E Shtunë, 31 Tetor 2026

Manjani: Hyj në Kuvend, po u miratua lista e dytë e PS



Aristir Lumezi

Anëtari i Asamblesë Kombëtare socialiste, Ylli Manjani, në një intervistë për "Panorama" shprehet se nuk do hezitojë të hyjë në Kuvend, nëse kërkohet lista e dytë e kandidatëve. Sipas tij, ai është më i votuar në qarkun e Dibrës. Zoti Manjani, në datën 6 mars sipas Kushtetutës, mbushen 6 muaj nga nisja e punës së Parlamentit, ndërkohë që deputetët e PS vazhdojnë bojkotin. Kryetari i PS, Rama është shprehur se mandatet e deputetëve nuk do të digjen. Edhe pse në mënyrë të përsëritur, duket se deputetët socialistë vazhdojnë të mbeten të paqartë nëse do të hyjnë në Kuvend për të bërë betimin, apo do të qëndrojnë jashtë duke pritur në këtë mënyrë veprimin e Parlamentit, për t'i pushuar atyre mandatin. Si e vlerësoni këtë situatë?
Kjo është pa asnjë diskutim situata më absurde që po kalon politika jonë e 20 viteve të fundit. "Politika e Re" e zotit Rama po provokon situata që as në shkollat e 100 viteve të fundit nuk studiohen më si raste teorike. Ajo që po ndodh është që një grup njerëzish që janë kryetarë partish, ku asnjëri prej tyre nuk është votuar si deputet, po kërkojnë të ndalojë 64 deputetë të votuar të kryejnë detyrën e tyre. Ky është kulmi i pengmarrjes së parlamentarizmit dhe të shtetit ligjor. Deklaratat ambiguide të zotit Rama, në lidhje me bojkotin dhe mandatet e deputetëve vijnë për shkak të faktit se ai vetë nuk beson te parlamentarizmi (ndaj dhe nuk u bë deputet), nga njëra anë dhe nga ana tjetër, nga presioni pozitiv që ka nga vetë deputetët, të cilët kanë mbetur "si peshku pa ujë" në një situatë që, as s'e kishin ëndërruar. Rama i frymëzuar edhe nga koalicioni i partive humbëse në zgjedhjet e fundit, është gati të djegë jo thjesht mandatet e deputetëve, por gjithë vendin. çështja e kutive të votimit është pa asnjë diskutim një taktikë politike që ai po përdor për të çuar vendin nga një krizë tek një tjetër. Kutitë, si të hapen, si të mos hapen, çojnë në thellimin e krizës në vend. Në kushtet e një krize të thelluar, Rama dhe grupi i tij i biznesit shpresojnë të marrin në dorë qeverisjen e vendit. Ky është plani i tyre. E parë në këtë këndvështrim, mendoj se asgjë nuk është më e rëndësishme për Ramën dhe grupin e tij, sesa marrja me çdo kusht e qeverisjes së vendit, pavarësisht kostove që do të duhet të paguajë Shqipëria dhe shqiptarët.
Hapje e kutive kërkohet për transparencë, apo për arsye të tjera?
Ato kuti janë pjesë e një procesi zgjedhor të menaxhuar ekskluzivisht nga Rama e Berisha. Ata miratuan Kodin, ndërtuan komisionet dhe miratuan rezultatin e zgjedhjeve 7 me 0. Nga ana tjetër, futja e biznesmenëve nëpër lista ( në pozicione të sigurta) u bë për të blerë vota dhe jo për të konkurruar me politika. Lista e PS-së ishte e mbushur me emra të tillë, apo jo? Rama thotë të ndalojmë korrupsionin zgjedhor duke hapur kutitë, ndërkohë që edhe pa i hapur kutitë, ai është i akuzuari kryesor për korrupsion elektoral, nëse nisemi nga përbërja e listës së deputetëve të Partisë Socialiste. Nëse ndalimi i korrupsionit është qëllimi i hapjes së kutive, mendoj se zoti Rama dhe gjithë zotërinjtë e tjerë kryetar partish, e kanë në dorë të mos përfshijnë më në lista deputetësh biznesmenë (për më tepër pa biznese). Nga kjo pikëpamje kutitë fshehin shumë të vërteta të hidhura, të cilat të hidhërojnë edhe kështu pa u hapur.
Kthehemi pak tek çështja e mandateve. Kushtetuta dhe Rregullorja e Parlamentit, a lë hapësira për të interpretuar djegien ose mosdjegien e mandateve, apo është një përcaktim i saktë dhe pa ambiguitet?
Që në krye të herës, kur kjo çështje lindi publikisht, kam mbrojtur pikëpamjen juridike se "mandati i deputetit humbet në momentin kur nuk bën betimin". Kjo është edhe gjuha e Kushtetutës. Nëse e lexojmë Kushtetutën thjesht logjikisht dhe gjuhësisht, atëherë do të bindeni në këtë që ju them, se mandati i deputetit bie kur nuk bën betimin. Dhe togfjalëshi "nuk bën betimin" është urdhëror dhe nuk kërkon asnjë arsye që të shërbejë si pengesë për të mos e bërë betimin. Ky formulim kushtetues vepron ftohtë dhe pa emocion, edhe në rastin kur deputeti vërtetë ka ndonjë hall shëndetësor. Edhe në këtë rast, mosbërja e betimit çon në humbjen e mandatit. Edhe kjo logjikë ka edhe sens historik, sepse koncepti i betimit është një moment solemniteti që shtetet e kanë shpikur për të rritur përgjegjshmërinë e përfaqësuesve. Imagjinoni që nën betim janë nisur ushtri në luftëra dhe jo më në Kuvend. Mirëpo si gjithmonë, politika jonë është shpikëse e zonja për të çeduar konceptet bazë të Kushtetutës dhe të shtetit. Si rregullorja, ashtu edhe Kodi Zgjedhor, u hartuan jo për të zbatuar Kushtetutën, por mbi situata imagjinare të sjelljes politike të kundërshtarëve. Të dyja këto ligje e tejkalojnë kuptimin kushtetues. Si të tilla, ato vijnë ndesh me Kushtetutën. Kjo ka bërë që Institucionet zbatuese të Kushtetutës të jenë të paqarta në zbatimin e saj. Në fakt, kushtetuta vetë është shumë e qartë. Nëse do të ishte zbatuar Kushtetuta drejtpërdrejt ( neni 4 i saj këtë kërkon) atëherë mandati i deputetit, që nuk bën betimin, ka mbaruar që ditën kur nuk u paraqit në seancën plenare që ishte caktuar për betim. Në këtë rast, KQZ-ja menjëherë cakton deputetin zëvendësues nga lista. Kështu funksionon shteti, nëse duam të jemi seriozë. Nëse duam të jemi karagjozë, siç është katandisur politika jonë, atëherë do të dëgjojmë shpikje dhe racionalizime të kësaj natyre që kemi dëgjuar tash 6 muaj.
Nëse Parlamenti do t'i kërkojë KQZ-së zëvendësimin e listës së PS, ju jeni i gatshëm të shkoni në Parlament dhe t'i bashkoheni deputetëve, një pjesë e të cilëve e kanë shprehur qartë se nuk do të djegin mandatin e tyre pas 6 marsit?
Faleminderit që ma bëni këtë pyetje, sepse më jepni edhe një herë mundësinë të sqaroj pozicionin tim në lidhje me këtë çështje. Zyrtarisht unë jam kandidat për deputet i Partisë Socialiste në listën e qarkut Dibër. Politikisht, matematikisht dhe moralisht, jam kandidati socialist më i votuar në këtë qark. Në KZAZ Bulqizë, ku unë isha caktuar të punoja, kam marrë 34% të votave, ndërsa kandidati i rrethit Dibër dhe Mat kanë marrë përkatësisht 29% dhe 30%. Ligjërisht këta të fundit janë deputetë, kurse unë jo. Nga kjo pikëpamje, nëse ka ndonjë njeri që ka keqardhje për mos përfaqësimin e elektoratit të majtë dibran në Parlament, ai jam unë, sepse siç ju thashë, kam qenë më i votuari dhe për pasojë kam më shumë detyrime politike për të kryer. Mirëpo zoti Rama, nuk më parazgjodhi mua, por humbësit e Dibrës për të përfaqësuar Dibrën. Ka edhe një fakt tjetër publik, që nuk duhet harruar se, në fushatë elektorale, kandidatët humbës (përmend këtu veçanërisht Qemal Minxhozin) u thanë popullit hapur e në mes të sheshit se "nuk e duan mandatin nëse nuk votohen". Pas zgjedhjeve, Qemali e harroi këtë premtim, si të gjitha të tjerat që kishte bërë edhe më parë. E bëra këtë shpjegim për të kuptuar se unë nuk kam asnjë arsye politike dhe morale të braktis politikën për të cilën jam votuar. Ligjërisht, sot e kam të pamundur ta kryej detyrën përfaqësuese, por në momentin që pengesa ligjore bie, pa asnjë diskutim, që do të jem në Parlament për të mbajtur premtimet që u kam bërë dibranëve, premtime të cilat sot nuk i mbaj dot, jo për fajin tim. Nga ana tjetër, duhet të kuptoni se jo mua, por asnjë përfaqësuesi të votuar, nuk mund të ndalin dot zotërinjtë (kryetar partish) jo deputetë, të kryejnë detyrën e tyre përfaqësuese. PS do të jetë në Kuvend pavarësisht vullnetit të Ramës dhe të të tijve.
Ditën e shtunë patëm një startim të negociatave mes kreut socialist dhe kryeministrit Berisha në Presidencë me ndërmjetësimin e Presidentit Topi. Si e gjykoni pozicionin e Presidentit përballë kërkesës së PS për hapjen e kutive të votimit, për të cilat është shprehur dhe Kolegji zgjedhor?
Tryeza e Presidentit është një gjë e mirë që duhet përshëndetur në dy plane; në planin që duhet të plotësojmë një kërkesë minimale të demokracisë, kërkesë e cila shpresojmë të na ndihmojë-për liberalizimin e vizave; dhe në planin politik, pasi i tërheq palët drejt të menduarit për zgjidhje dhe jo drejt udhëheqjes së turmave. Sa i takon rolit të Presidentit, unë mendoj se Presidenti e kreu misionin e tij edhe me kaq sa bëri. Kjo nuk është një krizë kushtetuese, por një krizë politike, për të cilat Presidenti nuk ka shumë në dorë. I takon palëve politike të tërhiqen nga pozicionet e tyre për të qetësuar situatën politike dhe për të shkuar drejt liberalizimit të vizave sa më parë. Ky është qëllimi i gjithë shqiptarëve këtë vit. Sa i takon zgjidhjes së krizës, unë nuk besoj se ajo do të zgjidhet me këtë cilësi lidershipi që ka dobësuar jetën e brendshme të partive politike. Kriza politike nuk vjen nga sistemi politik, por nga shkatërrimi i partive. Sistemi politik dhe zgjedhor që kemi pranuar kërkon parti, ekipe dhe alternativa dhe jo liderë egoistë dhe autoritarë që largojnë cilindo që shpreh një mendim kundër mendimit të tyre. Në kushtet kur partia zëvendësohet me Kryetarin, ekipet me servilët e kryetarit dhe alternativat janë njësoj në të gjitha krahët, sigurisht që kriza është prezente. Aq e vërtetë është kjo, saqë po të shohësh të dy kampet, nuk ofrojnë asgjë për të qenë. Fakti është se Berisha qeveris keq dhe fiton zgjedhjet, sepse Rama qeveris po aq keq dhe nuk di të fitojë zgjedhjet. Kjo është situata ku jemi. Prandaj dhe jemi në krizë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›