Zbulohet eksploziv me logon e PS
Lezhe- Zbulohet ne Lezhe arsenal me eksploziv, bomba dhe arme qe mbanin persiper logon e PS-se. Policia arreston 40-vjecarin Arben Simoni, i cili ka qene i arrestuar edhe me 31 maj te ketij viti ne Tirane, pasi sulmoi dhunshem nje shofer ne bulevard gjate protestes se Partise Socialiste qe behej ne mbeshtetje te grevisteve. Simoni ka qene pjese e grupit te simpatizanteve te PS-se, ndersa u procedua per “rrahje” dhe “kanosje”. Burime zyrtare te policise se Lezhes konfirmuan se finalizuan rreth ores 20:00 te mbremjes se djeshme operacionin e koduar “Arsenali”. Zbulimi eshte bere fale informacioneve te marra ne rruge operative, se ne banesen e 40-vjecarit ishin te fshehura armatim dhe municion.
Arsenali ka qene i fshehur ne nje grope te thelle te hapur ne oborrin e shtepise ne lagjen “Sheher” te qytetit. Gjate aksionit Simoni nuk ka bere asnje rezistence, ndersa policia shoqeroi te gjithe familjaret. Per gjetjen e armeve jane perdorur edhe teknika bashkekohore dhe pajisje moderne prej agjenteve dhe eksperteve. Ne perfundim te aksionit u sekuestruan 68 granata ofensive dhe defensive, 86 kallepe tritoli, me peshe 35 kg, 200 metra linear fitil zjarrpercjelles, nje automatik model 56, nje mitraloz i rende dhe nje pushke 20-she qe mbaheshin pa leje. Gjithashtu jane bllokuar tre krehra me fisheke model 56, nje shirit mitralozi me 100 fisheke dhe nje arke me 1250 fisheke.
Gjate marrjes ne pyetje i dyshuari Arben Simoni ka thene se nuk kishte dijeni per arsenalin e armatimit dhe eksplozivit.
Policia tha se 40-vjecari eshte person me precedente penal. Mesohet se gjate keqyrjes qe kane bere ekspertet mbi arsenalin e sekuestruar jane vene re mbishkrime me germa kapitale, ku dallohej logoja “PS”. Nje pjese e armatimeve kane qene te cmontuara dhe te fshehura mire. Zyrtare te policise nuk pranuan te prononcoheshin per kete fakt, duke sqaruar se po kryhen hetime per origjinen, destinacionin apo qellimin e perdorimit te armeve. Nuk perjashtohet ndonje trafik i mundshem dhe venia e tyre ne perdorim per qellime kriminale. Gjithsesi dosja i ka kaluar prokurorise per “mbajtje pa leje te armatimeve, municioneve dhe lendeve plasese”.
Precedenti me 31-maj ne Tirane
Ne mitingun e PS-se, Simoni rrahu nje shofer ne bulevard
Policia e Tiranes arrestoi mbremjen e 31 majit 40-vjecarin Arben Simoni pas denoncimit te nje drejtuesi makine, i cili e akuzonte per dhunim fizik dhe kanosje. Ngjarja ndodhi ne Bulevardin “Zogu i Pare”, ne afersi te Stacionit te Trenit ne Tirane. Sipas hetimeve te kryera nga policia e kryeqytetit, Simoni eshte konfliktuar me Perparim V., 41 vjec, banues ne Tirane. “Ky konfrontim ka ndodhur ne momentin, kur Arben Simoni, se bashku me nje grup personash perkrahes te subjektit politik Partia Socialiste, po pergatiteshin per t’u nisur gjate bulevardit “Deshmoret e Kombit”, njoftoi policia e kryeqytetit pas ngjarjes. Gjate ketyre momenteve, Perparim V., ka qene duke qarkulluar me automjetin e tij tip “Benz”, ku eshte goditur papritur me grushte e sende te forta nga Simoni, duke e plagosur lehte ate. Ndalimi i 40-vjecarit u krye nga Komisariati Nr. 3 dhe me pas dosja i kaloi prokurorise. Pas procedimit Simoni eshte lene per hetim ne gjendje te lire.
I arrestuar:
Arben Simoni, 40-vjec, Lezhe
Sekuestruar:
68 granata ofensive dhe defensive
86 kallepe tritoli, me peshe 35 kg
200 metra linear fitil zjarrpercjelles
1 automatik model 56
1 mitraloz i rende
1 pushke 20-she
3 krehra me fisheke model 56
1 shirit mitralozi me 100 fisheke
1 arke me 1250 fisheke