E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dokumenti, dalin provat e ryshfetit Meta-Prifti

TIRANE-Prokuroria e Përgjithshme ka arritur në konkluzionin se ish- zv/kryeministri, Ilir Meta ka kryer veprën penale të korrupsionit aktiv. Ndërsa ish-ministri i Ekonomisë, Dritan Prifti, atë të korrupsionit pasiv. Për këtë arsye organi i akuzës i ka kërkuar dy ditë më parë Kuvendit, t'i japë autorizimin për të ndjekur penalisht të dy deputetët, ceshtje kjo qe pritet te diskutohet ne seancen e se henes.
 Por, nëse shkaku pse prokuroria kërkon heqjen e imunitetit për Ilir Metën tanimë është bërë publik, pra video-përgjimi i transmetuar në nje emision investigativ, interesant është fakti se arsyeja pse e njëjta kërkesë bëhet edhe për Dritan Priftin lidhet me një video të tjetër, ku ai ka regjistruar veten duke zhvilluar biseda për përfitime financiare të parregullta që vijnë nga ushtrimi i funksioneve të tyre publike me ish-zv/ministrin e METE-s, Leonard Beqiri.

"Gazeta Shqiptare" arriti dje të sigurojë dosjet e sigluara "sekret" që Prokuroria e Përgjithshme ka depozituar në Parlament duke i botuar ato sot të plota.

"Në një moment shihet se ndajnë mes tyre një shumë parash prej rreth 70 mijë eurosh", thuhet në materialet e prokurorisë. Videoja që futi në "grackë" Priftin, u identifikua në kompjuterin e tij portativ, që ai ka depozituar në prokurori. Nga këqyrja e laptopit, ekspertët amerikanë të pajtuar nga organi i akuzës për ekspertizën e provave arritën të identifikojnë këtë video "të fshirë", duke mundësuar rikuperimin e saj të plotë.
"Videoja që është transmetuar në programin televiziv dhe që gjendet në USB, në fakt është vetëm gjysma e videos. Videoja e plotë gjendet në sistemin kompjuterik", citojne dokumenta te Prokurorise.
Një nga detajet interesante të materialeve që organi i akuzës ka depozituar në Kuvend është fakti se aparati regjistrues që po rrezikon karrierën politike të dy politikanëve është një orë/kamera, të cilën Prifti, rezulton se e ka blerë në një faqe interneti.
"Po ashtu, bëra kërkime në përpjekje për të gjetur një burim nga ku është marrë kamera/ora. Gjatë kërkimeve të mia konstatova se aparatura (ora) kishte qenë në shitje në një faqe interneti. Pas pozicionimit të të gjitha dosjeve në aparaturat periferike, më pas fillova të rishikoja përmbajtjet në hard drive-in e kompjuterit portabël. Procesi i parë ishte të përcaktoja nëse mund të gjeja pozicionimin e të tre dosjeve që gjendeshin në USB, të ruajtura gjithashtu dhe në hard drive-in e kompjuterit. Isha në gjendje të përcaktoja pozicionimin e tyre,..", citohejne burime te prokurorise te publikuara sot nga Gazeta Shqiptare.

Korrupsioni aktiv, për të cilin akuzohet Ilir Meta, parashikohet në Kodin Penal si vepër që dënohet nga një deri në 5 vjet dhe me gjobe nga 500 mijë deri në 2 milionë lekë. Ndërsa korrupsioni pasiv në bashkëpunim, për të cilin akuzohet Dritan Prifti dënohet nga 4-12 vjet dhe me gjobe nga 1- 5 milionë lekë.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›