E Diel, 1 Nëntor 2026

Sondazhi i selisë “blu” e nxjerr humbëse PD-në në Tiranë

Partia Demokratike, bashkë me aleatët, kap vetëm 40% të votave. PS-ja plus LSI-në, kap rreth 58% të votave në kryeqytet

Eljona Ballhysa
Një sondazh i realizuar së fundi nga selia blu e ka nxjerrë humbëse Partinë Demokratike në Tiranë. Sondazhi mësohet të jetë realizuar nga persona të interesuar për të kandiduar për postin e kryetarit të degës së Partisë Demokratike në kryeqytet. Por rezultati aspak i favorshëm për PD-në në Tiranë ka bërë që të ketë hezitim në shpalljen e kandidaturave nga këta individë me peshë në parti. Burime konfidenciale kanë bërë të ditur për gazetën se sipas sondazhit, Partia Demokratike, bashkë me aleatët e saj, arrin të kapë vetëm 40% të votave kryeqytetase. Ndërsa Partia Socialiste e vetme kap rreth 50% të votave. Kurse LSI-ja dhe pjesa tjetër e partive të vogla të majta kapin 8% të votave të qytetarëve tiranas. Rezultati i këtij sondazhi, i cili ka rritur pakënaqësitë në selinë “blu”, bëhet e ditur se nuk i është prezantuar ende kryetarit të partisë, Sali Berisha.
Qëndrimi
Por duket se edhe vetë kreu i selisë blu, Berisha, ka arritur të kuptojë se situata në kryeqytet nuk është në favor të PD-së. Për këtë arsye së fundi ai ka arritur të vërë në lëvizje strukturat e partisë, veçanërisht në qendër. Kështu, vetëm kohët e fundit ai ka arritur të zhvillojë disa mbledhje kryesie të papërgatitura, në të cilat ka kërkuar me ngulm fillimin e riorganizimit të strukturave të partisë. Për më tepër, Berisha ka vendosur të jetë vetë në krye të grupit të punës që do të merret me organizimin e fushatës zgjedhore për PD-në e Tiranës. Shumë deputetë të Partisë Demokratike e panë këtë nismë të Berishës si një përpjekje të tij për t’u vënë përballë kandidatit zyrtar për postin e PD-së së Tiranës, Besnik Mustafaj. Por sipas burimeve, nxitja kryesore e Berishës për të marrë në dorë frenat e PD-së së Tiranës ka qenë dhe mungesa e mbështetjes së PD-së nga kryeqytetasit. Ndërkohë që sistemi aktual zgjedhor e faktorizon së tepërmi Tiranën si zonë elektorale për faktin se pragu i ulët elektoral në kryeqytet do të mundësojë garën e më të mëdhenjve të politikës. Pra kryetarët e pothuajse të gjitha partive politike pritet të kandidojnë në Tiranë për të pasur një mandat të sigurt parlamentar. Pritet që kryeqyteti të kthehet, më shumë se kurrë, në qershor të vitit të ardhshëm, në një arenë të betejës politike. Kjo rrit dhe interesat e krerëve të politikës për të përqendruar forcat më të mëdha për fitoren e zgjedhjeve në Tiranë.
Arsyet
Mësohet se një ndër shkaqet e uljes së mbështetjes së PD-së në Tiranë është kriza e fundit politike dhe institucionale. Skandalet e fundit të qeverisë, siç është çështja “Fazlliç” dhe mbrojtja që kryeministri Berisha i ka bërë atij, apo deklaratat për lidhje të mundshme midis familjarëve të kreut të qeverisë dhe biznesmenit boshnjak, duket se kanë ndikuar në uljen e besimit të qytetarëve ndaj qeverisë. Po kështu, tragjedia e Gërdecit ka një rol kryesor në mungesën e mbështetjes së PD-së. Lufta që qeveria po bën prej kohësh ndaj Prokurorisë së Përgjithshme dhe përpjekja e vazhdueshme për këtë kontrolluar organin e Prokurorisë nuk shihet me sy të mirë nga qytetarët. Po kështu dhe përplasjet e vazhdueshme me institucionin e Presidentit shihen me dyshim. Të gjitha këto, por dhe situata e vështirë ekonomike, ka ndikuar së tepërmi në qëndrimin e qytetarëve tiranas.

28 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›