E Diel, 1 Nëntor 2026

Qerimaj-shoë “kokëtullë”, i pari, por vetëm në Grupin B



E mërkura ishte një ditë e ndarë më dysh për olimpizmin shqiptar, midis gëzimit që solli peshëngritësi Erkand Qerimaj dhe trishtimit që prodhoi qitësja Lindita Kodra.
Peshëngritësi shqiptar Erkand Qerimaj bëri një paraqitje mbresëlënëse në Lojërat Olimpike të Kinës, duke qenë më i miri i grupit B në peshën 77 kg, në garën midis 14 sportistëve, por pa mundur të jetë një prej garuesve të grupit A, ku merrnin pjesë edhe pretendentët kryesorë për medalje. Shkodrani “kokëtullë’, i cili festoi para tri ditësh 20-vjetorin e tij në fshatin olimpik, ngriti në dygarësh 341 kg, duke zënë përfundimisht vendin e 13-të në Lojërat Olimpike, përfshirë dhe ata sportistët që morën pjesë në grupin A. Teksa kanë përfunduar garën të tre peshëngritësit shqiptarë në “Pekin 2008”: Qerimaj i 13-ti në peshën 77 kg, Trasha i skualifikuar qysh në stilin e shtytjes në peshën 69 kg dhe Romela Begaj e gjashtë në 58 kg, ia vlen të kujtojmë se rezultatin më të mirë në Lojërat Olimpike e ka arritur Ilir Suli, i cili zuri vendin e pestë në “Sidnej 2000” ne peshën 77 kg, me 162 kg shkëputje (Qerimaj, 154 kg) dhe 192 kg në shtytje (Qerimaj 187 kg). Gjithsesi gara e Erkandit ishte e bukur. “Për mendimin tim, si në pikëpamjen morale, fizike ashtu dhe teknike gjithçka kaloi mirë, - u shpreh Qerimaj për “TVSH”- në në linjë telefonike nga Pekini. “Arrita rezultatet edhe objektivat e mia. Jam shumë i kënaqur që ajo e bërë nuk më shkoi dëm. Dua të falënderoj dy trajnerët e mi Zef Kovaçi dhe si dhe trajnerin Genc Barkiçi, për punën që kemi bërë. Kjo është rezultat i një punë të madhe që kemi bërë. Jam i kënaqur me ato që arrita në garë”.
Në stilin e shkëputjes, nënkampioni i botës për të rinj në Kali të Kolumbisë (2008), ngriti me një teknikë të pastër fillimisht 145 kg, në provën e dytë 150 kg dhe në të tretën 154 kg. Në stilin e shtytjes, nëkampioni i botës për të rinj në Pragë (2007) e nisi me peshën 182 kg, për të vazhduar më pas me 187 kg, teksa dështoi në provën e tretë me 193 kg.
Gjithsesi edhe pse doli i pari në grupin B, 20-vjeçari Qerimaj, peshëngritësi i dytë shqiptar në “Pekin 2008”, pas Gerti Trashës (zhgënjeu në peshën 69 kg), nuk arriti të futej në zonën e dhjetë më të mirëve. Fituesi i medaljes së artë në peshën 77 kg, doli koreani Sa Jaehyouk, i cili ngriti në dygarësh 366 kg, po aq sa kinezi Li Hongli, por falë peshës trupore më të vogël, koreani fitoi medaljen e artë. Vendin e tretë e zuri armeni Devorg Davtyan me 360 kg.
Erkandi u paraqit me një “look” të veçantë, me kokën tullë, ç’ka mesa duket o kishte sjellë edhe fat. Erkandi pohoi duke qeshur për TVSH-në, se e kishte marrë vendimin për ta bërë kokën zero vetëm ditët e fundit. “Ishte shumë vapë këtu (në Pekin)”. Qerimaj kishte ndryshuar edhe mënyrën e ngritjes në stilin e shtytjes, duke mosaplikuar më kapjen në stil “gërshërë”. “Duke pasur parasysh edhe dëmtimet e tërheqjet e kohëve të fundit, aplikimi i tij doli se ishte shumë më i mirë, duke filluar nga stërvitja e deri te gara”. Qerimaj, ashtu si gjithë sportistët e tjerë, nuk harroi të falënderonte mjekun Merepeza për ndihmën e tij të pakursyer: “Ka ardhur nga Kanadaja me shpenzimet e veta dhe po na ri afër, duke na ka ndihmuar për të gjitha problemet. Duhet ta falënderoj”. Shefi i delegacionit olimpik shqiptar në “Pekin 2008”, Fidel Ylli tha: “Erkandi bëri një garë të shkëlqyer sot (dje), ku në gjashtë prova realizoi pesë. Mund të them, se jo vetëm i realizoi, por i bëri në një mënyrë të tillë, që i gjithë pallati i sportit u ngrit në këmbë dhe duartrokiti formën e shkëlqyer të Erkandit, pasi ishte shumë i plotë në të gjitha ngritjet, në aspektin teknik, shpejtësi, në të gjitha elemëntët që ka një kapje. Nëse Erkandi do të futej në dhjetë peshëngritësit më të mirë të peshës së tij, atëherë do të ishte një arritje e madhe për Shqipërinë, por megjithatë duhet të jemi të kënaqur se Erkandi e ka realizuar objektivin e tij, është në një formë të shkëlqyer dhe menjëherë sa të kthehemi në Shqipëri do të merremi të gjithë seriozisht me zhvillimin e një plani strategjik për të ardhmen, jo vetëm afatshkurtër që është Olimpiada ‘Londër 2012’ por edhe për Lojërat Olimpike të vitit 2016 apo 2020, në qoftë se ne duam që këto talente si Erkandi, Gerti (Trasha), apo sportistë të tillë se Elis Guri e Sahid Prizreni të marrin medalje. Duhet që tani të mendojmë për të ardhmen, jo të kujtohemi ditët e fundit”. Në muajin shtator do të zhvillohet në Shqipëri Kampionati Europian për të rinj, ku pa dyshim Qerimaj do të jetë pretendenti kryesor për të fituar titullin e kampionit dhe medaljen e artë.

Rezultatet e Qerimajt
Pesha 77 kg
Në stilin e shkëputjes: 154 kg
Në stilin e shtytjes: 187 kg
Dygarësh: 341 kg
Grupi B: 1
Renditja e përgjithshme: 13

Kodra, Pekini një “shëtitje e dështuar”

Lindita Kodra zhgënjeu përsëri, edhe në garën e saj më të preferuar, atë me pistoletë 30x30, apo 25 metra siluetë. Kampionia e Europës në Granada të Spanjës (2007) dhe vendin i katër në Kupën e Botës së zhvilluar në Pekin (2008), zuri vendin e 35-të nga 41 qitëse që morën pjesë. Kodra, e cila zuri vendin e 40 nga 44 pjesëmarrëse në disiplinë e 10 metrave ajër, grumbulloi në garën e 25 metrave me pistoletë precizion vetëm 283 pikë: 92 pikë në serinë e parë të gjuajtjeve, 94 në të dytën dhe 97 në të tretën. Spanjollja Sonia Franke, e cila fitoi edhe vendin e parë në kualifikuese grumbulloi 294 pikë: 97, 98, 99. Garën me gjuajtje të shpejtë, Kodra zuri grumbulloi 287 pikë: 98, 97, 92, ndërsa në total grumbulloi gjithsej 570 pikë.
Gjithsesi, në këtë disiplinë të qitjes 25 metra pistoletë ishte kinezja Ying Chen, e cila fitoi medaljen e artë (585 pikë, 783 pikë në përfshirë edhe gjuajtjet finale ), e ndjekur nga kongolezja Gundgema Otryad (argjend, 590, 792.2) dhe gjermania Munkhbajar Dorjsuren (bronz, 587, 789.2).
Objektivi i Kodrës në "Pekin 2008" ishte në pistoletë sportive grumbullimi i 580-583 pikë dhe klasifikimi në 8-10 vendet e para. Në pistoletë ajri grumbullimi i 382 pikëve dhe klasifikimi nga vendi 15-20, gjë që nuk u arrit në të dy disiplinat.
Gjithsesi, duhet pranuar fakti se Lindita Kodra riktheu sportin e qitjes në traditën e saj të suksesshme, ku pas rreth 20 vitesh një sportiste risjell titullin Kampione e Europës në Shqipëri. Qysh prej viteve '80, qitja shqiptare nuk kishte përjetuar më vonë asnjë sukses të tillë. Me shpalljen kampione e Europës në Kampionatin Europian të Qitjes me armë zjarri, që u zhvillua në Granadë të Spanjës më 22-29 korrik të vitit 2007, Lindita Kodra është e para sportiste shqiptare që siguron pjesëmarrjen e Shqipërisë në Lojërat Olimpike "Pekin 2008".

Kërcënon Romela: “Më ktheni kusurin, se ika”

Duket se kërcënimet e sportistëve elitarë janë kthyer në modë. Romela Begaj, peshëngritësja shqiptare, e cila ka arritur edhe suksesin më të madh të vendit tonë në Lojërat e Pekinit, vendi i gjashtë në peshën 58 kg, kërcënoi me largimin e saj nga Shqipëria, për të garuar në të ardhmen për flamurin e një shteti tjetër. 21-vjeçarja e stërvitur nga trajneri pasionat Hektor Shaqiri, falënderoi mjekun fizioterapist Merepeza, për ndihmën e këtij të fundit ndaj Begajt, e cila pa pasur disa probleme. “Nuk ishte maksimumi im, por në nivel olimpiade isha shumë mirë”, - është shprehur kampionia e Europës në stilin e shkëputjes për “Top-Neës”. Begaj, e cila konsiderohet si ikona e re e shtangës shqiptare, pas imazhit të prishur të Fetije Kasajt për shkak të përdorimit të substancave të ndaluara, theksoi se më parë ka pasur probleme me shpërblimet që jep qeveria për rezultatet pozitive, por se tani gjërat kanë gjasa të rregullohen. “Ministri i Sporteve na tha që shpërblimet janë gati, por unë nuk e di sepse shpërblimet e prapambetura nuk i kemi marrë ende”, - tha medalistja e argjendtë në dygarëshin e Kampionatit Europian të zhvilluar në Linjanjo të Italisë vetëm pak muaj më parë.
Romela me rezultatin e saj të jashtëzakonshëm në Kinë, vendi i gjashtë, teksa tetë vendet e para të renditjes konsiderohen sukses i madh, është në fokusin e vendeve më të pasura se Shqiëpria dhe që dëshirojnë të investojnë te sportistet që në të ardhmen mund t’u sigurojnë medalje, ashtu siç ka bërë më parë Greqia me Piro Dhimën, Luan Shabanin, Viktor Mitren apo Xhelilin.
Gjithsesi sirenave të vendeve të tjera, Begaj u është përgjigjur. “Nuk e di, kjo është një dilemë e madhe për mua. Shpresoj të më respektojnë për rezultatet dhe shpresoj të më japin diçka të mirë që unë të kem një shtysë për të qëndruar këtu (në Shqipëri), pohoi Begaj, peshëngritësja e parë shqiptare që mërr pjesë në një Olimpiadë. Begaj, nuk e përjashtoi mundësinë e largimit dhe konkurrimit për ndonjë flamur të huaj, ku si gjithmonë vendi i parë që shfaqet si alternativë është Greqia.
Romela, një nga peshëngritëset më të talentuara dhe e para femër e kualifikuar direkt në “Pekin 2008” ngriti në total 216 kg: 98 kg në shkëputje dhe 118 në shtytje, duke zënë vendin e gjashtë e duke lenë pas peshëngritëse polake, rumune e ekuadoriane. Në stilin e shkëputjes, Begaj arriti të njëjtin rezultat sa dhe vendi i dytë e i tretë, por pesha më e madhe trupore (57.56 kg), e ka renditur në vendin e katërt pas koreanoveriores O Jong, (57.15) dhe tajlandezes Uande Kameiam (57.25). Në stilin e shtytjes, Begaj ngriti 118 kg.
Pak kohë më parë edhe atletja Klodiana Shala, rekordmene në disa disiplina në garat e shpejtësisë, kërcënoi me largim, duke lënë të nënkuptohej se flamuri i saj i ardhshëm do të ishte Greqia, vend ku edhe rekordmenia shqiptare me 3 pjesëmarrje në Lojërat Olimpike stërvitet herë pas herë. Klodiana Shala do të garojë, më 16 gusht në 400 metra dhe prej saj pritet të përmirësojë rekordin kombëtar shqiptar.

MUNDJE
Guri me fat, egjiptiani me probleme

Mundësi shqiptar Elis Guri, fituesi i medaljes së bronztë në Kampionatin Europian në Tampere të Finlandës, do të garojë sot në peshën 96 kg në stilin mundje greko-romake. 25-vjeçari, vendi i shtatë në Kampionatin Botëror për të rritur në Baku të Azerbajxhanit do ta fillojë garën nga faza e 1/8, pasi është kualifikuar me rezultate të larta në disiplinën e tij. Elis Guri do të përballet me mundësin egjiptian Gaber Karam, dhe gjasat janë që sportisti ynë ta kalojë me sukses këtë fazë, pasi dhe kundërshtari i tij po kalon për momentin disa probleme fizike.

Not
Radha e Rovenës

Shqipëria të enjten do të prezantohet edhe me notin. 23-vjeçarja Rovena Marku, pjesëmarrëse edhe në “Athinë 2004”, do të garojë në 50 metra stil i lirë. Gjithsesi për pjesëmarrësen e kampionatit botëror “Melburn 2007” dhe e mbërritur me ftesë në Pekin, gara do të prodhojë vetëm emocione shqiptare, pasi për futjen e tetë më të mirave as që bëhet fjalë. Po në sportin e notit merr pjesë edhe 16-vjeçari Sidni Hoxha, i cili mere pjesë në garën e 50 metrave stil i lirë.

14 Gusht 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›