Ari i Shqipërisë në depozitat e huaja, 7,446 milionë lekë
01/02/2010 Deri në nëntor 2009
Rivlerësimi i arit shqiptar në depozitat dhe llogaritë në bankat e huaja ka sjellë një diferencë pozitive prej 1,095 milionë lekësh në muajin nëntor 2009, në krahasim me muajin tetor të po të njëjtit vit. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, më 26 nëntor 2009, vlera e arit të vendosur në depozita dhe llogari rrjedhëse në bankat e huaja, ishte 7,446 milionë lekë, ndërsa në tetor 2009 vlera e arit ishte 6,699 milionë lekë. Ari dhe metale të tjera të çmuara të përfshira në aktive vendase përfshin gjendjet e arit jomonetar, platinit dhe të argjendit në kasafortë, të vlerësuara me kursin e këmbimit fiks të Londrës në datën e bilancit, me një shumë totale prej 3,531 milionë lekësh, e cila në tetor 2009 ishte 3,183 milionë lekë. “Diferenca pozitive prej 1,095 milionë lekësh, e cila në tetor 2009 ishte diferencë pozitive prej 479 milionë lekësh, rezulton nga rivlerësimi i arit i regjistruar në rezervën e rivlerësimit për muajin nëntor ‘09”, - thekson Banka e Shqipërisë. Po kështu, deri në nëntor 2009, ari dhe metale të çmuara në kasafortë kapin një vlerë prej 3,531 milionë lekësh, shifër kjo më e madhe krahasuar me tetorin e vitit 2009, kur ajo ishte vetëm 3,183 milionë lekë.