E Shtunë, 31 Tetor 2026

Humbjet e firmave financiare: 2.8 trilionë USD

Kryeministri britanik, Gordon
Braun, paralajmëroi
dje se duhen marrë
masa për të parandaluar
përhapjen e krizës aktuale financiare.
Sipas tij, prioriteti kryesor është
"ndalimi i infektimit të vendeve të
tjera, përfshi edhe ato të Evropës
Lindore me simptomat e krizës,
e cila ka kapur tregjet amerikane,
evropiano-perëndimore dhe paksa
edhe ato aziatike. Sipas tij, FMN-ja
duhet të krijojë një fond të ri për të
ndihur vendet në nevojë. Po dje, një
studim i Bankës së Anglisë ka bërë
të ditur se firmat financiare botërore
kanë humbur deri më tani,
për shkak të krizës financiare, 2.8
trilionë dollarë. Për sa i përket rolit
të FMN-së, ideja është që ai duhet
të jetë i aftë të ofrojë më shumë se
250 miliardë dollarë, që është shifra
e ofruar deri tani ndaj vendeve që
ndodhen në vështirësi ekonomike.
Po sipas vlerësimit të Bankës së
Anglisë, deri tani taksapaguesit në
të gjithë botën kanë shpenzuar 5
trilionë dollarë për të mbështetur
financiarisht bankat në të gjithë
botën. Gjithashtu, sipas vlerësimit
të bankës, humbjet që nga muaji
maj janë dyfishuar. Kjo situatë, për
më tepër, pritet që të zgjasë edhe
për një periudhë të pacaktuar kohore
dhe sipas vlerësimit të bankës
është prioritare që "sëmundja" të
mos përhapet në vende që ende
ruajnë një lloj stabiliteti financiar.
Për sa u përket tregjeve financiare,
ato edhe gjatë ditës së djeshme
kanë qenë në kaos. "Wall Street"
ka qenë më i stabilizuari gjatë ditës
së djeshme, ndërsa tregjet e Azisë
dhe Evropës kanë pasur më shumë
luhatje dhe probleme. Ndërkohë,
si shefi i Bankës Evropiane, ashtu
edhe ai i Rezervës Federale parashikojnë
ulje të përqindjes së interesit,
me shpresën se kjo do të rivërë në
lëvizje mekanizmat financiarë dhe
do t‘i rikthejë bankat në situatën
kur jepnin kredi. Ndër tregjet më të
dëmtuara janë edhe ato të vendeve
në zhvillim. Destabilizimi u ka krijuar
shumë probleme të cilat do t‘i
pengojnë në ecjen përpara.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›