E Diel, 1 Nëntor 2026

Ryshfet turistëve, prangosen 2 policë

Arrestohen me akuzën e marrjes së ryshfetit nga turistët kosovarë dy punonjës të policisë së Pukës, që patrullonin në aksin rrugor të Qafës së Malit. 

Trazhgim Sokolaj

 Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm ka vendosur në pranga përgjegjësin e linjave Petrit Nikolli dhe kontrollorin e trafikut, Besnik Sokoli. Ata u arrestuan në orën 22:00 të mbrëmjes së të mërkurës, në kohën kur po dorëzonin turnin e shërbimit. Lajmi konfirmohet nga burime zyrtare të Policisë së Shtetit, të cilët pohuan se arrestimet u kryen pas informacioneve të marra në rrugë operative dhe ankesave të bëra nga shtetasit kosovarë për marrje e kërkim ryshfeti nga efektivat e policisë shqiptare. Gjatë gjithë ditës së fundit të tyre në polici, dy efektivat ishin vëzhguar nga oficerët e Shërbimit të Brendshëm. Këta të fundit kanë dokumentuar me pamje filmike të paktën katër raste brenda një dite të vetme, kur dy efektivat e arrestuar të policisë kanë ndaluar makinat e shqiptarëve të Kosovës dhe u kanë marrë atyre ryshfet (shuma nga 20-25 euro secilit prej drejtuesve të makinave). Pas dokumentimit të këtyre rasteve, me anë të tabelave fotografike dhe xhirimeve filmike si dhe pas marrjes së deklarimeve nga vetë kosovarët, që kanë pranuar se kishin dhënë para për punonjësit e policisë, oficerët e Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm nuk kanë hezituar të vendosin në pranga kolegët e tyre. Në kohën kur janë paraqitur në komisariat për të dorëzuar turnin e shërbimit, Petrit Nikolli dhe Besnik Sokoli janë vendosur në pranga me akuzën e korrupsionit. Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm referoi menjëherë në prokurori dosjen penale ndaj tyre, ku ndodhen kasetat filmike me pamjet e marrjes së ryshfetit nga efektivat e policisë, eurot që ata kanë marrë nga kosovarët, të cilat janë sekuestruar në xhepat e uniformave blu si dhe procesverbalet e deklarimeve të shtetasve kosovarë. Pasi kanë dhënë ryshfet në kohën që me makinat e tyre familjare po kalonin në aksin e Qafës së Malit, kosovarët janë marrë në pyetje në Kukës nga një grup oficerësh të SHKB-së. Pyetja e kosovarëve në Kukës është bërë për të mos dekonspiruar hetimin dhe ndjekjen që po u bëhet në aksin e Qafë-Malit rasteve të marrjes së ryshfetit nga dy policët e arrestuar. Pas dokumentimit të plotë të veprimeve të paligjshme të dy punonjësve të policisë, SHKB ka bërë arrestimin e tyre dhe sipas burimeve zyrtare po vazhdon hetimin në bashkëpunim me Prokurorinë. Rastet e implikimit të punonjësve të policisë në marrjen e ryshfetit nga kosovarët dhe turistët e huaj, janë përcjellë me shqetësim nga zyrtarët e lartë të organeve të rendit, të cilët kanë kërkuar hetimin e plotë të këtyre abuzimeve dhe goditjen e të gjithë punonjësve të implikuar në krime të tilla, që dëmtojnë rëndë turizmin vendas dhe imazhin e Policisë së Shtetit.

Patrullat, pas grabitjes së kosovarëve

Grabitja e disa turistëve kosovarë që kishin mbaruar pushimet në Shqipëri dhe po ktheheshin në Kosovë, dy javë më parë është bërë shkak për vendosjen e patrullave të policisë dhe rritjen e numrit të efektivave që qarkullojnë në rrugën e Qafë-Malit, me qëllim ruajtjen e qetësisë për turistët që udhëtojnë në drejtim të vendit tonë dhe anasjellas.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›