“Tryeza e dialogut, një martesë me mblesëri”
Kryetari i PSD-së Skënder Gjinushi e cilësoi tryezën e dialogut për zgjidhjen e krizës, si martesë me mblesëri. Këtë deklaratë Gjinushi e bëri në studion e "Ora News", ku tha gjithashtu se tryeza e dialogut e thirrur nga Presidenti Topi nuk është gjë tjetër veçse një fasadë dhe është e imponuar nga Këshilli i Evropës dhe ka një kornizë të përcaktuar nga Rezoluta e Asamblesë Parlamentare të KiE-së. Sipas tij kriza politike ka ardhur si pasojë e shkeljes së Kushtetutës së vendit. Ndërkohë, në lidhje me rolin e ndërkombëtarëve për zgjidhjen e krizës, Gjinushi theksoi se ata duhet të nxjerrin një mësim të parë që presioni nuk duhet të jetë për të kaluar momentin. Sipas tij janë imponuar shpeshherë zgjidhje jo kushtetuese nga ndërkombëtarët për probleme të ndryshme që janë krijuar në vend.