E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dogjani: Policia përgjegjëse për vrasjen e Konomit

Vriten politikanë, kryetar komunash, qytetarë, në rrugë, pranë banesës, në automjete e kudo, hidhet granata për shkak të konflikteve të pronës dhe vritet fëmija, rrëmbehen e zhduken fëmijë, zhduken të rritur, vihen gjoba dhe qeveritarët tanë raportojnë sikur nuk ka ndodhur asgjë dhe se shqiptarët e ndjejnë veten të sigurt

Anëtari i Komisionit të Sigurisë, Asllan Dogjani jep alarmin për shifrat e larta të krimit në vend dhe për mungesën e vullnetit të forcave të policisë për të luftuar krimin. Sipas ish-drejtuesit të lartë të policisë shqiptare, në jo pak raste policia nuk regjistron kallëzimet e qytetarëve për krimet e lehta për të përmirësuar statistikat. Sipas deputetit Dogjani, në krye të Policisë Kriminale juanë vendosur drejtues të akuzuar për vepra penale të kontrabandës dhe të dyshuar se kanë bashkëpunuar me krimin. Lidhur me vrasjen e gjyqtarit Konomi në qytetin e Vlorës, anëtari i Komisionit Parlamentar të Sigurisë fajëson neglizhencën e strukturave të rendit për të vlerësuar rrezikun real.

Pak ditë më parë Ministri i Brendshëm Bujar Nishani paraqiti një raport të kriminalitetit në vend. Si do e vlerësonit ju rendin këto kohë?

Që në fillim të takimit ministri paraqiti një situatë krejt të qetë të rendit e sigurisë. A thua sikur po fliste për një vend tjetër dhe jo për vendin tonë, ku çdo ditë krimi i vrasjes ka ardhur në rritje, vriten pothuajse çdo ditë qytetarët shqiptarë për motive të ndryshme deri në ato banale dhe për një gërvishtje të makinës nxjerrin pistoletat dhe bëjnë luftë në mes të qytetit duke na kujtuar kohën e kaubojsave. Vriten politikanë, kryetar komunash, qytetarë, në rrugë, pranë banesës, në automjete e kudo, hidhet granata për shkak të konflikteve të pronës dhe vritet fëmija, rrëmbehen e zhduken fëmijë, zhduken të rritur, vihen gjoba dhe qeveritarët tanë raportojnë sikur nuk ka ndodhur asgjë dhe se shqiptarët e ndjejnë veten të sigurt. Sa herë ndodhin ngjarje të rënda qeveritarët tanë dalin që ditën e parë akoma pa u kryer veprimet e para dhe deklarojnë se ngjarja do të zbulohet së shpejti dhe se nuk ka ndodhur për motive politike apo për shkak të detyrës dhe autorët do vihen përpara përgjegjësisë penale. Kështu deklaruan kur u vra deputeti Fatmir Xhindi, kryetari i komunës Remzi Veseli, apo kur u zhduk në mënyre misterioze vajza e vogël Bleona Mata nga fshati Zapod i Kukësit dhe shumë ngjarje të tjera të rënda që pasi kanë kaluar një farë kohe janë harruar ngjarjet. Ato janë zëvendësuar me ngjarje më të rënda. Siguria në vendin tonë është e kërcënuar seriozisht nga krimi i organizuar, korrupsioni dhe krimi ordiner në të gjitha format e tij. Aktualisht ekzistojnë rrjete e grupe kriminale të fuqishme me lidhje të brendshme dhe të jashtme që zhvillojnë trafikun e drogës, armëve, trafik të qenieve njerëzore. Korrupsioni ka përfshirë çdo sektor dhe nivel të shoqërisë, pastrim parash etj. Grupet kriminale shpesh herë janë përfshirë në konflikte duke ekzekutuar dëshmitarë, apo rivalët e tyre dhe kjo ka bërë që të rritet numri i vrasjeve. Vetë ministri tha se organizatat kriminale janë të sofistikuara, ndërsa punonjësve të policisë ju mungojnë automjetet, karburanti, uniforma. Rrogat janë tepër të ulëta, aq sa nuk mjaftojnë për të siguruar bukën e gojës, specialistët zëvendësohen me militantë partie, u anulohen dietat dhe shpërblimet. Qeveritarët tanë kujtohen për ta vetëm në raste fatkeqësish kur humbin jetën për shkak të detyrës. Nga ana tjetër përballen me grupe kriminale që ndajnë 3 miliard fitime nga krimi i organizuar.

Gjatë mbledhjes ju deklaruat se gjyqtarit Konomi i janë shpuar gomat e makinës para vrasjes. Cila është përgjegjësia e strukturave të rendit?

Ndërsa Ministri i Brendshëm deklaroi se gomat e makinës së gjyqtarit Skerdilajd Konomi ishin dëmtuar ditën e ngjarjes në mëngjes dhe policia nuk kishte pasur mundësi ta parandalonte ngjarjen. Të dhënat e publikuara në media tregojnë të kundërtën, pra që ishte njoftuar policia dy ditë përpara ngjarjes se njerëz të panjohur kishin hyrë në oborrin e banesës së Skerdilajd Konomi. Nuk i di se çfarë përgjigje është marrë nga punonjësi i policisë edhe sikur të ishte njoftuar atë ditë në mëngjes. Por mendoj se po të ishte vlerësuar menjëherë në kohë informacioni, ndoshta do të ishte bërë e mundur dhe parandalimi i kësaj ngjarjeje të rëndë. Kjo ka të bëjë me atë që shpeshherë e kemi ngritur, që sot drejtuesit e policisë e kanë përqendruar punën vetëm tek ajo që ndodh dhe jo tek parandalimi i veprave penale. Shifrat e raportuara nga ministri nuk përputheshin me shifrat e dhëna nga Prokuroria e Përgjithshme.

Besoni se konflikti i vazhdueshëm ndërmjet mazhorancës dhe organit të akuzës ka ndikuar edhe në bashkëpunimin e institucioneve që janë përgjegjësie si policia dhe prokuroria?

Kjo është një sëmundje e vjetër në strukturat e Ministrisë së Brendshme. Dua ta lidh përsëri me parandalimin dhe zbulimin e veprave penale, duke mos u punuar aspak për parandalimin e veprave penale. Në momentin që ndodh një krim i lehtë në një zonë, inspektori i zonës për shkak të pamundësisë për ta zbuluar dhe me qëllim që të mos ketë një numër të lartë të veprave penale, nuk e regjistron si procedim dhe nuk ja nis materialet prokurorisë për veprime të mëtejshme. Ka raste kur vet polici i është drejtuar qytetarit duke e pyetur nëse për veprën penale do të bëhet ose jo kallëzimi. Kjo ka disa anë negative. Së pari autorët që kanë kryer një vepër penale krijojnë siguri në vetvete se janë të pakapshëm dhe se veprimet e tyre nuk u zbuluan nga policia, gjë që i inkurajon për të rritur aktivitetin e tyre kriminal. Nga ana tjetër i dëmtuari nga vepra penale kur e shikon se nuk u zbulua ngjarja humbet besimin tek strukturat e policisë dhe në raste të tjera po qe se i ndodh një ngjarje tjetër, nuk shkon më për të bërë kallëzim pranë policisë pasi e quan kohë të humbur. Sot kemi shumë vepra penale që nuk raportohen nga të dëmtuarit dhe shumë të tjera që vet punonjësit e policisë i fshehin, nuk i raportojnë. Akoma sot nuk ka një sistem të unifikuar statistikash megjithëse është kërkuar dhe nga partnerët tanë ndërkombëtar në institucionet e policisë. Një ndër faktorët më të rëndësishëm që sot kemi një rritje të kriminalitetit dhe rrjedhimisht rritje të pasigurisë tek qytetarët, vjen nga mungesa e bashkëpunimit të institucioneve .Si mund të flitet për bashkëpunim midis prokurorisë dhe ekzekutivit ku të gjithë shqiptarët e kanë parë se si u sulmua prokuroria në ngjarjet e 21 Janarit, apo ku në krye të Policisë Kriminale kemi drejtues të akuzuar për vepra penale të kontrabandës dhe të dyshuar se kanë bashkëpunuar me krimin.

Opozita ndërpreu marrëdhënien e kushtëzuar me parlamentin duke iu rikthyer punës së komisioneve dhe të seancave plenare. Cila do të jetë strategjia e deputetëve të PS për çështjet që janë të ndjeshme për publikun siç është drafti për SHISH-in etj?

Në Komisionin e Sigurisë deputetë të PS u kanë dhënë mbështetje të gjitha institucioneve të sigurisë kombëtare dhe do të vazhdojmë tu japim me qëllim që të krijojmë institucione të pavarura dhe ti kthejmë ato në shërbim të qytetarëve dhe jo qeveritarëve. Unë mendoj që ka ardhur koha që institucionet e sigurisë kombëtare të mos shihen si institucione të izoluara, por të jenë sa më transparente me publikun .Ne do te marrim nisma parlamentare për të përmirësuar kushtet e punës së punonjësve të këtyre institucioneve, të rritjes së nivelit të jetesës rritjes së pagave, dietave e shpërblimeve për të krijuar një figurë të një punonjësi dinjitoz dhe në shërbim të qytetarëve.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›