Zbardhet kontrata e re e energjisë, ERE kundër rritjes së çmimit
Ndryshojnë rregullat e faturimit dhe ankimimit. Bizneset, dy muaj garanci në bankë për dritat. Entela Çipa shpjegon detajet e kontratës së re që hyn në fuqi më 1 janar 2012
Konsumatorët shqiptarë duke filluar që nga 1 janari i vitit të ardhshëm do të kenë një kontratë të re të energjisë elektrike, e cila parashikon një sërë ndryshimesh krahasuar me atë ekzistuese. Në kontratën e re të energjisë janë parashikuar disa rregulla të reja që synojnë mbrojtjen e konsumatorit, duke filluar që nga leximi i sahateve, mbifaturimet, ankesat për këto të fundit, kamatëvonesat, ndërprerjet e energjisë elektrike etj. Drejtoresha e Zyrës për Mbrojtjen e Konsumatorëve pranë Entit Rregullator të Energjisë (ERE), Entela Çipa ka bërë të ditura dje në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Punës (KKP) të gjitha detajet e kontratës së re të energjisë elektrike, që do të hyjë në fuqi automatikisht në datën 1 janar të vitit 2012. Ndryshe nga kontrata në fuqi e furnizimit me energji elektrike që është miratuar nga ERE në vitin 2005, e që parashikon ndërprerje të dritave, kontrata e re përcakton furnizim të pandërprerë me energji. Çipa sqaron se kontrata e re siguron mbrojtjen e të dhënave personale, si dhe rastet kur CEZ mund të lejohet të bëjë leximin e tyre. Një tjetër element i ri është mënyra e pagesës së faturave të dritave, që sipas kontratës së re mund të paguhen nëpërmjet bankës, postës dhe zyrave të CEZ të shërbimit për klientët. Mënyrë e re është përcaktuar edhe për rastet e ankimit për konsumin e energjisë. Kështu, në rastet e mbifaturimeve, CEZ duhet të kompensojë brenda 2 muajve pasardhës konsumatorin. Kurse lidhur me abuzimet që bëhen me faturimin e dritave, sipas kontratës së re parashikohet pezullimi i pagesës dhe kompania CEZ duhet ta shohë këtë faturë me procedurë të përshpejtuar brenda 10 ditësh nga data e paraqitjes së ankesës. Ndërkaq, sipas kontratës së re, kamatëvonesa për mospagimin e faturës së dritave brenda afatit do të jetë 0.1% për çdo ditë nga 0.5 që është aktualisht. Një rregull i ri në kontratë do të jetë edhe ai për kontrollin e aparateve, që nuk do të bëhet më nga CEZ, por do të realizohet nga një ent i pavarur, i licencuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Meteorologjisë (DPM). Po ashtu, kontrata e re pritet t’i japë zgjidhje një problemi të rëndësishëm, sidomos për konsumatorët familjarë që banojnë në pallate, të cilët asnjëherë nuk kanë pasur mundësi që të shohin se sa janë realisht kw që ata harxhojnë çdo muaj, për arsye se sahatet e tyre duke filluar që nga kati i parë i apartamentit e deri tek i fundit janë të izoluara nga një boks hekuri, që e bën të pamundur verifikimin nga ana e tyre për atë që faturohet në faturë. Për këtë problem, në kontratën e re sigurohet akses i lirë në leximin e sahateve, dhe sipas ERE-s, kjo duhet të mundësohet po duke filluar nga data 1 janar 2012, ndërsa kompanitë e tjera kërkojnë që ky afat të shtyhet deri më 31 dhjetor 2012. Çipa shpjegon se për të realizuar këtë duhet që dera metalike e matësve që ndodhen në bokse kolektive të jetë e tejdukshme, në mënyrë që çdo konsumator të shohë se sa energji ka shpenzuar. Një tjetër risi e kontratës së re të energjisë është edhe pezullimi i përkohshëm i kontratës, siç janë rastet e familjarëve që largohen jashtë vendit, ose nga ata që i kanë banesat të mbyllura dhe nuk dëshirojnë të paguajnë as tarifën e këtij shërbimi. Ndërkaq, një tjetër element i ri në kontratë është rregulli i përcaktuar rishtazi për konsumatorët jofamiljarë, të cilët duhet të lënë dy muaj konsum si garanci bankare. Çipa shpjegon se kjo do të jetë në formën e një depozite bankare dhe është bërë për të mos pasur debitorë. Pas prezantimit të detajeve të kontratës së re të energjisë, përfaqësuesit e sindikatave të punëmarrësve dhe punëdhënësve kanë kërkuar me ngulm një përgjigje nga përfaqësuesja e ERE-s, nëse do të rritet apo jo çmimi i energjisë për vitin e ardhshëm. Për këtë çështje, Entela Çipa ka lënë të nënkuptohet se ERE nuk është pro rritjes, duke u shprehur se një kompanie private nuk mund t’i kundërvihemi më me fjalë, por me shifra konkrete për t’i kundërshtuar propozimet e tyre. Për këtë proces, ajo ka bërë të ditur se ERE ka një vit që ka nisur nga puna dhe tashmë është në fazën e analizimit të shifrave që propozojnë secila prej tri kompanive, OST, KESH dhe OSSH. “ERE ka vendosur fillimin e procedurave të aplikimit. Po analizojmë shifrat e sjella. Tri kompanitë kanë paraqitur propozimet e tyre për rritjen e çmimit. Janë ngritur 5-6 grupe monitorimi për çmimet e reja të energjisë. Në fund të muajit nëntor ERE do të organizojë seancën dëgjimore me grupet e interesit për rritjen e çmimit”, - deklaroi Çipa. Por, përfaqësuesit e sindikatave e kanë kundërshtuar këtë deklaratë, duke u shprehur se ERE nuk duhet ta niste këtë proces, pasi ata kanë një marrëveshje me qeverinë, sipas së cilës, çmimi i dritave nuk do të ndryshojë deri në fund të mandatit qeverisës. Kështu, debatit nëse do të rritet apo jo çmimi i energjisë elektrike për vitin 2012, duket se i vetmi institucion që do t’i japë fund do të jetë vendimi që do të marrë qeveria për miratimin ose jo të draftit të ERE-s, do të depozitojë në të.
Elementët e rinj të kontratës së energjisë
1.Mënyra e leximit të matësit të energjisë elektrike vjen me një dispozitë të ndryshuar dhe i siguron një mbrojtje më të mirë konsumatorit, ku përcaktohet qartësisht një matje mujore dhe afati i dërgimit të faturës tek konsumatori.
2.Një rregullim më i plotë i është bërë edhe mënyrës së pagimit të faturës së energjisë elektrike. Kjo dispozitë është përshtatur me kushtet e reja të tregut dhe shërbimeve, ku në mënyrat e pagesës së kontratës është shtuar edhe banka.
3.Përmirësim në këtë kontratë ka pësuar edhe procesi i ankimimit i faturimit të energjisë elektrike. I njihet e drejta çdo konsumatori të ankimohet për faturat që ai mendon se janë të parregullta. Gjithashtu është përcaktuar se për matje të parregullt, konsumatori do shpërblehet në 2 faturat pasardhëse.
4.Përpunimi i dispozitës për heqjen dorë nga kontrata, ku është saktësuar se klienti nuk është mbartës i asnjë detyrimi jashtë afatit të njoftimit me shkrim të furnizuesit për heqjen dorë nga kontrata. Në këtë mënyrë, konsumatori nuk është peng i veprimtarive të kompanisë.
5.Përpunimi i dispozitës mbi përcaktimin e çmimit, duke evidentuar se çmimi, përbërësit e tij, struktura tarifore e ndryshme orare, apo sipas nivelit të konsumit, i bëhen të ditura klientit në faturën e konsumit të energjisë elektrike.
6.Është rishikuar dispozita mbi leximin dhe faturimin e energjisë elektrike të klientit, duke vendosur afatet e leximit të matësit nga kompania dhe afatet e dërgimit të faturave klientëve.
7.Është përpunuar dispozita mbi penalitetet për pagesë të vonuar, ku është zvogëluar kamatëvonesa nga 0.5% në ditë në 0.1% në ditë. Kjo për të ulur detyrimin financiar konsumatorit dhe gjithashtu, sepse kamata që është një mjet shtrëngimi për shlyerjen e detyrimeve në kohën e duhur, kur është e lartë shkakton efektin e kundërt.
8.Është rishikuar edhe dispozita mbi ankimimet e faturave dhe më konkretisht e faturave që rezultojnë dukshëm më të mëdha se faturimet mesatare mujore të tij (trefish më i lartë se mesatarja mujore e vitit).
9.Gjithashtu parashikohet që për kWh të faturuara tepër dhe të pranuara nga furnizuesi apo ERE, bëhet zbritja në vlerën e faturës pasardhëse. Pra, vendoset një afat edhe për shlyerjen e vlerës së mbifaturuar.
10.Garantohet aksesi i lirë i leximit të matësit dhe sigurimi faturës on line.
11.Janë përcaktuar elementët përbërës të faturës, duke përfshirë në të rekomandimet sipas udhëzimeve të Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë në Vjenë.
12.Kontrolli i sistemit të matjes të klientit do të realizohet nga një ent i pavarur, i licencuar nga DPM.
13.Një formulim tërësisht i ri është dispozita mbi furnizimin dhe karakteristikat e energjisë elektrike.
14.Rishikim të rasteve të ndërprerjeve të energjisë elektrike. Këto raste kanë karakter shues, sipas praktikave dhe standardeve më të përparuara europiane. Gjithashtu, kjo dispozitë plotësohet me disa paragrafë në kuadër të miratimit të rregullores për cilësinë e shërbimit të shpërndarjes dhe shitjes së energjisë elektrike.
15.Në rast të moszbatimit të standardeve të mësipërme, furnizuesi është përgjegjës për kompensimin automatik të klientit mbi bazën e kërkesës së tij.
Elementët e veçantë të kontratës
Në dispozitat e kontratës, për herë të parë në nenin 5 pika 4 është përcaktuar edhe pezullimi i kontratës krahas ndërprerjes. Kjo dispozitë ka për qëllim dhënien e mundësisë për mosndërprerjen e kontratës për personat, që për një periudhë të caktuar nuk ndodhen në Shqipëri.
Gjithashtu, në nenin 8 kur nuk respektohet afati për vendosjen e matësit të rregullt, kjo përgjegjësi është e furnizuesit dhe faturimi tej këtij afati do jetë 0.
Për të vënë një barazi më të madhe mes palëve krahas penaliteteve të konsumatorit në rast mospagese në kohë, në kontratën e re është parashikuar që edhe furnizuesi do paguajë një penalitet 0.1% në ditë në rast vonese në kompensimin e konsumatorit për faturat e parregullta.
Ankesat, CEZ nis fotografimin e sahateve
CEZ Shpërndarje ka filluar fotografimin e matësve për gjithë ata abonentë që pretendojnë se ka gabime në leximin e konsumit të tyre. Zyra e shtypit e kompanisë CEZ Shpërndarje bën të ditur se në Tiranë që prej tre muajsh, kur një klient paraqet pranë qendrave të kujdesit ndaj klientit një ankesë në lidhje me saktësinë e leximit të matësit të tij, lexuesit janë të detyruar të bëjnë foto të atij matësi ku evidentohet gjendja aktuale e matësit. Më pas kjo foto, në mënyrë automatike dërgohet në sistemin qendror të të dhënave. Nga aty merret nga operatorët në Qendrën e Faturimit dhe bëhet verifikimi i të dhënave në sistemin e faturimit mbi konsumin e abonentit. Në lidhje me mënyrën e procedimit pas verifikimit të problemit, zyra e shtypit e CEZ-it sqaron se, “nëse rezulton se kontrata ka qenë e mbifaturuar, atëherë operatorët e faturimit bëjnë automatikisht korrektimin e faturës për të gjithë periudhën e gabimit dhe nëse rezulton se indeksi është i njëjtë me atë të faturuar më parë, i kthehet përgjigje abonentit”. CEZ bën të ditur se rreth 40% e ankesave që vijnë nga abonentët kanë të bëjnë me pretendime për pasaktësi në leximin e matësve, ndërkohë që në rreth 70% të ankesave për mbifaturim vërtetohet që pretendimi i klientit nuk është i saktë. Sipas CEZ-it, një fenomen në rritje është edhe paraqitja e ankesave për faturime të pretenduara gabim për periudhën 2007 dhe 2008, që janë në 50% të volumit të përgjithshëm të ankesave. Për gabime në futjen e të dhënave në PDA (Programi që CEZ Shpërndarje përdor për marrjen e të dhënave), kompania merr masa disiplinore dhe për lexime jokorrekte merret masa pushim nga puna e deri në ndjekje penale për punonjësit përgjegjës.
Ndërtuesit, kontratë të veçantë me CEZ
Ndërtuesit do të kenë një kontratë të veçantë me kompaninë e Shpërndarjes së Energjisë CEZ. Deklarata është bërë nga përfaqësuesja e ERE-s, Entela Çipa, e cila ka shpjeguar se për ndërtuesit do të ketë një rregullore tjetër. Përfaqësuesi i ndërtuesve të Tiranës, Avenir Kika është shprehur se në kontratën e re kërkesat e tyre të merren në konsideratë, si dhe të ketë një kontratë më vete për ndërtuesit. Sipas tij, në kontratën e re me kompaninë e ndërtimit duhet të ketë një leje dhe afat për ndërtimin e kabinave. Por, përfaqësuesja e ERE-s ka sqaruar se rregullorja për ndërtuesit është ende e hapur dhe jemi në kohë për të bërë rregullimet e mundshme. Përfaqësues të shoqatës së ndërtimit, biznesit kërkuan që ERE të përcaktojë në kontratë rolin si vëzhgues, pasi sipas tyre, raportet me CEZ-in kanë qenë të vështira dhe me dëme financiare në aktivitetet e tyre, siç është prishja e makinerive.