E Diel, 1 Nëntor 2026

Shkëndija elektrike djeg në gjumë të moshuarin

01/02/2010  Rëndë bashkëshortja
TIRANE- Një 65-vjeçar ka humbur jetën, ndërsa bashkëshortja e tij vazhdon të luftojë me plagët e mara si pasojë e rënies së zjarrit në banesën ku ata jetonin. Viktima quhet Pajtim Zeqo nga Tirana, i cili gjatë rënies së zjarrit ishte duke fjetur në shtëpinë e tij, që ndodhet pranë “Shkollës së Kuqe” në rrugën “Qemal Stafa”. Policia tha se vdekja e 65-vjeçarit ka ardhur si pasojë e flakëve që kanë përfshirë ambientet e brendshme të shtëpisë dykatëshe. Zeqo nuk ka mundur të largohet, për shkak se ai ishte i paralizuar nga këmbët dhe për pasojë gjeti edhe vdekjen e hidhur. Përpjekjet e bashkëshortes për të nxjerrë nga flakët 65-vjeçarin, kanë qenë të kota, pasi rrëzimi i disa pjesëve të çatisë që digjej i kanë shkaktuar asaj, plagë të rëndë si dhe djegie të shumta. Flakët e mëdha kanë izoluar brenda shtëpisë të moshuarën, mirëpo ka qenë ndërhyrja e shpejtë e komshinjve, të cilët kanë mundësuar nxjerrjen e saj nga zjarri. Ajo është dërguar në repartin e djegieve në QSUT, ku i është nënshtruar mjekimit të bluzave të bardha. Megjithë masave të mara gjëndja e të plagosurës nuk është përmirësuar, pasi sipas mjekëve ajo është djegur në rreth 30 për qind të trupit. Çifti prej disa vitesh jetonte i vetmuar, pasi fëmijët e tyre ndodheshin në emigracion. Ndërkohë që lidhur me ngjarjen e rëndë është njoftuar policia, ku efektivat e Patrullës së Përgjithshme kanë shkuar menjëherë në vendngjarje. Fill pas tyre kanë mbërritur punonjësit e repartit zjarrfikës, të cilët të ndihmuar edhe nga reshjet e shiut kanë shuar flakët e zjarrit. Pas shuarjes së zjarrit policia ka gjetur në gërmadha, 65-vjeçarin e shkrumbuar Pajtim Zeqo. Burime nga policia thanë se shkak i kësaj ka qenë mbingarkesa e rrjetit elektrik të shtëpisë, e cila ka bërë masë dhe për pasojë ka sjellë tragjedinë e rëndë. Për të provuar këtë argument specialistët thanë se dy të moshuarit kishin ndezur një rezistencë për t’u ngrohur. Lidhur me këtë pistë ekspertë të energjisë kanë kryer veprime hetimore, nga ku kanë dalë në përfundimin se rrjeti i instalimeve të energjisë elektrike ishte tepër i amortizuar.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›