E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dokle: Do ta çojmë deri në fund aksionin tonë

01/02/2010  PS mesazhe të qarta për kundërshtarin e saj
“Do të plotësojmë kërkesat me rrugë ligjore apo me protesta demokratike”
Partia Socialiste nuk resht së shigjetuari kundërshtarin e saj politik. Kështu, kritikat dhe akuzat e kësaj partie për mazhorancën qeverisëse vijnë e bëhen dhe më të ashpra pas qëndrimit të Këshillit të Evropës, qëndrim i cili komentohet nga kampet politike në mënyra të ndryshme.
Ndërkohë, ndalur tek kampit rozë, dje ishte deputeti i PS-së, Namik Dokle, ai i cili gjatë një deklarate për shtyp i mëshoi me forcë faktit se PS-ja nuk do të tërhiqet nga kërkesa e saj për hapjen e kutive, dhe për të argumentuar këtë qëndrim u rimor dhe një herë tjetër rezoluta e Asamblesë Parlamentare e KiE-së. “Çdo ditë e më shumë po shtohet numri i faktorëve shqiptarë e ndërkombëtarë, që pohojnë se Shqipëria ndodhet në një krizë politike dhe se nevojitet në mënyrë urgjente zgjidhja e kësaj krize përmes dialogut. Përfaqësues të Këshillit të Evropës jo vetëm ritheksuan këtë fakt, që gjendet shkruar e bardhë mbi të zezë në rezolutën e miratuar në Asamblenë Parlamentare, por paralajmëruan se kjo krizë rrezikon të marrë përmasa edhe më të rrezikshme me pasoja të rënda për vendin, nëse partitë politike neglizhojnë të angazhohen në bisedime”, vlerësoi Dokle gjatë fjalës së tij. Madje, duke shkuar më tej me këtë deklaratë, deputeti socialist, shtoi se “hipokrizia politike dhe mashtrimi mediatik i krerëve të Qeverisë, Kuvendit dhe Partisë Demokratike, shumë shpejt zuri vendin e fjalëve të tyre përshëndetëse për rezolutën e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës. Asambleja konfirmoi krizën politike të shkaktuar nga Qeveria, kurse ata gëlltiten për ta mohuar. Ajo kërkoi hetimin e zgjedhjeve, kurse ata dredhojnë nëpër labirinte pa rrugëdalje”. Në gjykimin e selisë rozë, mazhoranca nuk bën gjë tjetër veçse priqet të ndryshojë qëndrimin e faktorit ndërkombëtar.
“Asambleja do të dërgojë komision monitorimi për zgjidhjen e krizës, kurse ata ngrenë barriera për të fshehur të vërtetën. Asambleja kërkoi dialog në tryezën politike të Presidentit, kurse ata përpiqen ta shumëzojnë me zero e ta bëjnë inekzistent me presione te ndryshme”, nënvizoi Dokle. Për këtë arsye, deputeti socialist deklaroi prerë se nuk ka kthim pas në rrugën e kësaj partie. “Përmes kryetarit të PS-së, jemi shprehur të gatshëm për të qenë pjesë e një tryeze negociatore me praninë e Presidentit, por deri më tash ky vullnet nuk është parë nga Partia Demokratike. Me rrugë ligjore apo me protesta demokratike, opozita do ta çojë deri në fund aksionin e saj politik dhe emancipues, do ta çojë deri në fund realizimin e kërkesave të saj për hetim dhe transparencë të plotë të procesit zgjedhor në kuti dhe jashtë kutive, për t’i dhënë fund një herë e përgjithmonë manipulimit dhe vjedhjes së zgjedhjeve, që është kthyer në një kancer për demokracinë”, vuri në dukje Dokle gjatë fjalës së tij, lidhur me një moment të tillë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›