Rama: Kutitë, s’ka rrugë të mesme
Vlorë / Qemal Biraku
Kryetari socialist Edi Rama përsëriti dje nga Vlora se nuk do të heqë dorë nga transparenca e zgjedhjeve. Pas tryezës të së shtunës në Presidencë, Rama rinisi dje nga Vlora bashkëbisedimet me gazetarët dhe socialistët në salla të hapura. Në qendër të takimit të djeshëm ishin negociatat e së shtunës me Berishën dhe qëndrimi i palëkundur i PS-së për të hetuar deri në fund zgjedhjet e 28 qershorit. Në takimin e zhvilluar në kinoteatrin "Petro Marko", të pranishëm ishin dhe deputetët e qarkut të Vlorës dhe të Fierit, të cilët më parë kishin zhvilluar një takim me kryetarin socialist rreth negociatave me PD-në për zgjidhjen e krizës. Ashtu si dhe në takimet e tjera, edhe dje, Rama ka pritur dhe i është përgjigjur pyetjeve të gazetarëve të pranishëm në panel, duke qartësuar kështu pozicionin e PS-së në situatën e krijuar pas zgjedhjeve të 28 qershorit. Në fjalën e tij Rama u shpreh se ccështja e hapjes së kutive nuk është për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve, por vetëm për të treguar realitetin e zgjedhjeve të 28 qershorit si dhe në të ardhmen mos të përsëriten të njëjtat gabime që mund të jenë bërë në këto zgjedhje. Sipas tij, përsa i përket rezultatit të zgjedhjeve, ato janë fituar prej Partisë Socialiste dhe kjo duket më së miri nga ngurrimi i Partisë Demokratike për të hapur kutitë, të cilat fshehin të vërtetën në brendësi të tyre. I pyetur nga gazetarët rreth alternativave që ofron PS për zgjidhjen e krizës, Rama tha se "e vetmja rrugë është hapja e kutive dhe nuk ka rrugë të mesme pasi, në të kundërt, nëse nuk realizohet kjo gjë, protestat janë shumë afër", por, ai nuk iu përgjigj pyetjes se kur do të nisin këto protesta. "Ne jemi gati të japin ndihmën tonë për këtë krizë që nuk është vetëm politike por tashmë po ndihet edhe te familjet shqiptare, të cilat po ndiejnë shtrenjtimin e energjisë si pasojë e keqmenaxhimit të këtij sektori nga ana e qeverisë",- është shprehur Rama në përgjigje të pyetjeve të gazetarëve. Përfaqësuesit e mediave të pranishme në këtë takim, i kanë kërkuar kryetarit socialist të komentonte intervistën e fundit të parardhësit të tij, Fatos Nano në emisionin "Opinion". "Më mirë të flasim për ekipin e futbollit të Flamurtarit", ishte përgjigja e Ramës. Ndërsa i pyetur se ccfarë do të bëhet me deputetët që janë shprehur se do të hyjnë në Kuvend para 6 marsit, Rama tha se "nëse një gjë e tillë ndodh, ata nuk do të jenë më pjesë e PS-së". Kryetari socialist u shpreh i vendosur që PS nuk do të tërhiqet nga qëndrimi i saj dhe pse mund të bëhen diversione apo oferta të ndryshme. "Kemi parë shumë tentativa për diversion, për blerje deputetësh, por këto gjëra nuk mund ta zgjidhin dot krizën dhe as ta thyejnë dot Partinë Socialiste. Nuk ndodh që PS të dorëzohet dhe të thotë që kjo e drejtë nuk ekziston dhe nëse kjo e drejtë do të vazhdojë të mohohet, Partia Socialiste do të vijojë të jetë jashtë Parlamentit pavarësisht deklaratave që mund të japë njëra apo tjetra palë", u shpreh Rama. I pyetur rreth deklaratave të ministrit të jashtëm Ilir Meta për tryezën e Presidentit, Rama tha se "ai patjetër që mund të marrë pjesë në këtë diskutim, por vetëm në prehrin e Saliut". Kryesocialisti Rama u shpreh dje se PS nuk ndjehet aspak përgjegjëse nëse ndërkombëtarët mund të vonojnë procesin e liberalizimit të vizave. "PS është aq përgjegjëse sa përgjegjës ndihet një televizion lokal në Vlorë, pse nuk patën rezultat dhe fitime peshkatarët e qytetit".
Deklarata e Ramës në Vlorë
Hapja e kutive nuk është për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve Duam vetëm të tregojmë realitetin e zgjedhjeve të 28 qershorit dhe të ndalojmë në të ardhmen të njëjtat gabime Zgjedhjet e 28 qershorit janë fituar nga Partia socialiste Fitorja tonë e tregon ngurrimi i Partisë Demokratike për të hapur kutitë, të cilat fshehin të vërtetën në brendësi të tyre E vetmja rrugë për zgjidhjen e krizës është hapja e kutive, në të kundërt nisin protestat Tentativat për diversion dhe blerje deputetësh nuk mund ta zgjidhin krizën dhe as ta thyejnë PS Nëse na mohohet e drejta e hetimit të kutive, PS do të vazhdojë të qëndrojë jashtë parlamentit Nuk kemi asnjë përgjegjësi nëse vonohet procesi i liberalizimit të vizave Nano, më mirë të flasim për Flamurtarin Nëse deputetët e LMN futen në Kuvend, ata nuk do të jenë më pjesë e PS-së.