me pikën 3 të nenit 35 të statusit të ushtarakut të datë 23 marsit 2004, i cili lejon punësimin pa u prekur e drejta e pensionit të përfituar.

* Pensioni i parakohshëm, për vjetërsi shërbimi, nuk është lidhur menjëherë, me daljen në rezervë për ushtarakët që plotësojnë kushtet për këtë pension, por pas trajtimit 2-vjeçar me pagë kalimtare dhe plotësimit të moshës.

* Ushtarakët e dalë në rezervë-lirim, që nuk plotësojnë kushtet për pension të parakohshëm, në vend të trajtimit me shpërblim në masën e aq pagave mujore sa vjetërsi shërbimi kanë në Forcat e Armatosura, sipas nenit 46 të statusit të vitit 2004, janë trajtuar me pagë kalimtare.

* Nuk është paguar pensioni suplementar i pleqërisë nga 14 maji 2004, caktuar me nenin 36 të statusit të ushtarakut dhe nenet 15, 16 e 29 të Ligjit Nr. 9418, datë 20.05.2005

* Nuk janë paguar nga buxheti i shtetit kontributet e sigurimeve shoqërore për ushtarakët nga 1.7.1992 deri 31.12.1998, kur kjo periudhë njihet si periudhë sigurimi për efekt të pensionit të plotë të pleqërisë.

* Nuk janë aplikuar të drejtat morale dhe njëkohësisht financiare për dhënien e gradave ushtarake për ushtarakët që janë pa grada. Nuk është bërë njehsimi apo ekuivalentimi sipas funksionit që ka kryer secili, në bazë të ligjit për statusin e ushtarakut. Kjo pati dhe ka pasoja negative jo vetëm në vlerat morale të ushtarakut, por edhe në efektet financiare, në llogaritjen e pagës referuese dhe të pensionit.

* Nuk bëhet trajtimi shëndetësor brenda dhe jashtë vendit, sipas nenit Nr. 40, sipas statusit të ushtarakut. Këtë të drejtë e kanë gëzuar një numër i vogël ushtarakësh në pension.

* Nuk është privatizuar nga asnjë ushtarak, asnjë objekt ushtarak për strehimin e tyre, apo për aktivitete të tjera vetëpunësimi, në zbatim të neneve 38 dhe 39 të statusit të ushtarakut.

* Nuk trajtohen ushtarakët me medikamente, me rimbursim deri 80 për qind, apo me çmime favorizuese në transport dhe nuk janë të pajisur me kartën e identitetit si pensionist ushtarak.

* Nuk ka argument juridik, ekonomiko-financiar dhe logjik për shkeljet e deritanishme për pensionet e ushtarakëve nga organet ekzekutive, por përdoret argumenti absurd politik, “ky është vendim apo qëndrim politik”. Qëndrime të tilla janë reflektuar deri para organeve gjyqësore, që vonuan nxjerrjen e vendimit, nuk përgjithësojnë vendimet e tyre si një e drejtë e pamohueshme.

* Nuk është zbatuar për rreth 9 muaj Ligji i fundit për pensionet e ushtarakëve Nr. 10142, datë 15.05.2009, kur data e hyrjes në fuqi ishte më 27 qershor 2009; për pasojë, nuk është përfituar asnjë qindarkë nga rillogaritja sipas pikës 2, neni 29, kur Gjykata Kushtetuese nuk e pezulloi dhe nuk e ka shfuqizuar këtë ligj.

* Ushtarakët që kanë përfunduar trajtimin me pagë kalimtare, nga data 27 qershor 2009 nuk janë trajtuar me pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi.

* Për rreth 7 muaj, dalja e vendimit të Gjykatës Kushtetuese mbi shqyrtimin e ankimimeve të shoqatave ushtarake, ku Aleanca Kombëtare e Ushtarakëve të Shqipërisë kundërshtoi 19 nene e dispozita ligjore që përkeqësojnë nivelin jetik të ushtarakëve.

Pasojat prej Kushtetueses

Kohët e fundit, Gjykata Kushtetuese, me shumicë votash, mori vendimin, edhe pas debateve të tensionuara, të dalë në mbrojtje të të drejtave ligjore të ushtarakëve. Edhe këtë radhë nuk u përdor si duhet argumenti juridik, por si gjithmonë, u gjet shkaku se një nga problemet kryesore ishte ”fatura e lartë financiare”, duke rënduar përsëri gjendjen ekonomike të ushtarakëve.

Më 27 qershor 2009 hyri në fuqi Ligji Nr. 10142, datë 15.05.2009 “Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të Forcave të Armatosura.....”. Nga kjo datë, tri kategori ushtarakësh nuk janë trajtuar me sigurime shoqërore suplementare, në zbatim të këtij ligji. Konkretisht, ushtarakët që përfunduan periudhën e trajtimit me pagë kalimtare nga kjo datë e në vijim, ata që e drejta për pension të parakohshëm e pension suplementar pleqërie u lindi para saj, por që nuk e ushtruan, nuk u trajtuan dhe vazhdojnë të mos trajtohen me këto pensione. Arsyeja se ligji ishte në gjykim të Gjykatës Kushtetuese s’qe tjetër veçse një justifikim. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për mospranimin e kërkesës për pezullimin e ligjit vërteton plotësisht se ligji ishte i zbatueshëm. Por ligji nuk po zbatohet as sot, pas vendimit të 24 qershorit 2010 të Gjykatës Kushtetuese, që shfuqizoi si antikushtetues pikën 2 të nenit 14 dhe të nenin 27 të tij. Mungesa e nxjerrjes së akteve nënligjore, sipas detyrimit të nenit 30 të ligjit, në fakt ka qenë dhe vazhdon të jetë shkaku i vërtetë i moszbatimit të ligjit dhe mostrajtimit të ushtarakëve në përputhje me të dhe me Vendimin Nr. 33, datë 24.06.2010 të Gjykatës Kushtetuese. Një akt i tillë është i paprecedent në shtetin ligjor të së drejtës. Në këtë mënyrë, të gjithë ushtarakët dhe familjet e tyre, si ushtarakët në lirim e pension, para 1991-shit, të cilët që nga 14 maj 2004 janë lënë pa pension suplementar. Këta janë privuar nga e drejta më themelore, nga e drejta e jetës.

Të nderuar zotërinj!

Është në nderin e dinjitetin Tuaj t’i thoni “stop” shkeljes e moszbatimit të ligjit, të paligjshmërisë së mëtejshme; duke siguruar zbatimin e legjislacionit në fuqi. Praktika e trajtimit, në kundërshtim me statusin e ushtarakut dhe ligjin e sigurimit shoqëror suplementar; trajtimi me ligje të shfuqizuara; mosnxjerrja e akteve nënligjore, apo moszbatimi i ligjeve në fuqi, siç u veprua me statusin e 3 korrikut 1991, ligji i sigurimeve shoqërore të 13 marsit 1996, statusi i 23 marsit 2004, ligjin e 20 majit 2005 dhe atij të 16 shkurtit 2006, apo me Vendimin Nr. 9, datë 26 shkurt 2007 të Gjykatës Kushtetuese, e së fundi, për një vit rresht, me ligjin e 15 majit 2009, do të na detyroni: t’u bëjmë thirrje ushtarakëve që t’u drejtohen gjykatave shqiptare në mbrojtje të të drejtave ligjore dhe dëmit moral që u është shkaktuar nga moszbatimi i saktë e në kohë i ligjit për rreth 20 vjet. Në rast të kundërt, ushtarakët do t’u drejtohen edhe organizmave ndërkombëtare të Drejtësisë në mbrojtje të të drejtave të tyre jetësore.

Në refleks të shkeljeve ligjore të deritanishme, ne përshëndesim Vendimin e Gjykatës Kushtetuese Nr. 33, datë 24.06.2010, për shfuqizimin e pikës 2 të nenit 14 dhe të nenit 27 të Ligjit Nr. 10142, datë 15.5.2009 “Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të Forcave të Armatosura.....” dhe e konsiderojmë një arritje në fushën e mbrojtjes së të drejtave të ushtarakëve.

Vendimi i ri i Gjykatës Kushtetuese është sa kushtetues, me shfuqizimin e dy neneve, aq dhe antikushtetues me lënien në fuqi të neneve të tjera që përkeqësojnë nivelin jetik ligjor të ushtarakëve në pension. Skema e llogaritjes, heqja e tavanit dhe e kufizimeve të së drejtës së pensionit nga përfituesi, në pajtim të plotë me ligjin organik për statusin e ushtarakut është një arritje e Drejtësisë shqiptare, në zbatim të parimit të jurisprudencës, për të drejtën e fituar dhe sigurinë juridike për ushtarakët në pension të parakohshëm dhe të plotë pleqërie.

(Vijon në numrin e ardhshëm)

8 Korrik 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›