E Diel, 1 Nëntor 2026

Dokumentet që duhen për të përfituar strehim nga Bashkia e Tiranës



Emanuela Sako

Qytetarët e Tiranës që nuk kanë mundësi për të blerë një banesë në kryeqytet, mund të aplikojnë për banesë sociale në Bashkinë e Tiranës. Të gjithë aplikantët duhet të plotësojnë dokumentacionin përkatës në bazë të kërkesave dhe të kritereve të përzgjedhjes, të përcaktuara nga ekspertët. Projekti i Bashkisë së Tiranës synon të strehojë të gjitha familjet në nevojë nëpërmjet marrjes me kredi të disa apartamenteve. Në bazë të këtij projekti Bashkia synon të strehojë familjet e pastreha duke paraqitur si zgjidhje strehimin e tyre nëpërmjet ndërtimit me kredi të disa apartamenteve sociale me qira. Projekti parashikon ndërtimin e 350 apartamenteve sociale në periferi të Tiranës, pranë Fonder - Mek sh.a. në Shkozë. Në Drejtorinë e Strehimit Social pranë Bashkisë së Tiranës deri tani janë dorëzuar rreth 3372 formularë, mes të cilëve do të bëhet përzgjedhja në bazë të kritereve të përcaktuara.
Dokumentacioni
Për të nisur procedurat e aplikimit për përfitimin e një shtëpie në Shkozë duhet që të plotësohet dokumentacioni përkatës, i cili nënkupton nisjen e “garës” mes qytetarëve. Ndër dokumentet që duhet të dorëzohen në Bashki janë: certifikatë e përbërjes familjare të vitit 1992, certifikatë aktuale të përbërjes familjare, certifikatë lindjeje personale të aplikuesit, vërtetim banimi nga njësia bashkiake ku kërkon strehim ose lejen e banimit për fëmijët që kanë lëvizur nga zonat e tjera të vendit, vërtetim të ardhurash (neto të familjes), vërtetim page për aplikantin si dhe për të gjithë pjesëtarët e tjerë të familjes, të cilët janë në marrëdhënie pune. Po kështu duhet që aplikantët të paraqesin dokumentacion nga organet tatimore dhe nga Sigurimeve Shoqërore për derdhjen e kontributeve, kur njëri nga anëtarët është i vetëpunësuar. Njëkohësisht duhet dorëzuar dhe një vërtetim nga Zyra e Ndihmës Ekonomike e Njësia Bashkiake nëse përfitojnë nga programi i ndihmës ekonomike, vërtetim nga Zyra e Punës për personat e përfshirë në programin e pagesës së papunësisë, vërtetim nga Sigurimet Shoqërore për personat e dalë në pension, vërtetim nga Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme për sipërfaqen e pronës, kur banesa është me sipërfaqe nën normat e lejuara të strehimit, vërtetim nga Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme të vendit të origjinës se nuk figuron e regjistruar asnjë pronë, e cila nuk mund të përdoret për strehim për familjet që kanë ndryshuar vendbanimin për efekt punësimi etj.
Kriteret
Kriteret që duhet të plotësohen për t’u klasifikuar dhe për t’u trajtuar me programet sociale të strehimit janë disa dhe tregojnë pamundësitë e familjeve për të jetuar. Kështu, familjet që me vendim të Këshillit Bashkiak klasifikohen për t’u trajtuar me një nga programet sociale të strehimit janë familjet që nuk kanë në pronësi një banesë; që zotërojnë sipërfaqe banimi nën normat e strehimit të përcaktuara për atë kategori sociale dhe ekonomike ku bëjnë pjesë këto familje; ato familje që kanë mbetur të pastreha si rezultat i fatkeqësive natyrore. Në këtë skemë përfshihen vetëm ato familje që kanë të ardhura të pamjaftueshme. Bashkia e Tiranës ofron mundësinë e trajtimit me bonus qiraje për qytetarët të cilët nuk kanë të ardhura të mjaftueshme për të përballuar qiranë e tregut, deri në momentin e trajtimit përfundimtar me strehim. Bonusi nënkupton pagimin e një pjese të qirasë që paguan kjo kategori qytetarësh. (Familje të cilat nuk kanë të ardhura të mjaftueshme për të përballuar qiranë e tregut). Masa e pagesës që do të përfitojë familja do të llogaritet duke u bazuar te aftësia paguese e familjes (të ardhurat totale të familjes) dhe masa e qirasë që paguan kjo e fundit.
Statistikat
Bashkia e Tiranës ofron tre programe sociale në ndihmë të qytetarëve në nevojë të kryeqytetit. Qytetarët kanë të drejtë të aplikojnë në një nga programet sociale, duke dorëzuar dokumentacionin e plotë pranë Bashkisë. Banesë me kosto të ulët kanë kërkuar 3372 aplikues në të gjithë qytetin. Ndërsa për banesë sociale me qira janë regjistruar 471 aplikues. Për tokë të pajisur me infrastrukturë aktualisht janë regjistruar 94 aplikues. Kërkesat për të përfituar banesa në të tria mënyrat janë të shumta dhe specialistët e Bashkisë do të bëjnë përzgjedhjen e vazhdueshme të kërkesave deri në ditën e shpalljes së përfituesve.
Aplikimi
Aplikimi për përfitimin e banesave me kosto të ulët kryhet nëpërmjet një formulari që mund të tërhiqet në Zyrën e Informimit për Qytetarët pranë Bashkisë së Tiranës, ose në njësitë bashkiake ku qytetari figuron i regjistruar. Ky formular duhet të plotësohet me vërtetësi në të gjitha fushat ku plotësohet dhe më pas të noterizohet. Më pas, njësia bashkiake përkatëse i përcjell këta formularë pranë Drejtorisë së Strehimit Social në Bashkinë e Tiranës, ku edhe regjistrohet në database-n elektronik të Drejtorisë. Nëpërmjet këtij programi mundësohet arkivimi i të dhënave duke filluar nga kërkesat e paraqitura gjatë vitit 2005 e në vazhdim, leximi individual dhe i përbashkët i të dhënave, menaxhimi i dokumenteve plotësuese, aplikimi i sistemit të pikëzimit, formimi i listave të përfituesve etj.

Familjet që trajtohen me një nga programet sociale të strehimit janë familjet që:
a) nuk kanë në pronësi një banesë;
b) zotërojnë sipërfaqe banimi nën normat e strehimit të përcaktuara për atë kategori sociale dhe ekonomike, ku bëjnë pjesë këto familje;
c) kanë mbetur të pastreha si rezultat i fatkeqësive natyrore.
Përfshihen në një nga shkronjat “a”, “b”, ”c”, vetëm ato familje që kanë të ardhura të pamjaftueshme.

Kriteret e përzgjedhjes së përfituesve (prioritetet)

1) Familjet të cilat vërtetojnë se nuk kanë përfituar nga Ligji nr. 7652, datë 23.12.1992 “Për privatizimin e banesave shtetërore”.
2) Familjet, ku kryefamiljari është grua e ve ose e divorcuar.
3) Familjet njëprindërore që kanë në ngarkim fëmijë.
4) Të moshuar që kanë mbushur moshën e pensionit dhe që nuk përzgjidhen për t’u strehuar në institucionet publike të përkujdesit shoqëror.
5) Individët me aftësi të kufizuar, të cilët gëzojnë statusin e të verbrit të grupit të parë, të invalidit paraplegjik dhe tetraplegjik, të invalidit të punës dhe të invalidit të Luftës Nacionalçlirimtare.
6) Familjet me shumë fëmijë
7) Çiftet e reja me moshë totale deri në 55 vjeç
8) Familjet që kanë ndryshuar vendbanim për efekt punësimi.
9) Individët me statusin e jetimit që nga çasti i daljes nga jetimoret ose nga qendrat e përkujdesit e deri në moshën 30 vjeç.

Statistikat e kërkesave sipas tre programeve sociale të parashikuara në ligj janë si më poshtë:

Kanë kërkuar banesë me kosto të ulët 3372 aplikues.
Kanë kërkuar banesë sociale me qira 471 aplikues.
Kanë kërkuar tokë të pajisur me infrastrukturë 94 aplikues.

Nga të dhënat e deritanishme rezulton se sipas njësive bashkiake numri i kërkesave të qytetarëve që kërkojnë të trajtohen me strehim është si më poshtë:

Njësia Bashkiake Nr.1 me 245 aplikues
Njësia Bashkiake Nr.2 me 502 aplikues
Njësia Bashkiake Nr.3 me 300 aplikues
Njësia Bashkiake Nr.4 me 313 aplikues
Njësia Bashkiake Nr.5 me 360 aplikues
Njësia Bashkiake Nr.6 me 331 aplikues
Njësia Bashkiake Nr.7 me 377 aplikues
Njësia Bashkiake Nr.8 me 310 aplikues
Njësia Bashkiake Nr.9 me 378 aplikues
Njësia Bashkiake Nr.10 me 281 aplikues
Njësia Bashkiake Nr.11 me 540 aplikues

Dokumentacioni
Certifikatë e përbërjes familjare të vitit 1992.
Certifikatë aktuale të përbërjes familjare.
Certifikatë lindje personale të aplikuesit.
Vërtetim banimi nga njësia bashkiake ku kërkon strehim ose lejen e banimit për fëmijët që kanë lëvizur nga zonat e tjera të vendit.
Vërtetim të ardhurash (neto të familjes).
Vërtetim page për aplikantin si dhe për të gjithë pjesëtarët e tjerë të familjes, të cilët janë në marrëdhënie pune.
Dokumentacion nga Organet Tatimore dhe Sigurimeve Shoqërore për derdhjen e kontributeve, kur njëri nga anëtarët është i vetëpunësuar.
Vërtetim nga Zyra e Ndihmës Ekonomike nga Njësia Bashkiake nëse përfitojnë nga programi i ndihmës ekonomike.
Vërtetim nga Zyra e Punës për personat e përfshirë në programin e pagesës së papunësisë.
Vërtetim nga Sigurimet Shoqërore për personat e dalë në pension.
Vërtetim nga Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme për sipërfaqen e pronës, kur banesa është me sipërfaqe nën normat e lejuara të strehimit.
Vërtetim nga Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme të vendit të origjinës se nuk figuron e regjistruar asnjë pronë, e cila nuk mund të përdoret për strehim për familjet që kanë ndryshuar vendbanimin për efekt punësimi.
Dokumentet zyrtare të celebrimit dhe certifikatën personale për efekt të llogaritjes së moshës për çiftet e reja.
Vendim gjykate për fëmijët në ngarkim për çiftet e divorcuara.
Vërtetim të statusit të jetimit, në ato raste kur e gëzojnë këtë status.
Vendim nga Komisioni Mjekësor për personat me aftësi të kufizuara, të cilët trajtohen sipas pikës “d”, neni 5 i Ligjit Nr.9232, datë 13.05.2004.
Vërtetim nga Kadastra e Rrethit nëse ka përfituar ose jo nga Ligji Nr. 7501, "Për tokën", për të gjithë pjesëtarët madhorë të familjes.
Vërtetim nga Zyra e Tatim-Taksave nëse është ose jo subjekt i taksës së vlerës së shtuar për të gjithë anëtarët e familjes.
Vërtetim nga Zyra e Urbanistikës pranë Bashkisë së Tiranës, llogarisë dhe hipotekës nëse ka blerë ose jo truall nga shteti për ndërtim banese, për të gjithë anëtarët e familjes.
Deklaratë personale e noterizuar ku përfshihen të gjitha pikat e mësipërme.

28 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›