IKËSIT
Nga Qemal Sakajeva Ish-drejtor i Televizionit Shqiptar
“Kufomat të mos u dorëzohen familjeve, se paraqesin shqetësime, por të groposen në një gropë, në vend të paditur, të gjithë bashkë, si më 1945”.
Të përpiqeshe për t’u arratisur nga Shqipëria, ka qenë si të drejtoheshe për në varrezë. Kush nuk përfondoi atje, shpëtimin duhet thënë e pati nga Zoti. Ikësit, edhe kanë mundur të kapërcejnë brezin e butë, klonin rrethues, sinjalizuesit e fshehtë, grackat e pabesa dhe karakollet e kufitarëve. Ikësit, edhe kanë mbetur të vrarë mbi to, si tesha të ndera, ose të bërë shoshë, për t’i hedhur në plehtore. Por, ikësit, edhe janë kapur gjallë, nga ndonjë befasi, dredhi a spiunim. Atëherë, ata janë dënuar me vdekje, burgime të gjata, ose janë vetvrarë nga që nuk kanë mundur të përballojnë torturat. ose thoshin se ishin vetvrarë. Përpara se të groposeshin - për ta s’kishte varr dhe varrim - organizoheshin spektakle të terrorizimit politik të popullit, për të fashitur çdo shkëndijëz mendimi për arratisje. Disa i lidhnin pas traktorëve “T-28”, të prodhimit kinez ose koreanoverior, të gjithë të kuq, sepse silleshin nga Lindja e Kuqe, apo kamionëve “Zis” sovjetikë, dhe i tërhiqnin zhag kalldrëmeve të qytetit e qendrave të banuara, për të ngjallë frikë e kallë tmerr. Dokumentari televiziv për vrasjet në kufi të të rinjve, që mësynin për të përbiruar rrethimin e çeliktë të Dikaturës, me emra e mbiemra, me fotografi ashtu të ekzekutuar mes shkurreve, shkëmbinjve a përrenjve, me dëshmi të atyre që patën shpëtuar e përjetuar ato skena tragjike, qe rrëqethës. Por, në vend që te fanatikët të krijonte, të paktën, keqardhje, mjaft prej tyre telefonuan duke e cilësuar dokumentarin “emision për tradhëtarë”. Ata u goditën me plumb, edhe në atë kohë kur ra Muri i Berlinit. Viktimat e Murit të Berlinit, për nga numëri dhe mënyra e ekzekutimit, duhet besuar se s’kanë qenë kurgjë përballë mbi 500 të vrarëve shqiptarë në vendin ku, vija kufitare e hartës, ka qenë veçse një sistem rrjete telash me gjemba, sinjalesh, vendrojesh dhe tokë të punuar, që thirrej “brez i butë”, për të fotografuar gjurmët e atyre që guxonin aventurën e arratisjes dhe janë kalbur pa varr, pasi çploheshin për ushqim nga bishat e egra. Ramiz Alia, edhe në vitin 1990, në takim me sekretarët e KQ të PPSH, lidhur me shkeljet në kufi, jep udhëzime e pohon se “… kufitarët tanë që, në krye të detyrës qëllojnë me armë dikë që tenton të kalojë kufirin” (Gazeta Shqiptare, “Për herë të parë materiale të krerëve të PPSH”, 2 qershor 2001). Diktatura në shkërmoqje bëri mashtrim në vitin 1990: ligjin e mëprashëm nr.25, që shkeljen e kufirit e trajtonte tradhëti ndaj atdheut dhe jepte dënime shumë të rënda, e zëvendësoi me dekretin nr.7380, i cili, shkelësit e kufirit i dënonte me gjobë ose disa muaj burg. Por, ata që u përpoqën të emigronin nga kufiri tokësor, morën plumba. U groposën humbtaz. Pasi qenë vrarë, u bënë edhe pre e bishave nëpër male. Në një shkeresë të kryetarit të degës së punëve të brendshme të Shkodrës, ekzamplar nr.1, më 17.6.1990, Armës së Sigurimit nr.1351-protokoll, ( sipas TVSH, arkivi i dokumentarëve; dhe Gazeta “55”, 12 qershor 2002), jepej urdhër çnjerëzor i prerë: “Kufomat të mos u dorëzohen familjeve, se paraqesin shqetësime, por të groposen në një gropë, në vend të paditur, të gjithë bashkë, si më 1945”.
...