E Diel, 1 Nëntor 2026

“Sheqim dorë nga bojkoti, drejt organizimit të protestave”

25/09/2009  Rama thërret aleatët në PS

Krerët e majtë intensifikojnë qëndrimin e tyre. Veç bojkotit ndaj Kuvendit priten të tjera zhvillime brenda këtij kampi. Në një takim zhvilluar në selinë rozë drejtuesit e PSD-së, PDS-së, PBDNJ-së dhe “G-99”-s kanë diskutuar për situatën politike në vend si dhe për hapat që do të hedhë në të ardhmen e majta, si në zhvillimet brenda saj, ashtu dhe në oponencën ndaj mazhorancës qeverisëse. Krerët e majtë, Skënder Gjinushi, Paskal Milo, Vangjel Dule dhe Erion Veliaj, u thirrën dje nga kreu në detyrë i Partisë Socialiste, Edi Rama, për të diskutuar dhe bashkërenduar qëndrimet dhe veprimet e mëtejshme që do të ndërmarrë koalicioni i drejtuar nga kjo parti në të ardhmen. Burime pranë këtij takimi bënë me dije se në qendër të bisedës ishte pikërisht diskutimi për mënyrën se si e majta do të vijojë të zhvillojë oponencën e saj ndaj institucioneve të dala nga zgjedhjet e 28 qershorit. Duke u ndalur në një çështje të tillë, krerët e majtë kanë vendosur të mos tërhiqen nga bojkoti ndaj Parlamentit. Madje, mësohet se gjatë këtij takimi është diskutuar dhe ndërmarrja e hapave të mëtejshëm, përfshirë dhe organizimin e protestave qytetare në të gjithë vendin. Ndërmarrja e hapave të tillë në gjykimin e krerëve të majtë bazohet konkretisht në mbështetjen që jep vetë baza e këtij kampi. Ndërkohë po sipas këtyre burimeve, ka qenë vetë kreu në detyrë i PS-së, Edi Rama, që gjatë takimit me aleatët e tij ka sqaruar lidhur me turin në kuadër të fushatës zgjedhore brenda kësaj partie për kreun e ri të saj. Por referuar një çështjeje të tillë, Rama u përcolli drejtuesve të partive të koalicionit të majtë mbështetjen e marrë nga anëtarësia socialiste për të vazhduar jo vetëm linjën aktuale zyrtare të PS-së për të bojkotuar Kuvendin, por mbështetja e tyre do të jetë për të gjitha vendimet e marra nga kupola rozë. Përfshi këtu dhe organizimin e protestave, ide e cila, sipas Ramës, është hedhur dhe nga baza socialiste, që ngulmon në ndërmarrjen e një hapi të tillë. Gjithashtu mësohet se një tjetër çështje e diskutuar në këtë takim ishte dhe mënyra se si do të paraqitet kampi i majtë në të ardhmen. Megjithatë, pritet që të jenë takimet që do të zhvillohen në ditët në vazhdim pas përfundimit të procesit zgjedhor në PS ato që do të vendosin mbi modalitet e bashkimit të partive aleate në një federatë. Menjëherë pas takimit kreu i Demokracisë Sociale, Paskal Milo, ka deklaruar zyrtarisht qëndrimin e së majtës për të vijuar më tej bojkotin ndaj Parlamentit të ri të dalë nga zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit. Njëkohësisht, sipas tij, opozita do të vazhdojë bojkotin e Kuvendit deri në plotësimin e kushteve lidhur me këtë çështje. Gjithashtu kreu i PDS-s bëri me dije se “po punohet për të fuqizuar të majtën”.

Takimi në PS

Rama pret në seli ambasadorin suedez Freden

Kryetari në detyrë i Partisë Socialiste zhvilloi mesditën e djeshme një takim me ambasadorin e Suedisë në Maqedoni, Lars Freden. Takimi ka zgjatur rreth 1 orë dhe është zhvilluar në selinë e Partisë Socialiste. Pas përfundimit të këtij takimi asnjëri prej tyre nuk preferoi të bëjë publike temat e bisedës. Megjithatë, mësohet se pjesë e bisedës të ketë qenë pikërisht situata politike në vend, pikërisht zhvillimet më të fundit që kanë të bëjnë me qëndrimin e PS-së ndaj zgjedhjeve të 28 qershorit dhe bojkoti ndaj institucioneve të dala prej tyre. Sikundër dihet, një qëndrim i tillë ndaj Kuvendit, i kushtëzuar me plotësimin e kushteve të PS-së, nuk ka gjetur mbështetjen e faktorit ndërkombëtar, i cili ka kundërshtuar rrugën e bojkotit. Madje, jo në pak raste mesazhi i qartë i ardhur prej tyre në adresë të Partisë Socialiste konsistonte pikërisht në heqjen dorë nga një vendim i tillë dhe kthimit të saj në sallën e Kuvendit. Kjo nisur dhe nga sfidat e rëndësishme që ka përpara vendi ynë, drejt integrimit në Bashkimin Europian. Ndërkaq takimi mes ambasadorit suedez Freden dhe Edi Ramës merr një rëndësi të veçantë, pasi Suedia ka kryesimin e radhës së Bashkimit Europian.

PS e Shkodrës Lakrorit

“Tërhiqu nga gara, procesi është i dështuar”

Dega e Partisë Socialiste të Shkodrës ka dalë dje në një konferencë për shtyp në lidhje me vendimin e komisionit qendror të zgjedhjeve të PS-së, që solli zëvendësimin e dy komisionerëve që njihen si kundërshtarë të Ramës. Ka qenë vetë kreu i degës së kësaj partie në Shkodër Edip Shiroka që e vlerësuar këtë vendim të Ramës si absurd, pasi zëvendësimi i tyre bëhet vetëm dy ditë para zgjedhjes së kryetarit të ri dhe vetëm për shkak të mendimit ndryshe të këtyre komisionerëve. Nisur nga ky vendim, kryetari i degës së PS-së në Shkodër, Edip Shiroka, i bën thirrje kandidatit Maqo Lakrori që të tërhiqet nga gara, pasi do të ishte shërbimi më i mirë që i bën PS-ja në këtë proces zgjedhjesh për kryesinë e dështuar pa filluar akoma. Sipas Shirokës, tërheqja e Lakrorit do të ishte një shërbim i mirë për të gjithë socialistët dhe progresistët. Ndërkohë Shiroka ka denoncuar dhe zëvendësimin e dy komisionerëve. “Komisionerët Burhan Vajushi, nënkryetar i komisionit, dhe Agim Haliti, anëtar, njihen si përkrahës të Lëvizjes për Mendimin Ndryshe, që kryesohet nga Ben Blushi. Ata u zëvendësuan me Jetmira Kozmain dhe Genc Uruçin”, - tha Shiroka.

Beqja për procesin zgjedhor

“Zbardhja e së vërtetës kusht themelor”

Partia Socialiste përcolli dje fakte rreth deformimit të procesit zgjedhor të 28 qershorit. Kështu, deputeti socialist Ilir Beqja gjatë një deklarate për shtyp u ndal pikërisht te kërkesa e Partisë Socialiste për të hetuar dhe zbardhur të vërtetën e këtyre zgjedhjeve. “Përfaqësues të mazhorancës i përgjigjen kësaj kërkese me justifikimin se janë vënë në dispozicion të forcës tonë politike të gjitha filmimet e të gjithë procesit të numërimit të votave në Shqipëri. Edhe pse vendosja e kamerave dhe filmimi i procesit të numërimit u pa si një garanci shtesë për transparencë, dëshirojmë të sqarojmë opinionin publik se sot,kur Partia Socialiste kërkon të bëjë transparencë mbi procesin e numërimit të votave, filmimet e vëna në dispozicion nuk ofrojnë asnjë mundësi për të bërë transparencën e kërkuar”, - vuri në dukje Beqja lidhur me këtë çështje. Ndërkohë, duke i mëshuar më tej një çështjeje të tillë, deputeti socialist nënvizoi se “për 7 KZAZ Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve deri ditën e sotme nuk i ka vënë në dispozicion Partisë Socialiste asnjë minutë filmimi. Bëhet fjalë për filmime të vendnumërimit të votave në Durrës, në Elbasan, Peqin, Fier, Kukës, Laç, njësinë nr. 11 në Tiranë, ndërsa për dy prej tyre filmimet janë vetëm për 10 % të kohës së numërimit. Është fjala për Krujën dhe Beratin”. Sipas tij, për Beratin u kërkua edhe rinumërim të votave, por edhe filmimet në qendrat e tjera që janë vënë në dispozicion janë të paqarta, pa orientime të sakta dhe shpesh të padeshifrueshme se për çfarë qendrash votimi bëhet fjalë, duke e bërë krahasimin të pamundur. “Fakti që edhe kjo garanci për transparencë nuk ekziston, konfirmon edhe një herë jo vetëm drejtësinë e qëndrimit të opozitës, e cila mbështetet dhe në raportin përfundimtar të OSBE-ODIHR-it, në të cilin thuhet së procesi i numërimit të votave në 1/3 e vendnumërimeve ka qenë i keq ose shumë i keq. Zbardhja e së vërtetës së 28 qershorit është dhe do të mbetet një kusht themelor për garantimin e demokracisë në vend”, - deklaroi Beqja sa i takon kësaj çështjeje.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›