E Diel, 1 Nëntor 2026

Moskthimi i kredive, forcohen sanksionet në Kodin Civil për kredimarrësit e parregullt



Ervin Koçi

Marrja e kredive në banka për qëllime të ndryshme, përveç procedurave të hollësishme dhe shtrëngimeve në dokumentacion, do të përbëjë për klientët dhe një përgjegjësi më të madhe në rastin e mosshlyerjes së saj. Në Kodin Civil janë propozuar që të bëhen disa ndryshime dhe shtesa, të cilat u lejojnë më tepër hapësirë si bankave, ashtu dhe organeve të Drejtësisë dhe të Përmbarimit që të veprojnë ndaj klientëve abuzues.
Në këtë mënyrë, për klientët e ndryshëm të bankave (individë apo subjekte), në rast se procedurat për likuidimin e interesave dhe të bazës së kredisë shkelen apo tejkalohen, apo akoma më keq, kur klienti nuk mund t’i paguajë ato, ai penalizohet me gjoba të ndryshme deri në konfiskimin e të gjitha të mirave materiale. Në kulmin e krizës ekonomike që ka prekur botën, qeveria shqiptare ka sjellë në Kuvend një projektligj për miratim, i cili duhet të zgjidhë problemet që bankat shqiptare hasin për të sekuestruar pronat e vëna si garanci kur kreditori nuk është në gjendje të paguajë kredinë. Sipas projektit të ri që ka nisur të diskutohet në Komisionin e Ligjeve, nëse debitori nuk arrin dot të shlyejë borxhin e marrë, atëherë atij i merret prona e lënë peng vetëm tri ditë pas vendimit të Gjykatës, i cili gjithashtu duhet ta zhvillojë procesin gjyqësor brenda një jave.
Projekti pritet të shmangë zgjatjen pa fund të procedurave, që në shumë raste e bëjnë pothuajse të pamundur që bankat të arkëtojnë paratë për kredinë e humbur. Drafti i ri u jep të drejtën bankave që ta shesin atë me çdo çmim, mjafton që vlera të kompensojë kredinë e pakthyer, një gjë që me ligjin në fuqi ka qenë e pamundur. Ligji i jep fund edhe ngërçit që krijon ndryshimi i vendbanimit të debitorëve duke e vazhduar procedurën edhe kur nuk ka mundësi njoftimi. Në këtë rast banka që ka dhënë kredinë vendos shpalljen e sekuestros vetëm në dyert e gjykatës dhe tri ditë pas kësaj ka të drejtë të kryejë ekzekutimin e pronës. Projektligji i ri për Kodin Civil pritet të zgjidhë problemet e kredive të pakthyera në bankat shqiptare dhe të shkurtojë gjithashtu procedurat për ekzekutimin e sekuestros.

Klienti mashtrues

Përveç kësaj, në rastet kur klienti ka mashtruar me bankën gjatë procedurës së marrjes së kredisë, duke paraqitur dokumente të rreme, duke mos dhënë adresën e tij të saktë, dhe i përdor këto para për aktivitete të paligjshme, ai përndiqet penalisht dhe dënohet me burgim, përveç të gjitha sanksioneve të tjera financiare të vendosura nga banka. Në projektligjin “Për disa ndryshime dhe shtesa në Ligjin nr. 8116, datë 29,03,1991, ‘Kodi i Procedurës Civile i Republikës së Shqipërisë’, i ndryshuar”, janë paraqitur të gjitha sanksionet që prekin çdo klient banke që nuk respekton rregullat për shlyerjen e kredisë.

Sanksionet

Të gjithë klientët e bankës, që për një arsye ose për një tjetër nuk paraqiten në kohën e duhur (të caktuar nga banka në kontratën paraprake), për të bërë shlyerjet e detyrimeve (interesave dhe kapitalit bazë) të kredisë së marrë, ndaj tyre nisin sanksione të ndryshme. Ato fillimisht nisin me paralajmërime dhe gjoba e më pas, kur klienti kthehet në problematik ose nuk paraqitet më në sportelet e bankës për të bërë derdhjen e detyrimeve, atëherë ndaj tij nisin procedurat ligjore. Banka apo subjekti financiar i drejtohet gjykatës, e cila menjëherë pas hapjes së procesit dhe konstatimit të dëmit urdhëron Përmbarimin që të kryejë të gjitha veprimet bllokuese ndaj pronës së vënë në garanci nga kredimarrësi. Në rastin më të mirë, kur kjo garanci është një pronë e patundshme, organet e Përmbarimit e kanë më të thjeshtë për të kryer të gjitha procedurat për venin e saj në sekuestro dhe për nxjerrjen e saj në ankand. Por përpara të gjitha këtyre procedurave klienti njoftohet disa herë nga banka dhe nga gjykata përpara se ndaj tij të ndërmerren procedurat finale (sekuestrimi i pronës nën garanci).

Klienti anonim

Në mjaft raste bankat private po përballen edhe me raste klientësh “fantazma”, domethënë klientë anonimë, të cilët, pasi kanë përfituar kredinë nga banka, kanë dhënë një adresë të rreme. Në këto raste ligji parashikon: “Kur klientit nuk i dihet vendbanimi ose vendqëndrimi brenda Republikës së Shqipërisë, apo kur nuk ka zgjedhur një banesë ose nuk ka caktuar një përfaqësues të tijin, sipas nenit 131 të këtij Kodi, njoftimi atij i bëhet nëpërmjet afishimit të kopjes në gjykatën e vendit ku do të gjykohet mosmarrëveshja, si dhe në vendin e afishimit ku ka pasur vendbanimin e tij të fundit”. Por përveç detyrimeve që i ka bankës, klientit, në rastin e konstatimit dhe të paraqitjes në gjykatë, i duhet që të paguajë edhe gjobat e vendosura nga gjykata, si dhe të gjitha shpenzimet e tjera që ka pasur procesi. Ligji parashikon gjithashtu se “me kërkesë të debitorit, sekuestroja nga Përmbarimi mund të vendoset, përveç pasurive të rënduara me peng dhe hipotekë, edhe mbi një pasuri tjetër të tijën, të ndryshme nga ajo që ka treguar kreditori, kur përmbaruesi gjyqësor çmon se ajo plotëson kërkesën e kreditorit”.

Kompensimi për bankën

Garancitë e ndryshme që janë lënë peng nga klientët e ndryshëm që kanë marrë një kredi në bankë, pasi konfiskohen nga Përmbarimi (në rastet problematike), dalin në ankand dhe pas shitjes sasia e parave e barabartë me shumën dhe interesat e kredisë kalojnë në favor të bankës. Ligji parashikon që në rastet kur pasuria e vendosur si garanci shitet në ankand pas sekuestros nga Përmbarimi dhe shuma në të holla e kësaj pasurie (send ose pronë e patundshme) e kalon vlerën e detyrimit ndaj kreditorit (bankës), atëherë pjesa tjetër i kthehet kredimarrësit, por pas pagesës së të gjitha taksave dhe detyrimeve të tjera të vendosura nga gjykata dhe Përmbarimi. Kredimarrësit mund t’i bllokohen sipas ligjit edhe të ardhurat nga paga e tij mujore, apo dhe nga llogari bankare të ndryshme. Për objektet e vendosura në sekuestro parashikohet, sipas ligjit, edhe shitja e lirë, pa u hedhur në ankand, por kjo gjë bëhet me pëlqimin e palëve (kreditorit dhe kredimarrësit).

Kredia me probleme

Gjashtëmujori i parë i vitit 2008, sipas BSH-së, shënoi një rritje të portofolit të kredive me probleme të sistemit bankar me 25.2 për qind nga 12.2 për qind, që ishte rritja e këtij treguesi për tremujorin e mëparshëm. Treguesi që mat cilësinë e kredive të sistemit (i llogaritur mbi baza bruto dhe që sipas standardeve përfshin kreditë e klasifikuara si “nënstandard”; “të dyshimta” dhe ”të humbura”), prezantohet i përkeqësuar në tremujorin e parë të vitit 2008, në nivelin 3.92 për qind nga 3.36 për qind në fundvitin 2007. Treguesi “Fonde rezervë për kreditë me probleme” tregon për përkeqësim të strukturës së kredive me probleme drejt klasave më të ulëta të klasifikimit dhe konfirmon rritjen e mëtejshme të kredive me probleme. Treguesi përllogaritet në nivelin 48 për qind nga 47.2 për qind, në fund të tremujorit të katërt të vitit 2007.

Marrja e një kredie, dokumentet që i duhen një klienti

1. Aplikuesi duhet të ketë kontratë pune definitive të paktën që prej 12 muajve të fundit dhe/ose biznes të qëndrueshëm 3 vitet e fundit.

2. Kredia duhet të ketë destinacion vetëm familjen që do të kreditohet

3. Garancitë: Si kolateral për këto kredi, si rregull, do të jenë vetë objektet që do të blihen ose pasuri të tjera të paluajtshme që vlerësohen minimalisht 150 për qind e vlerës së kredisë që kërkon të marrësh.

II - Dokumentet për kredi për individë të punësuar:

1. Letërnjoftim ose pasaportë, ose certifikatë me fotografi

2. Vërtetim për të ardhurat mujore familjare (vërtetim page)

3. Certifikata e hipotekës dhe dokumentet që vërtetojnë origjinën e pasurisë

4. Libreza e ujit, e dritave, e telefonit (nuk e kërkojnë të gjitha bankat)

III- Dokumentet për kredi për individë që kanë një biznes të vogël

1. Letërnjoftim ose pasaportë, ose certifikatë me fotografi

2. Licenca e vitit të fundit

3. Certifikatë e Hipotekës dhe dokumentet që vërtetojnë origjinën e pasurisë

IV- Dokumentet për kredi për individë që kanë një biznes të madh

1. Dokumentacioni ligjor i shoqërisë

2. Bilanci i vitit të fundit i dorëzuar në zyrën e Tatim-Taksave

3. Certifikata e hipotekës dhe dokumentet që vërtetojnë origjinën e pasurisë

Bankat private, rritet me 23 për qind numri i të punësuarve

Numri i të punësuarve në sistemin bankar për vitin 2007 arriti në 5155 persona, me një rritje prej rreth 23 përqindësh në krahasim me vitin 2006, bëri të ditur Banka e Shqipërisë. Duke iu referuar të dhënave më të fundit nga ky raport, rezulton se në vitin 2007 rreth 58 për qind e totalit të punonjësve të bankave punojnë në degë dhe agjenci bankare. Sipas ekspertëve, shifra progresive për këtë tregues priten të shënohen edhe këtë vit (2008) pasi rritja e numrit të punonjësve të bankave lidhet me shtimin e degëve dhe të agjencive si edhe me zgjerimin e veprimtarisë bankare. Gjatë vitit 2007 numri i bankave në sistemin bankar ka qenë 17, i njëjtë me një vit më parë. Por, në vitin 2008 për herë të parë në tregun bankar shqiptar ndodhi procesi i bashkimit të dy bankave. Numri i bankave që operojnë në Shqipëri është reduktuar në 16. Në fund të vitit 2007 numri i degëve të bankave të huaja në Shqipëri është 2, numri i filialeve të bankave dhe grupeve financiare të huaja është 9, banka që konsiderohen si banka me kapital vendas janë 2, ndërsa 4 banka zotërohen nga aksionarë të tjerë, persona fizikë, juridikë. Rritja e numrit të bankave dhe degëve e agjencive të tyre nga njëra anë si dhe rritja e numrit të punonjësve të bankave nga ana tjetër, kanë bërë që të përmirësohet dukshëm mbulimi i popullsisë me shërbime bankare dhe cilësia e tyre. Sipas të dhënave nga ky raport, numri mesatar i popullsisë për çdo bankë është rritur. Ndërsa numri mesatar i popullsisë për çdo njësi bankare dhe për çdo punonjës banke rezulton me ulje, për shkak të rritjes me ritme shumë më të larta të numrit të degëve dhe agjencive dhe të numrit të punonjësve në krahasim me ritmet e rritjes së popullsisë.

28 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›