Dokle: Propozimet për Rregulloren, në paketën e ndryshimeve kushtetuese
Partia Socialiste synon zgjidhen e ngërçit të kri juar për reformën parlamentare me miratimin e paketës së ndryshimeve kushtetuese që ka paraqitur pak ditë më parë. Anëtari socialist i grupit të punës për këtë reformë, Namik Dokle, shprehet se dy çështjet, për të cilat nuk është arritur marrëveshje, koha e fjalës së Kryeministrit e kreut të opozitës dhe mënyra e zgjedhjes së anëtarëve të gjykatave do të vendosen me projektin e ndryshimeve kushtetuese. "Të dyja këto çështje, Partia Socialiste i ka përfshirë në paketën e saj të propozimeve për ndryshimet kushtetuese", - tha Dokle në një prononcim për "AS". Dokle sqaron se në rast se pranohet nga demokratët votimi i anëtarëve të gjykatave, asaj të Lartë dhe asaj Kushtetuese me shumicë të cilësuar në Kuvend, automatikisht bie kërkesa për votimin e tyre në mënyrë të fshehtë. "Në kuadër të ndërhyrjes në ligjin themeltar të shtetit për imunitetet duhet të shihen edhe këto ndryshime", - shton ai. Por një tjetër këndvështrim kanë për këtë çështje përfaqësuesit e mazhorancës. Deputeti i Partisë Demokratike, Jemin Gjana, thotë se hartuesit e Kushtetutës e kanë menduar kur i kanë lënë kryeministrit më shumë kohë në Parlament. "Opozita kërkon që në rregullore të shkruhet që edhe kryetari i opozitës e merr fjalën kur të dojë e sa herë të dojë. Tani ata që kanë hartuar Kushtetutën e kanë ditur që ne jemi në sistem demokratik kemi një kryeministër dhe një kryetar grupi, e kanë harruar? Jo. Kanë dashur në mënyrë të drejtpërdrejtë e të qartë që kryeministri që përfaqëson pushtetin ekzekutiv t'i japi të drejta më shumë se kujtdo tjetër", - deklaron Gjana. Deputeti i PD-së kundërshton dhe kërkesën e PS për votimin e fshehtë të emrave që propozohen për Gjykatën e Lartë dhe Gjykatën Kushtetuese. "Nuk votohet për emrin, por për dekretin, edhe në rastin e gjykatës Kushtetuese dhe asaj të Lartë. Siç votojmë dekretin e presidentit kur emërohet kryeministër kur emërohen ministra, nuk votojmë emrin e ministrit, por votojmë dekretin e presidentit, ky është koncepti bazë e parimor. Kemi insistuar tek kjo edhe për ta bërë qëndrimin e parlamentarëve sa më transparent e sa më të qartë edhe për efekt të një leximi të qartë herë pas here të pazareve që bëhen deri në Parlament, kur vjen puna për të votuar në mënyrë të fshehtë", - shprehet Gjana.