DokuFest i bashkohet rrjetit Kino Kabaret

Kino Kabareti i parë në Kosovë do të ndodh më 6 deri më 14 korrik, gjatë edicionit të 11-të të DokuFest.
Filmbërësit e përzgjedhur do të ftohen në Prizren për të shkruar, xhiruar, edituar dhe për të shfaqur filmat e tyre. Filmat do të xhirohen në stilin ‘guerrila’ dhe pa buxhet. Artistët e rinj do të kenë një javë kohë për të organizuar ekipin e xhirimit si dhe të prodhojnë filmat e tyre. Filmat e përfunduar do të shfaqen në DokuFest 2012.
Thirrja është e hapur për pjesëmarrësit nga të gjitha kualifikimet, aftësitë dhe përvojat. Regjisorë, skenaristë, kameraman, aktorë, asistentë të ndriçimit, editor, muzicientë, kompozitorë, animatorë, producentë, make-up artistë, kostumografë apo thjesht entuziastë të filmit mund të aplikojnë.
Afati i fundit për aplikim është 5 qershor.