E Diel, 1 Nëntor 2026

Doktoraturat, miratohen 1367 kuota dhe tarifat

SHKRUAN: Jonida Tashi 03-11-2011 12:23

Tarifa e shkollimit për programet e studimeve të ciklit të tretë do të jetë 208 000 lekë

Miratohen 1367 kuota pranimi për studimet e Doktoraturës në universitetet publike, për vitin akademik 2011-2012. Kuotat e pranimit për kandidatët nga brenda territorit të vendit do të jenë 1203, dhe për kandidatët nga trojet jashtë kufijve 164. Vendimi është marrë dje nga Këshilli i Ministrave në mbledhjen e tij të radhës, i cili ka miratuar edhe tarifën e studimit, që do të paguhet me këste të përcaktuara nga universiteti. Sipas vendimit, tarifa e shkollimit për programet e studimeve të ciklit të tretë, të Doktoratës, për çdo institucion publik të arsimit të lartë do të jetë 208 000 lekë. Tashmë universitetet publike të vendit do të nisin procedurat e aplikimit për studimet e Doktoraturës dhe përzgjedhja e kandidatëve do të bëhet sipas rregullave të vendosura nga secili prej tyre. Ndërkaq, në studimet e Doktoratës do të pranohen kandidatë që kanë fituar diplomën universitare “Master i shkencave” ose “Master i arteve të bukura”. Këto programe të studimeve zgjasin të paktën 3 vite akademike dhe përfshijnë 60 kredite për studime të organizuara teorike. Ministria e Arsimit ka përcaktuar edhe kushtet e reja që duhet të plotësohen për marrjen e gradës shkencore “Doktor”, që do të jetë e revokueshme në çdo kohë dhe për çdo rast, që konstatohet plagjiaturë ose manipulim të dhënash në punimet e kandidatit. Sipas vendimit të miratuar edhe nga qeveria pak kohë më parë, gjatë periudhës së studimeve të Doktoratës, përpara paraqitjes në provimin e Doktoratës, studenti duhet të ketë plotësuar kushtet e mëposhtme: të ketë realizuar si autor i parë, së paku, tre referime ose paraqitje (poster) shkencore, nga të cilat dy referime ose paraqitje duhet të jenë mbajtur në veprimtari shkencore ndërkombëtare, në një vend të zhvilluar (simpozium, konferencë, kongres), të pranuara në bazë të një vlerësimi paraprak shkencor dhe të botuara në “Proceedings”, të indeksuara me kod ISBN-je. Lista e shteteve, në të cilat veprimtaritë shkencore ndërkombëtare dhe referimet e mbajtura ose paraqitjet (poster) shkencore do të njihen, miratohet me urdhër të ministrit të Arsimit dhe Shkencës, me propozim të Këshillit të Arsimit të Lartë dhe Shkencës dhe Konferencës së Rektorëve; të ketë botuar, si autor i parë, së paku tre artikuj shkencorë në revista shkencore. Së paku, dy prej artikujve duhet të jenë botuar ose pranuar për botim në revista shkencore të njohura perëndimore; të ketë përgatitur dhe paraqitur në Këshillin e Profesorëve të fakultetit disertacionin, së bashku me një përmbledhje, të miratuara nga udhëheqësi shkencor. Struktura e disertacionit dhe e përmbledhjes së tij përcaktohen në rregulloren e studimeve të Doktoratës. Të ketë dhënë provimin e gjuhës angleze, mbi bazën e testeve të njohura ndërkombëtare.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›