Rrugë pa kthim për Shqipërinë
Sa magji ka në këtë fjalë: globalizim. Nisi si një këmbim ekonomik e kulturor mes shteteve e popujve, por ky sistem, i ngjashëm shumë me eksperimentin e enëve komunikuese, po bëhet një mrekulli dhe në nivelimin e sistemeve politike e të drejtave të njeriut. Dhe tamam sikur hedh ujin në enët komunikuese, ato që janë më afër mbushen më shpejt, për t’u niveluar në pak kohë të gjitha, sado që të jenë, e kudo që të ndodhen. Mjafton të komunikojnë. Efekti magjik i globalizimit të vlerave, të të drejtave, po prek vendet e Mesdheut. Ato që janë më afër Europës tashmë kanë nisur udhën pa kthim: Egjipti, Tunizia, Algjeria, ndoshta pak më vonë dhe Libia...kërkojnë ndryshim. E kur këto vende me diktatura të stërzgjatura e të rrënjosura në sistem e territor po tronditen, mendoni Shqipërinë. Vendi ynë, që përditë zgjohet me flladin e Perëndimit, nuk mund të lejojë më mubarakër të atrofizuar t’i marrin frymën. Enët komunikuese funksionojnë shumë mirë edhe me Shqipërinë, edhe pse dikush kërkon të vendosë tapa e bllokime për të vonuar proceset e pakthyeshme të demokratizimit e shtetforcimit. Nuk ka hapa prapa. Ngjarjet e fundit po e tregojnë më së miri këtë. Rezistenca e Presidencës, Prokurorisë, SHISH, një pjese të medias, pas presioneve flagrante të ekzekutivit, ishin dëshmia më e mirë që magjia e globalizimit, e enëve komunikuese mes popujve e shteteve, po funksionon për mrekulli.
Shumë komente nga lexuesit në Balkanweb, ata që ndjekin me shqetësim zhvillimet në Shqipëri, kudo ndodhen në botë, flasin me skepticizëm për politikanët që janë dhe ata që do të vijnë: “Janë njësoj!”. “Të gjithë kanë një synim: grabitjen, zhvatjen e Shqipërisë”. Në fakt, prova për babëzi kanë dhënë të majtë e të djathtë, e për fat të keq nga Hëna e Marsi, ende nuk mund të marrim politikanë, e në laborator, gjithashtu, ende askush nuk ka mundur të prodhojë politikanë të pastër e të mirë. Atëherë, ç’duhet bërë? Bota e civilizuar ka shpikur Ligjet e Drejtësinë, njerëzit me dinjitet e personalitet do të dinë t’i respektojnë. Shqiptarët, këta po kërkojnë. E do t’i gjejnë.
(Shkrimi eshte botuar sot, 12 shkurt 2011, ne Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)