E Diel, 1 Nëntor 2026

Masterat, shtohen 563 kuota të reja pranimi

Shtohen 563 kuota të reja pranimi për programet e studimit “Master i shkencave”/”Master i arteve të bukura”, për aplikantët brenda vendit. Sipas vendimit të miratuar nga qeveria, kuotat e pranimeve të reja për programet e studimit “Master i shkencave”/”Master i arteve të bukura”, për aplikantët brenda territorrit të vendit do të jenë 6645 kandidatë nga 6082 që ishin më parë. Në vendimin nr.652, datë 14.9.2011, të Këshillit të Ministrave, qeveria me propozim të ministrit të Arsimit ka bërë disa ndryshime dhe shtesa. Kështu, kuotat e pranimeve në institucionet publike të arsimit të lartë, për programet e studimeve të ciklit të dytë, “Master i shkencave”/“Master i arteve të bukura”, për vitin 2011-2012 do të jenë 6966, ndërkohë që në vendimin e parë ishin 6676. Këto kuota do të ndahen si më poshtë vijon: kuotat e pranimeve të reja për programet e studimit “Master i Shkencave”/”Master i Arteve të Bukura” 6676; kuotat për programe të dyta studimi 100; kuotat për transferimin e studimeve 100; kuota për shtetas të huaj 50; kuotat për personat që nuk shikojnë 20; kuotat për romët/ballkano-egjiptianët 20. Tarifa totale e shkollimit për studentët që do të regjistrohen në vitin e parë, për të gjitha programet e studimit të ciklit të dytë, “Master Profesional”, si dhe për ato “Master i Shkencave”, do të paguhet e njëjtë, si në rastet kur kohëzgjatja normale e programit të studimit është 1,5 vite akademike për Masterin Profesional, apo 2 vite akademike për Masterin Shkencor, ashtu edhe në rastet kur programi i studimit zgjat më shumë, pasi është ofruar me kohë të pjesshme. Pagesa e tarifës do të bëhet me këste të përcaktuara nga universiteti, ndërsa pas përfundimit të kohëzgjatjes së paracaktuar të programit të studimit, studentët, të cilët nuk e kanë përfunduar ende programin përkatës, paguajnë vetëm tarifën për kredit të lëndëve të prapambetura.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›