Dokumentet për pension pleqërie dhe familjar
Për të përfituar pension pleqërie apo edhe familjar duhet të përpilojnë një sërë dokumentesh. Gazeta “Albania” ju vjen në ndihmë në numrin e sotëm duke renditur dokumentet e duhura si dhe procedurën që duhet të ndiqni për të ankimuar për vendimet që nuk jeni dakord. Po kështu është dhënë dhe një shembull për t’ju ardhur në ndihmë që t’i bëni vetë llogaritjet për të mësuar nëse përfitoni pension.
Ankimimi
Dokumentet e dorëzuara nga qytetari pranë agjencisë së Sigurimeve Shoqërore, pasi pranohen, merren në shqyrtim nga zyra e pensioneve ku ato përpunohen dhe caktohet masa e pensionit. Në rast se qytetari nuk është dakord me ndonjë element të caktimit të pensionit, siç është shuma e përgjithshme e vjetërsisë në punë, masa e pensionit etj., me të drejtën që i jep Ligji 7703, ankohet për vendimin e zyrës së pensioneve në Komisionin e Apelit të ngritur pranë Drejtorive Rajonale të Sigurimeve Shoqërore. Nëse merr përgjigje negative nga ky Komision ai ka të drejtë të ankohet pranë Komisionit Qendror të Apelit, që është ngritur pranë Institutit të Sigurimeve Shoqërore. Ankesat e zgjidhura në mënyrë të pafavorshme bëhen në gjykatë, ku çështja zgjidhet përfundimisht.
Shembulli
Pyetja
Kam qenë i punësuar deri në vitin 2002. Kam paguar rregullisht kontributet e sigurimeve shoqërore. Në korrik të viti 2003 jam sëmurur. Përgatita dokumentacionin për t'u paraqitur në Komisionin Mjekësor të Caktimit të Aftësisë për Punë, i cili për nga gjendja shëndetësore më vlerësoi invalid të plotë, por meqenëse isha bërë i paaftë gjatë kohës që isha i pasiguruar, nuk më lindi e drejta për pension invaliditeti. Nga informacioni që kam marrë mësoj që me ndryshimet në ligj mund të fitoj pension invaliditeti. Kam bërë përsëri dokumentacionin për t'u paraqitur në KMCAP. Ju lutem më sqaroni nëse do të përfitoj pension invaliditeti dhe kur do të më fillojë pagesa e pensionit.
Përgjigjja
Ligji nr. 9377, datë 21.4.2005 “Për disa ndryshime e shtesa në Ligjin nr. 7703, datë 11.5.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë” (i ndryshuar), përveç të tjerave, bëri ndryshime edhe në nenin 35 të Ligjit nr. 7703, datë 11.5.1993. Me ndryshimet që pësoi kjo dispozitë, u hoq kushti i të qenit i siguruar në kohën kur personat bëhen të paaftë, për të përfituar pension invaliditeti. Për të përfituar pension invaliditeti, sipas nenit 35 të Ligjit nr. 7703, datë 11.5.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, duhet të keni plotësuar periudhën minimale të sigurimit, e cila është sa gjysma e diferencës së moshës suaj në kohën kur jeni bërë i paaftë dhe moshës 20 vjeç. Meqenëse keni një periudhë sigurimi dhe jeni bërë i paaftë gjatë kohës kur nuk keni qenë i siguruar, kusht që tashmë nuk përbën pengesë për përfitimin e pensionit të invaliditetit, sipas përcaktimit që do të bëjë KMCAP lidhur me aftësinë për punë dhe datën e fillimit të invaliditetit (DFI), do t’ju lindë e drejta e përfitimit të pensionit të invaliditetit. Në përcaktimin e datës së fillimit të pagesës së pensionit të invaliditetit ndikojnë disa momente: Së pari, në qoftë se kërkesa për pension invaliditeti, e shoqëruar me fletën e drejtimit për në KMCAP, është paraqitur pranë agjencisë së Sigurimeve Shoqërore para datës 15.6.2006 (është brenda periudhës 1-vjeçare nga hyrja në fuqi e ligjit që solli ndryshimet) dhe në vendimin e KMCAP përcaktohet që data e fillimit të invaliditetit është në kohën kur jeni sëmurur, pra korrik 2003, atëherë pagesa e pensionit të invaliditetit do të fillojë nga data 15.6.2005. Së dyti, në qoftë se kërkesa për pension invaliditeti, e shoqëruar me fletën e drejtimit për në KMCAP, është paraqitur pranë agjencisë së Sigurimeve Shoqërore pas datës 15.6.2006 dhe në vendimin e KMCAP it përcaktohet që data e fillimit të invaliditetit është në kohën kur jeni sëmurur, korrik 2003, atëherë pagesa e pensionit të invaliditetit do të fillojë nga data e paraqitjes së kërkesës për pension invaliditeti.
Dokumente për pension pleqërie
A. Mosha
1. Certifikatë lindje me fotografi.
2. Certifikatë e gjendjes familjare.
3. Kur kërkohet pension si nënë me shumë fëmijë dhe në certifikatën familjare nuk figurojnë të gjithë fëmijët, fakti i lindjes, martesës apo vdekjes së tyre provohet me certifikatë të veçantë lindje, martese ose vdekje.
B. Periudha e sigurimit dhe lloji i punës
1. Librezë pune ose vërtetim arkivi.
2. Vërtetim për vjetërsinë në punë dhe llojin e saj.
3. Vërtetim për periudhën e sigurimit lëshuar nga zyra e arkivit pranë Drejtorisë Rajonale të ISSH-së.
4. Vërtetim i vjetërsisë në punë në kooperativat bujqësore për ish anëtarët e saj.
5. Vendim gjykate për njohje vjetërsie në punë.
6. Vërtetim nga dega ushtarake për periudhën e kryerjes së shërbimit të detyrueshëm ushtarak. Për personat që përfitojnë nga Ligji Nr 7514 datë 30.09.1991 “Për pafajësinë, amnistinë dhe rehabilitimin e ish-të dënuarve dhe të përndjekurve politikë“.
C. Për të ardhurat
1. Vërtetim page që nga viti 1994 dhe në vazhdim.
2. Vërtetim tip nga kontributet për të vetëpunësuarit.
3. Vërtetim toke në Kadastër.
4. Vërtetim shkolle për fëmijët nga 16-18 vjeç, si dhe vërtetim shkolle për studentët deri në moshën 25 vjeç.
5. Vërtetim komune për ndihmë ekonomike.
6. Vërtetim nga Tatim-taksat.
7. Deklaratë.
Dokumentet për pension familjar
1. Certifikatë e gjendjes familjare.
2. Certifikatë vdekje e të siguruarit (ku të jetë shënuar dhe shkaku i vdekjes), si tek pensionet e invaliditetit.
3. Koha e sigurimit apo vjetërsia në punë dhe lloji i saj vërtetohet me të njëjtat dokumente si në rastin e pensionit të pleqërisë.
4. Vërtetim i pagës së personit që ka vdekur: a) sipas germës “c” të kapitullit II, kur i ndjeri kishte apo i takonte pension pleqërie; b) sipas pikës II/2 të kapitullit të II, kur i ndjeri kishte apo i takonte pension invaliditeti.
5. Vërtetim i vazhdimit të shkollës për jetimët që kanë mbushur moshën ligjore për t’u punësuar ose vetëpunësuar.
6. Vendimi i KMCAP, për paaftësinë në punë të personave të familjes në ngarkim të të siguruarit të vdekur, kur ata janë në moshë pune.
7. Vërtetimi i organeve të pushtetit lokal që një i ve ose e ve ishin në ngarkim të të vdekurit dhe mban një fëmijë deri në moshën 8-vjeç dhe që ishte në ngarkim të të vdekurit.
8. Procesverbal që provon faktin e vdekjes nga aksidenti në punë si dhe vendim i KMCAP kur vdekja është e shkaktuar nga sëmundje profesionale.
9. Vërtetim i organeve të pushtetit lokal që prindërit, prindërit e prindërve kur nuk kanë persona që detyrohen t’i mbajnë dhe jetonin në të njëjtën familje me atë që ka vdekur jo më pak se një vit para vdekjes.
26 Maj 2008