E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dokle: Hapja e kutive nuk prek vendimin e gjykatave



Pas dështimit të tryezës në Presidencë, socialistët pretendojnë se alibia e moshapjes së kutive për shkak të vendimit të gjykatave ka rënë. Deputeti socialist Namik Dokle shpjegoi dje objektin e hetimit të komisionit hetimor, sipas tij, i ndryshëm nga vendimi i kolegjit zgjedhor. "Që me takimin e parë ra alibia kryesore dhe e vetme e Partisë Demokratike dhe e Qeverisë për moslejimin e një hetimi të plotë dhe të pakufizuar. Alibia se hapja e kutive prek pavarësinë e gjykatave u shkërmoq. Objekti, gjetjet dhe raporti i komisionit hetimor të kërkuar nga Partia Socialiste nuk synojnë ndryshimin, rishikimin apo modifikimin e Kolegjit Zgjedhor, vendim i cili është përfundimtar i formës së prerë dhe i njohur me të gjitha efektet juridike prej nesh. Duke pranuar të gjithë rezultatin e zgjedhjeve dhe duke mos kërkuar ndryshimin e tij në tryezë. Objekti i shqyrtimit të Kolegjit Zgjedhor ka qenë krejt i ndryshëm nga objekti i hetimit parlamentar të kërkuar nga Partia Socialiste dhe grupi i saj parlamentar" tha Dokle. Socialistët u shprehën të vendosur t'i shkojnë deri në fund qëllimit të tyre për hapjen e kutive të votimit dhe rinumërimit te votave. "I bëjmë thirrje PD, Qeverisë dhe posaçërisht kryeministrit të reflektojë në kohën e duhur, pa vonesë dhe me seriozitetin që duhet të ketë maxhoranca e një vendi anëtar i NATO dhe aspirant për BE. Asnjëherë dhe askush nuk do mund të fshehë të vërtetën e zgjedhjeve", tha Dokle.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›