Tahiri: “Kandidaturat për në Gjykatën e Lartë janë të monitoruara politikisht”
Eneida Jaçaj
Partia Socialiste e ka cilësuar si të monitoruar politikisht nga maxhoranca procesin e kandidaturave të presidentit Bamir Topi për anëtarë të Gjykatës së Lartë. Sipas socialistëve, kjo sjellje e maxhorancës kërkon të uzurpojë sistemin e drejtësisë me të cilin ka shumë probleme. Nënkryetari i Grupit Parlamentar socialist, Saimir Tahiri, pas mbledhjes së Grupit në selinë rozë, bëri të ditur qëndrimin e Partisë Socialiste për të mos marrë pjesë në Kuvend për votimin e hapur të kandidaturave për Gjykatën e Lartë.
Qëndrimi
“Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste e konsideron të papranueshëm procesin dhe qëndrimin e maxhorancës për kandidaturat e emëruara nga Presidenti i Republikës për anëtarë të Gjykatës së Lartë. Nguti i përfaqësuesve të PD-së në Komisionin Parlamentar të ligjeve për të miratuar me urgjencë relacionet e përgatitura prej tyre e të vëna në dispozicion të deputetëve të opozitës vetëm sot (dje) gjatë mbledhjes, është një tjetër shenjë e vendimit politik të Sali Berishës për të konsideruar e vlerësuar nën diktatin partiak kandidaturat e miratuara nga Presidenti i Republikës”, - u shpreh Tahiri. Numri dy i Grupit të PS-së e ka konsideruar këtë proces si të montuar politikisht, i cili, sipas tij, jo vetëm nëpërkëmb thellësisht integritetin e kandidaturave të miratuara nga Presidenti, por gjithashtu nëpërkëmb edhe integritetin e të gjithë trupës së gjyqtarëve, duke imponuar konformitetin dhe bindjen politike ndaj partisë në pushtet si kriterin kryesor dhe të vetëm për të përfituar pëlqimin e Parlamentit për anëtarë të Gjykatës së Lartë. Gjithashtu, Tahiri u shpreh se Grupi i PS-së e konsideron këtë proces një farsë politike të diktuar nga interesat e partisë në pushtet për të uzurpuar dhe nënshtruar sistemin gjyqësor dhe institucionet e pavarura kushtetuese. “Kjo praktikë e përsëritur edhe më parë nga Sali Berisha dhe qeveria e tij, vjen në kundërshtim me Kushtetutën dhe praktikat më të mira parlamentare për miratimin e kandidaturave bazuar mbi kriteret e meritës profesionale e jo të bindjes partiake”, - u shpreh Tahiri.
Votimi
Kandidaturat për në Gjykatën e Lartë do të votohen në mënyrë të hapur sipas ndryshimit që maxhoranca bëri në Rregulloren e Kuvendit, e cila u kundërshtua nga PS-ja. “Ky proces, që do të përfundojë me votimin e hapur nominal në seancë plenare, jo vetëm që cenon pavarësinë e pushtetit gjyqësor, por njëkohësisht përbën goditjen e radhës ndaj institucioneve që luajnë një rol thelbësor në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, veçanërisht ndaj zyrtarëve të lartë me imunitet”, - tha Tahiri.
Sipas tij, diktimi partiak i kandidaturave për anëtarë të Gjykatës së Lartë ka për qëllim mbylljen e hesapeve që përfaqësuesit e Sali Berishës dhe kësaj qeverie kanë me Drejtësinë për shkak të akuzave publike për korrupsion, duke kalçifikuar më tej kulturën e pandëshkueshmërisë ndaj zyrtarëve të lartë me imunitet qeveritar e parlamentar.
Kodheli: “PS-ja nuk do të lejojë që ndryshimet mbi buxhetin 2010 të bëhen në një kohë të shkurtër”
Nënkryetarja e Komisionit Parlamentar të Ekonomisë, Mimi Kodheli, i ka bërë thirrje qeverisë që të dorëzojë sa më herët në Kuvend draftin për ndryshimin e buxhetit të vitit 2010. Kodheli i bën thirrje qeverisë të mos e vonojë draftin pasi në fund të këtij muaji mbyllet sesioni parlamentar dhe PS-ja nuk do të lejojë që ndryshimet mbi buxhet të bëhen në një kohë të shkurtër. “Për shkak të krizës së rëndë ekonomike dhe financiare, qeveria ka lajmëruar ndryshimin e buxhetit të shtetit për vitin 2010. Iniciativa për të ndryshuar buxhetin konfirmon qartësisht analizat tona mbi krizën ekonomike dhe financiare që ka prekur tashmë thellësisht buxhetin, pasi rrënoi totalisht buxhetet familjare. Shqyrtimi i ligjit që ndryshon buxhetin e vitin 2010 në këtë moment të krizës ka një rëndësi jetike. Ai duhet të jetë një shqyrtim serioz dhe tejet transparent, i hapur për diskutime me të gjitha grupet e interesit e ministritë përgjegjëse”, - u shpreh Kodheli.
8 Korrik 2010