Doktori, Piktori, dhe e keqja më e vogël
Eduard Zaloshnja
Titulli i këtij shkrimi është parafrazim i titullit që Fatos Lubonja i kishte vënë një artikulli të tij në gazetën “Korrieri”. Në fakt, e vetmja gjë ndryshe në dy titujt është fjala e fundit e tyre - “e vogla” e këtushme është “e madhe” te shkrimi i Lubonjës. Ai shkrim (si dhe vetë titulli), bazohej në një lojë fjalësh me maksimën politike “Të pranojmë të keqen më të vogël”. Dhe kjo nuk është hera e parë që Lubonja e sulmon këtë maksimë. Sipas tij, një opozitë dhe shoqëri civile reale nuk duhet të sulmojë personat që janë në pushtet, por sistemin politiko-ekonomik që ka hedhur rrënjë në Shqipëri. Sepse edhe kur personat në krye të pushtetit ndërrohen, argumenton Lubonja, simbioza e oligarkëve të biznesit me politikanët e fuqishëm mund të ndryshojë pak në formë, por mbetet e njëjta në substancë. Dhe 18 vjetët e shkuara ofrojnë, në fakt, shumë shembuj që i sjellin ujë të bollshëm këtij mulliri të Lubonjës.
Por historia e zhvillimit të një vendi ofron gjithnjë por-a pas argumentimeve si ato të Lubonjës. Kështu, 18 vjetët e fundit na japin edhe shembuj që tregojnë se ndërrimi i personave në krye të pushtetit ka sjellë një hop sasior e cilësor në zhvillim, pavarësisht se sistemi nuk është ndryshuar rrënjësisht. Kështu, korrupsioni, klientelizmi dhe lidhjet e errëta të biznesit me politikën nuk u zhdukën me ngjitjen e Ilir Metës në karrigen e Kryeministrit, por Shqipëria njohu një rritje ekonomike të admirueshme, ndërkohë që rrugët moderne filluan të shtrihen shumë përtej urës së Limuthit, vendit ku kishin ngecur deri në vitin 2000. Gjithashtu, ardhja e Ramës në krye të Bashkisë së Tiranës nuk e bëri Tiranën Kopenhagen, por i hapi rrugën asaj për një bum të paparë ekonomik. Dhe së fundi, ndryshe nga ç’deklaron Lubonja, ikja e Nanos dhe ardhja e Berishës në fuqi nuk ishte thjesht një vazhdim i status-kousë.
Meqë ardhja e Berishës në pushtet është më aktuale, le të merremi pak më gjatë me të. Së pari, ajo shënoi transferimin e parë paqësor të pushtetit që nga rënia e komunizmit. Dhe për një sistem demokratik nuk ka gjë më të rëndësishme se sa vetë alfa e sistemit - transferimi paqësor i pushtetit. Më tej, pavarësisht simbiozës politikë-biznes që vazhdon të mbijetojë nën hijen e Berishës, gjërat nuk janë njëlloj si në kohën kur qeveriste Nano. Kështu, gjatë qeverisjes së Berishës, rritja e të ardhurave nga doganat dhe tatimet - dy burimet kryesore për mbushjen e arkës së shtetit - është disa herë më e lartë se rritja ekonomike dhe rritja e çmimeve të marra së bashku. Gjë që tregon se biznesmenët nuk e kanë më aq të lehtë t’i fshehin mallrat apo fitimet e tyre. Në fakt, në tre vjetët e fundit, të zhdoganimi i mallrave të akcizës - karburant, cigare, kafe, etj. - është dyfishuar krahasimisht me tre vjetët paraardhës. Dhe kjo, jo sepse konsumi i tyre është dyfishuar, por sepse sistemi fiskal po funksionon më mirë. Një tregues tjetër që tregon se sistemi fiskal po punon më mirë është edhe rritja e ndjeshme e të ardhurave nga tatimi i shitjes së pronave të paluajtshme, si dhe përdorimi gjithnjë e më tepër i faturave fiskale.
Por a duhet të kënaqemi ne me sukseset e pjesshme të Metës, Ramës, e Berishës, ndërkohë që oktapodi politikë-biznes vazhdon të majmet nën hijen e tyre? Mendja ta do se shumica e shqiptarëve do dëshironte një sistem të pastër politiko-ekonomik, të bazuar vetëm në meritokraci. Por e keqja është se historia ka treguar që rruga drejt një sistemi të tillë është shumë e gjatë dhe me shumë kthesa.
Kështu, po të gërmosh në arkivat e gazetave amerikane të shekullit 19, do gjesh skandale shumë të shpeshta korrupsioni të elitës politiko-ekonomike. Vetë fuqizimi marramendës i “baronëve plaçkitës” si Rokëfeller, Morgan, Stanford, Karnegi, Hopkins, e shumë të tjerë, i pati rrënjët në mbylljen prej politikanëve të njërit sy e të njërit vesh. Në fakt, edhe sot po të shfletosh gazetat amerikane, nuk të rastis rrallë të lexosh për skandale korrupsioni të zyrtarëve shumë të lartë. Më i fundit ishte ai i senatorit super të fuqishëm të Alaskës, të cilit i ishte ndërtuar një vilë 250 mijë dollarësh në shkëmbim të aprovimit të një projekti fitimprurës për biznesmenin që i bëri “dhuratë” vilën. Ndërsa po ta hedhësh vështrimin më afër në kohë dhe hapësirë - në Italinë fqinje - 60 vjetët e fundit të ofrojnë shembuj të panumërt të një oktapodi politikë-biznes që majmet në kurriz të publikut, ndërkohë që vendi vazhdon rrugën e mundimshme të zhvillimit (Italia ka kohë që është pjesë e G7-ës, grupit të vendeve më të zhvilluara të botës).
Duke u kthyer në Shqipëri, shtrohet pyetja nëse, siç argumenton Lubonja, simbioza politikë-biznes është e keqja më e madhe aktualisht për ne. Unë do i përgjigjesha se është e keqja më e vogël. E keqja më e madhe për Shqipërinë do ishte në qoftë se zgjedhjet e 2009-ës nuk do realizonin transferimin e pushtetit në mënyrë paqësore për të dytën herë radhas, ose në qoftë se Berisha do mbetej në pushtet falë zgjedhjeve të kontestuara nga opozita dhe komuniteti ndërkombëtar. Kjo, sepse një palë zgjedhje të kontestuara apo, më keq akoma, të dhunshme do e zgjasnin drejt pafundësisë tranzicionin tonë nga diktatura në demokraci. Dhe demokracia ka treguar ndër shekuj se, pavarësisht nga ngadalësia e breshkës në purifikimin sistemit, arrin në finish më shpejt se lepuri i shpejtë i diktaturave, i cili, në garën proverbiale me breshkën, ia fut gjumit herë pas here në ndonjë hije peme.