Kur Rajkardi pyeti për Debatik Currin

Bledar KUKA- Kur ai kalon nëpër rrugët e Poltavës me BMË-në e tij me numrat "4433", nuk mbetet pa u pikasur. Debatik Curri është bërë si një djalë i këtij qyteti ukrainas, jo vetëm një nga udhëheqësit e skuadrës vendase, Vorskla, por edhe pjesëtar i "legjionit VIP" të Poltavës. "Debi" ftohet nëpër emisione si njeri i respektuar si dhe e gjen shpesh nëpër vende kulturore të qytetit.
Mediave ukrainase nuk i ka shpëtuar pa e skanuar dhe pa i mësuar pëlqesat (hobit), që janë të shumta përtej futbollit. "Si një mysliman ai nuk e ha mishin e derrit, - shkruan "ua-footballi", - por në vend të tij përgatit (apo i përgatisin) ushqime të tjera shumë të mira". Por kosovari e pati problem për një kohë të gjatë kuzhinën ukrainase që ndryshon aq shumë nga ajo shqiptare dhe ushqime shqiptare në Ukrainë është vështirë të përgatiten.
Duke kaluar nëpërmjet ushqimeve të shpejta, tip mekdonalds, Debi më në fund ra në dashuri me "borshin" e famshëm ukrainas apo edhe gjellë të tjera dhe kuzhina nuk mund të quhet më problem për djaloshin shtatlartë dhe të fuqishëm.
Veshja e tij është tipike e lirshme urbane me pantallona xhins dhe bluza "T" sportive. Shqiptari, duke pasur parasysh edhe pagesën e tij të mirë, nuk preferon cfarë do marke. Në mos "Couture", të paktën të ketë marka origjinale "Dolce & Gabbana", "Ferre" apo "Versace". Këpucët mund të jenë "Cavalli" dhe figura e tij prej 1.88 metrash shtatlartë nuk kalon pa rënë në sy. Sot në Poltavë ka shumë miq që e admirojnë edhe për talentin që ka si futbollist, jo vetëm për cilësitë njerëzore.
Pas ndeshjes Holandë-Shqipëri (2-1), ku Curri realizoi golin e vetëm të skuadrës së Baricit, mediat elektronike në Ukrainë shkruan se vetë trajneri i Barcelonës (tashmë "ish") Frenk Rajkard pyeti për numrin 24 të shqiptarëve. Më tej nuk dihet se cfarë ndodhi vetëm se Debatiku pohon se nga Europa pati mjaft interesim për të. Presidenti i Vorsklës, Oleg Babajev, arriti ta bindë me vështirësi lojtarin kyc të skuadrës që të vazhdonte të paktën edhe një sezon në Poltavë.
Ai ka rreth 3 vjet në Ukrainë, që kur klubi ukrainas pagoi 100 000 euro për të tek KF Prishtina në Kosovë. I mësuar edhe me dëborën dhe të ftohtin e madh, që në Kosovë ekzistojnë por jo aq therës, "Debi" nuk nxitohet për të ardhmen. Themelore për të është të qenit serioz dhe i qëndrueshëm, të tjerat do të vijnë vetvetiu. Për Oto Baricin ai dhe Lorik Cana ishin më të mirët që kishte skuadra shqiptare. Cana sot është në Marsejë, tek një nga kampionatet më të fortë të botës dhe bëhet gati të kalojë në Angli ose në Spanjë. Po Debatik Curri? Nuk besohet se do të vonojë shumë për të ndjekur hapat e Lorikut.
22 shtator 2008