“Unë, dëshmitari në pushkatimin e Liri Gegës, ishin dhe Kadri Hazbiu e Feçor Shehu”
afrim imaj
Ata ishin tre. Të tre u pushkatuan për pesë minuta. I pari Petro Bullati. Pas tij Dali Nderu. Vetëm me dy breshëri automatiku. Pastaj qëlluan Liri Gegën me pistoletë te veshi. Ishte natë e binte shi. Një shi i paparë. S’ma do mendja të ketë rënë në Tiranë shi më i rrëmbyeshëm se atë natë...Njeriu që rrëfen e ka të vështirë ta çojë deri në fund ligjëratën dhe i duhet të ndalojë herë pas here për të verifikuar saktësinë e atyre që thotë. “Se nuk është e lehtë”, shpjegohet me zë të ulët duke përmendur vitet e pleqërisë që ka mbi supe dhe distancën e madhe nga ngjarja makabre. Sidoqoftë, Bedri Koka, dëshmitari 75-vjeçar i skenës së tmerrshme, pasi kapërcen hezitimin e çasteve të para, shfaqet bujar në rikonturimin e saj. I kanë trokitur më herët familjarët e viktimave dhe janë interesuar për vendvarrimin e tyre. Madje edhe këto ditë, kur është bërë publik zbulimi i varrezës në Lincë. “Jam munduar t’i orientoj me aq sa më kujtohet, por kjo nuk ka mjaftuar për të çliruar ankthin e tyre”, shton Bedriu. Sakaq duke ju referuar zhurmës mediatike për enigmat e eshtrave të gjetura rishtas në gjunjët e Dajtit, sqaron se vendi i ekzekutimit të Dali Nderut dhe Liri Gegës ndodhet në zonën pak më poshtë varrezës së porsazbuluar. Madje për këtë është katërcipërisht i bindur. Rrëfimi i tij fund e krye mbetet te momentet e pushkatimit. Për atë çka ndodhur më pas, dëshmon se nuk ka dijeni. Pra, detyra e tyre, sipas tij, përfundonte pikërisht aty. Me pjesën tjetër, me varrimin, me procedurat e mëtejshme, lë të kuptohet se merrej një ekip tjetër. Prandaj heziton të vërë piketat e të bashkohet me familjarët për të kërkuar te zona ku u bë ekzekutimi i tre martirëve...
Zoti Bedri! Në një dokument të zbuluar së fundi, bëhet e ditur se keni qenë i pranishëm në ekzekutimin e Dali Nderut dhe Liri Gegës. Së pari, a jeni në gjendje të kujtoni vendin e pushkatimit të tyre?
Si fillim desha të sqaroj rolin tim në atë operacion “sekret”. Aty nuk isha me cilësinë e prokurorit, as si pushkatar. Me urdhër dite isha caktuar shoferi i mjetit për transportin e të dënuarve dhe skuadrës së pushkatimit. Kuptohet, në këtë rast nuk bëhej fjalë për një shofer të thjeshtë, po njëri nga të besuarit e sigurimit që zgjidhej nga radhët e punonjësve të Ministrisë së Brendshme...
Gjithsesi, keni qenë prezent gjatë pushkatimit të tyre...
E keni fjalën për vendin e ekzekutimit. Diku nga rajoni i Lincës, afër zonës që u zbulua këto ditë, por pak më poshtë. Aty ku kanë filluar të ndërtohen pallatet e reja. Nuk mund ta përcaktoj me saktësi tani pas kaq vitesh, por jam i bindur se vendi i pushkatimit është ai. E theksoj vendi i pushkatimit, pasi mund të dëshmoj për aq sa kam parë me sy. Pushkatimi është bërë pikërisht aty. Sa për varrimin, unë nuk di gjë. E them këtë sepse puna jonë mbaronte me ekzekutimin. Pastaj ishin të tjerë që merreshin me punët e varrimit, me çështjet e tjera. Me sa di unë ka pasur procedura shumë rigoroze për raste të tilla, bile edhe skica për vendndodhjen e eshtrave të të pushkatuarve...
çfarë mbani mend nga operacioni për ekzekutimin e Dali Nderut dhe Liri Gegës...
Nuk kanë qenë dy, por tre të dënuar që u pushkatuan atë natë. Bashkë me Dali Nderun dhe Liri Gegës ishte dhe Petro Bullati. Diku para orës tetë të mbrëmjes i morëm nga burgu i “Brakës” afër “Mine Pezës”. Unë kisha në makinë Liri Gegën që rrinte në sedijen e pasme midis dy rojeve shtatlartë. Në vendin para ishte gjenerali Niko çeta. Në tre makinat e tjera pas nesh ishin të dënuarit e tjerë. Kolona mbyllej me makinën e Ministrit të Brendshëm, në të cilën ishte Feçor Shehu dhe Kadri Hazbiu...
Pra, në ekzekutimin e Dali Nderut dhe Liri Gegës ka qenë dhe Kadri Hazbiu e Feçor Shehu. Kishte ndodhur herë tjetër që krerët e lartë të Sigurimit të ndiqnin nga afër operacione të tilla?
Me sa di unë ky ka qenë rasti i vetëm. Bile atë natë kur morëm vesh praninë e tyre, na u duk si e çuditshme...
I njihnit në atë kohë Kadri Hazbiun e Feçor Shehun, apo dëgjuat nga të tjerët praninë e tyre në operacion?
Unë i njihja prej kohësh, pasi kisha vite me punë në Ministrinë e Brendshme. Kishte pasur raste që kisha zëvendësuar shoferin e ministrit, bile dhe atë të Enverit sa herë kishte ndonjë hall shoferi i tij. Atë natë Kadriun e Feçorin i kam parë nga afër. Jam përshëndetur me ta te vendi i pushkatimit. Dukeshin të zymtë në fytyrë dhe hera-herës të shpërqendruar në bisedë...
Kush u orientoi me drejtimin e lëvizjes dhe a e dinit më parë përmbajtjen e detyrës?
Urdhri parashikonte vetëm kohën e paraqitjes te burgu dhe asgjë më tepër. Ishte në logjikën e detyrave të tilla një lajmërim i tillë. Aty pastaj secili merrte porositë e rastit. Kur mbërrita te oborri i burgut, erdhi te makina gjeneral çeta dhe më njohu me misionin. Si futën brenda Liri Gegës, më urdhëroi të merrja rrugën e Dibrës. Ndeza makinën dhe u nisa. Frynte erë binte shi i rrëmbyeshëm. Shi si me gjyma. Rrugët e Tiranës ishin përmbytur si asnjëherë. Afër Mapos së Madhe (aty ku sot është disko Albania) për një çast makina u batua te një pusetë e hapur. Shpërtheu dera e pasagjerit dhe gjeneral çeta u përmbys në trotuar. Dola nga krahu tjetër dhe bashkë me njërin nga rojet e Liri Gegës i vumë supet kabinës, duke e nxjerrë makinën në rrugë. E rindeza dhe u nisëm përsëri. Diku, në afërsi të Linzës, ndaluam shpejtësinë. Aty ku fillonte një kthesë e fortë u kthyem majtas. U shkëputëm nga rruga kryesore dhe pasi bëmë disa metra në një rrugë të prishur ndaluam. Tre të dënuarit i zbritëm nga makina dhe i vendosëm përballë. Prokurori u lexoi vendimin e Presidiumit që nuk ja u falte jetën. Pastaj u komunikoi urdhrin për të lënë fjalët e fundit. Petro Bullatin e qëlluan të parin. Pas tij Dali Nderun. Vetëm me dy breshëri automatiku. Pastaj qëlluan Liri Gegën me pistoletë afër veshit.
çfarë thanë para pushkatimit
Petro Bullati protestoi me forcë. Sa i kërkuan fjalët e fundit shpërtheu me urrejtje: “Nuk keni të drejtë të më pushkatoni. Unë nuk jam shqiptar, por qytetar jugosllav. Vetëm shteti im ka të drejtë të më dënojë”. Po nuk deshi t’ia dinte njeri për fjalët e tij. Mjaftoi një breshëri automatiku dhe ra për tokë...
Po Dali Nderu e Liri Gega, çfarë thanë?
Dali Nderu foli si nëpër dhëmbë, por nga aq sa u kuptua ishte një porosi për fëmijët. “Të paktën mos u bëni gjë atyre”, tha ai. Ndërkaq, Liri Gega që e pati radhën e fundit për t’u pushkatuar, duke vështruar nga ekzekutori që i rrinte me pistoletë në dorë para syve u shpreh: “Mos e zgjasni më, po bëni detyrën. Ka marrë fund gjithçka!...”
Me se kishte të bënte përjashtimi i Liri Gegës nga pushkatimi me kallashnikov?
Nuk e di, por me sa mbaj mend ishte një porosi e drejtuesve të ministrisë për ta pushkatuar me pistoletë. Ndoshta nga që ishte femër.
A është e vërtetë që Liri Gega ka qenë shtatzënë kur u pushkatua?
Unë thashë që në këtë operacion, siç quhej atëherë, isha si shofer i thjeshtë. Pra nuk më thoshte njeri asgjë më tepër nga ç’mund të dëgjoja e të shikoja gjatë atyre çasteve te vendi i pushkatimit. Por mbaj mend që kur u rrëzua, ra mbi një shkurre që i grisi fustanin nga këmbët deri te fyti.
çfarë dinit më parë për motivin e dënimit të tyre?
Më herët kishim marrë vesh se Dali Ndreu e Liri Gega kishin dashur të arratiseshin në Jugosllavi. Në Konferencën e Tiranës ishin shpallur element antiparti, kundërshtar të Enverit dhe të Pushtetit Popullor. Kishim dëgjuar bile se Liri Gega kishte shkuar më tej, duke akuzuar krerët e udhëheqjes për imoralitet. Sa për Petro Bullatin, ish-kolonelin e Ministrisë së Brendshme me origjinë jugosllave, flitej se prej vitesh kryente shërbime të fshehta për spiunazhin e Titos. U atribuoheshin të gjitha të zezat, aq sa dhe plumbi të dukej pak për ta. Të tilla ishin kohët, por...
Kur u dha lajmi për pushkatimin e tyre në publik?
çuditërisht lajmi ishte dhënë çerek ore më parë se ne ti pushkatonim...
Si e morët vesh se lajmi ishte dhënë më herët nga ekzekutimi i tyre?
Thashë se pushkatimin e bëmë diku pas orës tetë të mbrëmjes. Kur shkova në shtëpi, time shoqe, që nuk e dinte ku kisha qenë, më tha se në orën tetë Radio Tirana kishte njoftuar pushkatimin e Dali Ndreut dhe Liri Gegës. U befasova. Ishte diçka e çuditshme me mënyrën si jepeshin lajme të tilla. Pra dikush lart në udhëheqje e ndiqte situatën në distancë dhe jepte lajmin e bujshëm, kuptohet pa u merakosur për saktësitë e orarit...
Keni qenë tjetër herë në operacione të tilla?
Kam qenë. Në të gjitha rastet në rolin e shoferit...
çfarë kujtoni tjetër nga historia e Liri Gegës dhe Dali Nderut?
Historia e tyre për mua u mbyll atje. Në atë kohë nuk të lejonte njeri të mendoje përtej linjës zyrtare. Madje, as që mund të më shkonte në mëndje se gjërat mund të ishin ndryshe. Ne iknim nga vendi i ekzekutimit, me bindjen se ishin asgjësuar armiqtë e pushtetit popullor, ata që na kishin shitur te jugosllavët.
Pra, nuk patët rast tjetër për t’ju kthyer historisë së tyre...
Pas disa ditësh, ma deshi puna të rikthehesha në familjen e Petro Bullatit. Kishte dalë urdhri për internimin e familjes së tij. Unë isha caktuar në grupin që do të bënte transferimin e saj nga Tirana. U futëm në shtëpi dhe u komunikuam urdhrin e komisionit të internim dëbimeve. Morëm plaçkat dhe i hodhëm në makinë. Kur po dilnim pashë drejtuesin e operacionit që zgjatej në faqe të murit për të hequr një fotografi të madhe. U afrova ta ndihmoj duke mbajtur karrigen mbi të cilën kishte hipur. Sa e shkëputi nga gozhda u kthye nga gruaja e Petro Bullatit dhe filli ta shajë: “Po ti moj shtrigë, na mbake dhe fotografinë e heroit!”. Ishte portreti i Vasil Shantos. “Mos kështu të lutem!”, gati ju përgjërua ajo. “Laj gojën kur zësh në gojë emrin e tij!”, u skërmit majori me kornizën e fotografisë në duar. “Ai është tim vëlla, miku i Enverit dhe Vojo Kushit. E dha jetën për vatanin”, sqaroi gruaja e Petro Bullatit me lot në sy. Një moment ngrimë në këmbë. Menduam se diçka nuk shkonte në këtë mes, por detyra nuk na lejonte të mendonim përtej saj. E morëm bashkë me fëmijët motrën e Vasil Shantos dhe e çuam në kampin e internimit. Gjatë gjithë rrugëtimit përgjegjësi i operacionit mbante në dorë fotografinë e heroit dhe herë pas here fliste me vete. Siç na tha kur po ktheheshim, në vitet e luftës, Vasil Shantua i kishte shpëtuar jetën në një betejë në periferi të Tiranës...
Liri Gega në gjyq: Kritikova udhëheqësit për punë grash
Kanë tradhtuar interesat e Partisë dhe kanë zhvilluar aktivitet armiqësor kundër pushtetit popullor! Kjo ishte aktakuza që i vuri para skuadrës së pushkatimit Liri Gegën, Dali Ndeun dhe Petro Bullatin. Në dokumentin e procesit gjyqësor, ka mbetur të pasqyruara rrethanat për të cilat penalizoheshin tre të pandehurit, që sipas versionit zyrtar, së fundi kërkuan të arratiseshin në Jugosllavi. Po çfarë ka mbetur tjetër e rregjistruar në dokumentin gjyqësor...
Të pandehurit Liri Gega, Dali Ndreu dhe Petro Bullati kanë zhvilluar aktivitet kriminal armiqësor kundra pushtetit popullor dhe PPSH-së. Kanë pasur për qëllim që me anën e rrëzimit të udhëheqjes së partisë dhe Qeverisë dhe me zëvendësimin e saj me elementë trockistë, oportunistë, devijatorë dhe karrieristë, të ndryshonin kursin e zhvillimit socialist të RPSH-së dhe t’ia nënshtronin vendin një shteti të huaj. Për realizimin e qëllimit kriminal, Liri Gega, Dali Ndreu dhe Petro Bullati kanë zhvilluar aktivitet të organizuar agjitacioni dhe propagande, si dhe kanë bashkëpunuar me funksionarët diplomatikë të legatës jugosllave në Tiranë, të cilëve u kanë kryer shërbime të ndryshme me karakter spiunazhi, si dhe i kanë furnizuar me informata me karakter sekret. Të pandehurit kanë grumbulluar rreth vetes elementin antiparti dhe antipushtet, si dhe me propagandën e tyre armiqësore kanë helmatisur elementë të lëkundshëm, që nuk e kanë pasur të qartë politikën e drejtë të partisë dhe Qeverisë. Liri Gega dhe Dali Ndreu, sidomos në ditët e para dhe gjatë zhvillimit të Konferencës të Tiranës, kanë zhvilluar aktivitet të theksuar agjitacioni dhe propagande, me qëllim për t’i dhënë konferencës karakter antiparti dhe antipushtet. Drejtimi kryesor i të pandehurve Liri Gega, Dali Ndreu dhe Petro Bullati ka qenë goditja e vijës dhe udhëheqjes së PPSH-së dhe Qeverisë të RPSh-së. Për të maskuar qëllimet e vërteta kriminale të tyre, për t’i gabuar njerëzit e thjeshtë, ata kanë dalë me flamurin e mbrojtjes së demokracisë dhe ligjshmërisë. Të pandehurit, duke shtrembëruar në mënyrë flagrante realitetin, me agjitacionin dhe propagandën e tyre janë munduar të paraqesin si fajtorë në mospërmirësimin e plotë të marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Jugosllavisë udhëheqjen e PPSH-së dhe qeverinë shqiptare. Me qëllim diskreditimi, të pandehurit kanë shpifur kundër udhëheqjes së partisë dhe qeverisë, duke shkuar në këtë drejtim deri në trillimin ose fyerjen dhe të evenimenteve të vogla me karakter personal. Në lidhje me këtë, e pandehura Liri Gega në hetuesi dhe para gjyqit pohoi: “Kam kritikuar udhëheqësit jo vetëm për çështje politike, por edhe në çështje personale, të thjeshta, çështje grash etj”. Ata kanë dalë me flamurin e rehabilitimit të elementit armik të goditur nga partia. Ata kanë kërkuar që të futen në radhët e PPSH-së dhe të zënë poste udhëheqëse në parti e qeveri, elementë të cilët për shkak të pikëpamjeve oportuniste, devijatore, trockiste, karrieriste etj., ishin të gatshëm t’i jepnin fund rrugës së lavdishme që ndjek populli nën udhëheqjen e PPSH-së. Kështu, i pandehuri Dali Ndreu ka pohuar në hetuesi: “Aktiviteti ynë synonte të hiqeshin masat që ishin marrë karshi nesh dhe të tjerëve, si p.sh kundra meje, Lirisë, Ramadan çitakut, Tuk Jakovës, Bedri Spahiut etj”. Të pandehurit Liri Gega e Dali Ndreu, kishin filluar punën për të bërë një rezolutë, e cila do të përmbante trillime dhe shpifje të ndryshme kundër udhëheqjes së PPSH-së. Ajo do t’i dërgohej BS nëpërmjet një përfaqësie diplomatike të huaje në Tiranë. Me anën e saj, ata mendonin të krijonin përçarje dhe ngatërresa midis vendit tonë dhe BS. Të pandehurit, nëpërmjet elementit antiparti që mbanin lidhje, kanë grumbulluar informata të ndryshme sekrete dhe i kanë dorëzuar funksionarëve diplomatikë. Gjithashtu, doli qartë se të pandehurit Liri Gega dhe Dali Ndreu, pas dështimit të veprimtarisë së tyre në Shqipëri dhe me qëllim për të vazhduar punën armiqësore, pasi kanë marrë aprovimin e funksionarit diplomatik Cvetozar Koçiç, kanë bërë vepra përgatitore për t’u arratisur në Jugosllavi...