E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Kur të jemi pjesë e Evropës, do të marrim dhe monedhë evropiane”

25/09/2009  Ministri i Financave garanton qëndrueshmërinë e monedhës shqiptare

Ministri i Financave Ridvan Bode ka qetësuar qytetarët shqiptarë mbi konvertimin e monedhës shqiptare me atë të eurozonës, duke u kërkuar atyre të besojnë tek leku. Ndryshe nga sa deklaroi disa ditë më parë kryeministri Berisha, kreu i Financave gjatë seancës së djeshme deklaroi se adoptimi i euros është një proces i gjatë, proces që mund të përkojë me kohën e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Ndërkohë që kryeministri Berisha në një nga deklarimet e tij për mediet tha se ky konvertim do të bëhet shumë shpejt. “Procesi i adaptimit të euros është i gjatë dhe ka të bëjë me përpjekjet që bën Shqipëria e vendet e tjera për t’u integruar në BE. Sigurisht, kur të jemi pjesë e Evropës, do të marrim dhe monedhë evropiane. Tashmë ne jemi vend aspirant, por procesi i zëvendësimit me euro të lekut do të jetë shumë i gjatë. Dhe unë i ftoj të gjithë shqiptarët të besojnë te leku, sepse është monedha jonë dhe është monedhë e qëndrueshme. Më e qëndrueshmja në rajon prej një kohe shumë të gjatë. U bë një kohë më shumë se 10 vjet që dëshmon stabilitet, qëndrueshmëri në kohë në raport me kursin e këmbimit të euros dhe dollarit (dhe e dini që është mbivlerësuar në raport me dollarin dhe për një kohë dhe në raport me euron”, - tha Bode gjatë diskutimit në parim të disa ndryshimeve në ligjin “Për buxhetin e vitit 2009”. Lidhur me këtë projekt ministri i Financave shpjegoi se ky projektligj do të sjellë përmirësime të dukshme në përdorimin më efektiv të shpenzimeve publike dhe në vetë cilësinë e jetës së qytetarëve shqiptarë. “Ky buxhet suplementar do të rrisë shpenzimet në 17 miliardë lekë ose në 34, 5 % të GDP”, - tha Bode.

Votimi në Kuvend

Kuvendi miratoi në parim me 72 vota “pro” dhe atë të deputetit të PBDNJ-së Vangjel Dule “kundër” projektligjin “Për disa ndryshime në ligjin nr. 10025, datë 27.11.2008 “Për buxhetin e vitit 2009”. Për shkak të mungesës së deputetëve të opozitës në seancë, për ndryshimet diskutuan vetëm deputetët e mazhorancës

Kryetarja Topalli

Kryeparlamentarja Jozefina Topalli e cilësoi ditën e djeshme të rëndësishme për parlamentarizmin shqiptar. “Kjo ditë, kur diskutohet për buxhetin e shtetit, është e rëndësishme, në një kohë kur pas 2-3 ditëve do të organizohet një samit ndërkombëtar, ku do të shqyrtohet se cili do të jetë reagimi përballë krizës financiare botërore”, - tha ajo.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›