Dokumenti i mbledhjes së Byrosë për 2 korrikun, Alia: Borgjezia do të na përdorë dhe të na hedhë
Dokumenti, përmbajtja e të cilit është më poshtë, për herë të parë jep një panoramë të plotë të ngjarjeve që përfshinë Tiranën më 2 korrik 1990, apo siç njihet ndryshe, futja në ambasadat e huaja. Dokumenti i hartuar nga Qemal Lame, ish-kreu i Hetuesisë së Përgjithshme, i është dërguar Sekretarit të Komitetit Qendror të PPSH-së, Hekuran Isai, i cili ishte njëkohësisht edhe ministër i Punëve të Brendshme. Në këtë dokument bëhet një përshkrim i ngjarjeve orë pas ore, përmenden të gjitha incidentet te ambasadat, thyerjet e mureve të tyre me kamionë, përplasjet me policinë, të plagosurit, incidentet me punonjësit e Ambasadës Gjermane etj.
Dokumenti
Tepër Sekret
Ekzemplar Nr. 2
Tiranë, më 3.7.1990
LëNDA: Për ngjarjen e ndodhur në territorin e ambasadave.
Sekretarit të Komitetit Qendror të PPSH-së, shokut Hekuran Isai – Tiranë
Më datën 2.7.1990 pati një intensifikim të hyrjes me dhunë në territorin e disa ambasadave të akredituara në vendin tonë. Në orën 10:30 hyjnë 6 persona në Ambasadën Italiane me një makinë tip “Tatra”, duke shqyer murin rrethues, kangjellat. Në orën 19:00, 34 persona hyjnë në Ambasadën e FR Gjermane me një makinë “Skoda”, duke shpërthyer murin nga ana e prapme e ambasadës. Në orën 21:00 një makinë “Skoda” e mbushur me njerëz ka hyrë në Ambasadën Greke duke shpërthyer murin anësor. Pas këtij veprimi kanë hyrë edhe persona të tjerë në Ambasadën Greke, polake, çeke, gjermane etj., numri i të cilëve nuk është arritur të evidentohet.
Në orët e pasdites është shtuar qarkullimi i njerëzve në rrugën e Durrësit dhe të Kavajës, si dhe në rrugën mbrapa ambasadave. Edhe diplomatët e huaj kanë shpeshtuar lëvizjet e tyre në këmbë dhe janë takuar me persona të ndryshëm. Një punonjës i Ambasadës Gjermane në mënyrë të hapur është takuar me persona të ndryshëm në disa vende. Pas orës 19:00 janë shtuar në mënyrë të dukshme lëvizjet e njerëzve në territorin e ambasadave. Grumbullime të mëdha ka pasur sidomos në rrugën nga Ambasada Turke deri tek “21 Dhjetori”. Me hyrjen e makinës së dytë në Ambasadën Greke, u grumbulluan shumë persona pranë territorit të Ambasadës Greke dhe gjermane. Në këtë kohë organet e policisë kanë qëlluar me pistoletë për të mbrojtur rendin. Vërtetohet se dy punonjës të Ambasadës Gjermane i janë afruar policit Hysen Rama dhe njëri prej tyre ka qëlluar policin në dorë, duke i shkaktuar frakturë dhe duke i marrë pistoletën. Polici është qëlluar në befasi dhe nuk ka mundur të kundërveprojë. Pasi është qëlluar nga policia, grupi i personave është larguar dhe janë mbledhur në rrugën e Kavajës. Mund të kenë qenë mbi 5000 veta në këtë zonë. Ata filluan të bërtisnin, të bëjnë thirrje armiqësore kundër pushtetit popullor, kanë goditur me gurë punonjësit e policisë dhe kuadro të ndryshme të Partisë dhe pushtetit, që kishin vajtur për të normalizuar gjendjen. Kjo situatë ka vazhduar deri në orën 23:00. Me ndërhyrjen e forcave të policisë gjendja u normalizua. Organet e policisë ndaluan 76 persona. Me ta po vazhdohen hetimet për të sqaruar dhe vërtetuar përgjegjësinë e tyre për veprën penale të agjitacionit e propagandës për përmbysjen e pushtetit popullor të vendosur me Kushtetutë.
Nga këta persona ka prej tyre që kanë marrë pjesë në veprimtarinë armiqësore si dhe nga ata që janë marrë mbasi janë kontrolluar autobusët e linjës Tiranë-Kombinat, për të cilët nuk është përcaktuar akoma pjesëmarrja e tyre në demonstratë. Në bashkëpunim me organet e punëve të brendshme po saktësojmë pjesëmarrjen e personave në veprimet demonstrative dhe goditjen e punonjësve të policisë. Nga hetimi dhe verifikimi në spitalin civil, del se janë plagosur 6 persona për të cilët po punohet për t’i identifikuar. Një person tjetër, Altin Përparim Barka, vjeç 17, banues në rajonin e Kombinatit të Tekstileve, është plagosur me armë zjarri në pjesën e barkut. Dy punonjës të Ambasadës së RF të Gjermane thonë se ai është plagosur nga një polic në territorin e ambasadës dhe se e kanë sjellë në spital për t’i dhënë ndihmën mjekësore, duke organizuar dhe ruajtjen e tij në pavijon. Ai është operuar dhe ndodhet në reanimacion. Ata e trajtojnë si emigrant politik dhe kërkojnë të mos takohet njeri më të. Personat e hyrë në ambasada janë kryesisht të moshave të reja dhe përgjithësisht me personalitet të keq, të dënuar për vjedhje, grabitje e vrasje etj. Edhe personat e grumbulluar pranë territorit të ambasadave janë të njohur në përgjithësi për sjellje rrugaçërie e të dënuar më parë. Po hetohet për të zbuluar organizatorët e kësaj veprimtarie armiqësore, personat që kanë marrë pjesë dhe dëmet që i janë shkaktuar pasurisë socialiste. Për këtë qëllim është organizuar bashkëpunimi me Ministrinë e Punëve të Brendshme, Ministrinë e Drejtësisë, Prokurorinë e Përgjithshme dhe kryetarin e Gjykatës së Lartë.
Kryetari i Hetuesisë së Përgjithshme
Qemal Lame (firma, vula)
Ramiz Alia, ish-Sekretar i Parë i Komitetit Qendror të Partisë së Punës, menjëherë pas ngjarjes së 2 korrikut 1990, futjes së qindra qytetarëve shqiptarë në ambasadat e huaja në Tiranë, duket se ka përjetuar një dilemë të madhe. Një dilemë që i rrinte si Shpata e Damokleut në kokë dhe që i kërkonte të vendoste përpara dy alternativave: ose të lejonte reformat demokratike, që kishin përfshirë të gjitha shtetet e Lindjes Komuniste, ose të shtrëngonte rripin dhe të ruante sistemin socialist. Duket, duke bërë llogari të holla në kokën e tij, Alia kupton, apo drejt këtij vendimi i anonte natyrshëm barra e mendjes, dhe vendos që të këmbëngulte në ruajtjen e sistemit socialist. Një vendim që të paktën sipas fjalëve të Ramiz Alisë në këtë mbledhje të Byrosë Politike, përmbajtja e së cilës do të jetë e plotë më poshtë, tregon një panik të madh për fatin e tij personal. Duket Alia bën mirë llogaritë se çfarë do të ndodhte me të personalisht në rast të ndryshimit të sistemit komunist. Ai merr në analizë atë se çfarë ka ndodhur me krerë të tjerë komunistë në shtete të ndryshme, që tentuan apo realizuan ndryshimin e madh të sistemeve politike. Dhe në mendje i del, se borgjezia, pasi i ka përdorur ata krerë komunistë për të arritur ndryshimin, i ka flakur tej si limonë të shtrydhur. Pra, duke bërë vetëm hesapet e kokës së vet, duke mos menduar në asnjë rast për fatet e pjesës që quhet popull, këtë logjikë Alia ua injekton edhe anëtarëve të Byrosë Politike. Madje me shembuj të ilustruar, si me historinë e Dubçekut në çekosllovaki, që sipas Alisë tashmë e kanë lënë në hije, me historinë e Presidentit bullgar Mlladenov, që e kanë rrëzuar nga pushteti apo edhe me fatin e drejtuesve të shtetit jugosllav. Pra, Alia, përmes këtyre shembujve u përcjell byroistëve panikun që duket e ka përfshirë, duke u sqaruar atyre se në rast se do të lëshonin dhe ndryshonin sistemin politik në Shqipëri, do të përfundonin shumë keq. Kjo logjikë shërbente për të forcuar besimin në mbajtjen me të gjitha forcat të sistemit socialist, një sistem ku ata riskonin më pak të humbin pozitat në krye të shtetit bashkë me privilegjet respektive.
Në të njëjtën mbledhje të Byrosë Politike merren në analizë ngjarjet e Kavajës, mosfunksionimi i shtetit në këtë qytet për shkak të revoltës popullore dhe mbase për herë të parë bëhet publik fakti se aty, pothuaj fshehurazi ishin dërguar forca ushtarake. Forca që në një situatë emergjente mund të shtypnin me gjak revoltën. Një veprim krejt i ngjashëm me ndërhyrjen e dhunshme të sovjetikëve në Hungari (1956) dhe në çekosllovaki (1968).
Dokumenti
Sekret
Procesverbal
Mbajtur në mbledhjen e Byrosë Politike të KQ të Partisë
më 14 korrik 1990
Byroja Politike, në mbledhjen e datës 14 korrik 1990 mori në shqyrtim këtë çështje:
1. “Analizë për ngjarjet e 2 korrikut dhe të Kavajës e disa konkluzioneve për punën e Partisë”.
Në mbledhje marrin pjesë anëtarët e kandidatët e Byrosë Politike të KQ të Partisë, shokët: Ramiz Alia, Adil çarçani, Besnik Bekteshi, Hekuran Isai, Lenka çuko, Muho Asllani, Pali Miska, Simon Stefani, Xhelil Gjoni, Hajredin çeliku, Pirro Kondi, Qirjako Mihali, Kiço Mustaqi, Llambi Gegprifti, Niko Gjyzari, Xhemal Dymylja.
Mbledhjen e Byrosë Politike e drejton shoku Ramiz Alia, Sekretar i Parë i Komitetit Qendror të Partisë.
Zhvillimi i mbledhjes.
Shoku Ramiz Alia: Në këtë mbledhje, shokë, mendoj të shkëmbejmë mendime lidhur me ngjarjet e kohëve të fundit e sidomos të datës 2 korrik, kur u futën në ambasadat e huaja rreth 4700 veta. Ngjarja e 2 korrikut i zuri në befasi organizmat tona dhe pas saj u krijua një situatë e rëndë.
Në një pushim ndërmjet seancave të Plenumit të 11-të të Komitetit Qendror, Presidiumi i Kuvendit Popullor nxori dekretin për pajisjen me pasaporta për jashtë të të gjithë atyre që u futën nëpër ambasada. Para dy ditësh, siç e dini, u bë evakuimi i plotë i tyre. Mbrëmë janë larguar ata që u strehuan në Ambasadën Hungareze dhe sot ikin të fundit, ata që gjenden në Ambasadën Turke.
E rëndësishme është se rreth 4400 veta prej tyre ishin të zënë me punë, pra, jo siç shpifin disa që thonë se kanë ikur të papunët. Veç fëmijëve, 20 për qind janë gra, ky është një veprim tepër i ulët. Nga pikëpamja e nivelit arsimor me shkollë të lartë ishin relativisht pak, rreth 70-80 veta, por edhe këta janë tipa pa karakter.
Në këto ngjarje, padyshim, pasqyrohet puna e dobët e organeve të punëve të brendshme, veçanërisht e Sigurimit të Shtetit, të cilët u zunë në befasi, si dhe puna e dobët e Komitetit të Partisë së Rrethit të Tiranës. është e çuditshme që në organet tona emrat e atyre që ishin futur në ambasada nuk i dinin, kështu që u detyruan t’i merrnin nga kërkesat për pasaportat!
Jam i bindur se edhe sot e kësaj dite qendrat e punës nuk dinë se kush u është futur në ambasada. Kur këtu në Tiranë administratat e ndërmarrjeve nuk njohin mirë punëtorët e tyre dhe nuk dinë kë paguajnë, merreni me mend se ç’mund të bëhet me ndërmarrjet që kanë punëtorë sezonalë si sharrat e Pukës, në Vermosh, në Bushtricë apo gjetkë?!
Organizata e Partisë e Tiranës nuk e tregoi veten në nivelin e duhur, nuk tregoi militantizëm, nuk ishte në rolin udhëheqës, ndërsa komunistët e Tiranës u tulatën. Duhej të organizonim dje mitingun që të ngrihej morali i tyre, se në përgjithësi morali i njerëzve, por edhe i komunistëve, kishte rënë shumë. Natyrisht, pas ngjarjeve të 2 korrikut u bënë disa përpjekje, u ngritën disa njësi a detashmente, siç u quajtën, për të forcuar vigjilencën. Mirëpo duhet pasur parasysh se në Tiranë militojnë 25 mijë komunistë, por forca e tyre nuk u ndie fare, përkundrazi, dominonin parullat e armikut, të reaksionit, të kolonës së pestë, që janë nga më ekstravagantet.
Në ngjarjen e 2 korrikut ka pasur ndikim edhe veprimtaria armiqësore e huliganëve të rretheve të tjera. U bënë tentativa për të hyrë në ambasada, ose për të bërë ndonjë rrëmujë nga grupe huliganësh, që erdhën nga Shkodra apo nga Durrësi. Forcat e Policisë janë detyruar t’i largojnë.
Ngjarje të shëmtuara kanë ndodhur edhe në Kavajë, ku gjendja, mund të themi edhe sot e kësaj dite është e rëndë. Veç faktit që atje ka një fermentim armiqësor, ndodhi edhe një ngjarje shumë e hidhur: u vra një njeri kur forcat e policisë e të Sigurimit vajtën me “teorinë e krehjes”. Kanë dalë në skenë edhe teoria tani! Dhe “krehën” bukur! Vrasja e këtij njeriu shkaktoi një turbullim në tërë qytetin. U lëshuan njerëzit e thyen tërë xhamat e vitrinave të qytetit. Jo vetëm kaq, por të nesërmen në varrim morën pjesë mijëra vetë. Kjo mori njerëzish, e irrituar, me t’u kthyer nga varrimi dogjën makinën e sekretarit të parë të Komitetit të Partisë të rajonit të Kavajës. Kavaja faktikisht ishte në duart e tyre. Dhamë urdhër që të mos ndërhynte policia se me ato nerva të tendosura e atë rritim nga ta dyja palët çdo gjë mund të ndodhte.
Komunistët e Kavajës nuk u ndien fare. Parullat që u hodhën ishin nga më reaksionaret, më armiqësoret kundër Partisë e pushtetit si “Enver-Hitler”, “Muho-Sllobodan”, “Hekuran-Sllobodan”!
Natyrisht, ne dërguam forca ushtarake në Kavajë, të gatshme për çdo eventualitet, por urdhëruam të qëndronin brenda në kazermë, dhe ato në fakt nuk bënë asnjë veprim. Megjithatë situata në Kavajë vazhdon të mos jetë e mirë. Elementët e këqij tani dalin në rrugë e gjuajnë me gurë dhe para vetes vënë gratë e fëmijët për t’u mbrojtur. Te vendi ku ndodhi vrasja vendosin lule çdo ditë.
Ngjarja e fundit e Kavajës nuk është e re. Gjatë 3-4 muajve të fundit janë përsëritur ngjarje të tilla. Shoku Muho është paralajmëruar të ketë kujdes. Të paktën 2-3 herë e kam thirrur unë. Pavarësisht nga kjo, duke qenë se ngjarjet ishin të rënda, ai duhet t’u kishte kushtuar më tepër vëmendje. Mirëpo shoku Muho vazhdon të punojë me metodën e stilin e vjetër, nuk përdor dialogun e debatin, por vazhdon të japë urdhra e komanda. Në Kavajë është krijuar një situatë e papëlqyeshme. Ta themi hapur, kavajasit nuk e shohin dot me sy Muho Asllanin.
Deri tani komiteti i Partisë i rrethit nuk ka marrë asnjë masë për të qetësuar situatën në Kavajë. Sot unë kam dërguar në Kavajë shokun Foto (Foto çami, red.), jo për të bërë mbledhje me njerëzit, por për të parë nga afër gjendjen e për të ndihmuar. Agron Tafa për mendimin tim duhet hequr si sekretar i parë i Komitetit të Partisë të rajonit të Kavajës. Ne gabuam, ta themi hapur, që nga kryetar degë e vumë sekretar partie, por morëm parasysh ndërhyrjet e konsideratat e mira për të, të shokut Muho e të shokut Hekuran. Shokë të mirë e të aftë ka plot, por duhet t’i dojë populli, por populli nuk e donte Agron Tufën. Ai mund të punonte shumë mirë në një vend tjetër, por nuk ishte për sekretar partie në Kavajë.
Para se të futem në disa gjëra konkrete dua të theksoj, megjithëse fola dhe në Plenumin e 11-të të Komitetit Qendror, se sot zhvillohet një luftë e rreptë për jetë a vdekje midis pushtetit popullor e socializmit, nga njëra anë dhe reaksionit botëror nga ana tjetër, i cili kërkon shkatërrimin e pushtetit popullor, zhdukjen e socializmit, eliminimin e komunistëve. Kjo duhet kuptuar mirë nga të gjithë ne. Ne luftojmë për të forcuar e për të shtuar fitoret e revolucionit. Rruga për t’i arritur këto që përmenda e për të forcuar pozitat e lirisë e të pavarësisë së Atdheut tonë është ajo rrugë që kemi përcaktuar nëpër plenumet e ndryshme të Komitetit Qendror, domethënë rruga nëpërmjet demokratizimit të mëtejshëm të jetës së vendit e të Partisë, nëpërmjet forcimit të lidhjeve të Partisë me masat, nxitjes së iniciativës dhe rritjes së rolit të tyre, shkatërrimit të çdo pengese burokratike që pengon iniciativën e masave dhe frenon zhvillimin e vendit.
Këto ne i kemi sintetizuar në reformën ekonomike, në ligjet e ndryshme, në forcimin dhe përmirësimin e marrëdhënieve shoqërore, në fushën e politikës së jashtme, etj. Askush nuk duhet të mendojë se këto janë veprime taktike për t’ia hedhur ndokujt, por duhet të kuptojmë që janë masa, korrigjime, plotësime, rregullime e krijime për të forcuar pozitat e socializmit, të pushtetit të popullit. Pa këto masa nuk mund të zhvillohej ekonomia, nuk mund të forcohet liria dhe pavarësia, nuk mund të shkojë përpara socializmi.
Kjo është pozita dhe vija jonë. Kundër kësaj vije e kundër këtyre pozitave lufton armiku, veçanërisht armiku i jashtëm. Armiku lufton me parulla të njëjta me tonat: “për demokraci”, “për liri të individit”, “për pluralizëm politik” etj. Por nëse synimi ynë është të forcojmë pushtetin e popullit, synimi i armiqve është të likuidojnë socializmin, të zhdukin komunistët. Parullat e tyre “të demokratizojmë jetën”, “të pluralizojmë veprimtarinë politike”, “të zhvillojmë tregun, pronën private, kapitalet e huaja”, “të zhvillojmë fenë”, kanë për qëllim të zhdukin pushtetin popullor dhe socializmin. Këtë të mos e harrojmë. Pse e them këtë? Sepse ka shumë njerëz te ne që kanë rënë e po bien viktimë e propagandës së armiqve. Jo rastësisht dëgjohen fjalët: “Pse nuk marrim kredi?” Po cili vend i ka hapur kasafortat dhe vetëm të zgjatësh dorën dhe të marrësh para? Këta njerëz, e të tjerë, nuk e kuptojnë që qëllimi i reaksionit është më larg – krijimi i shoqërive private në Shqipëri. Po dhe për këtë pyesin: “Pse nuk krijohet kapitali privat në Shqipëri?” T’i hapet rruga kapitalit privat do të thotë të zhduket pavarësia dhe socializmi në Shqipëri!
“Pse nuk eksportojmë fuqi punëtore?” është një parullë tjetër. Po cili shtet ka kërkuar fuqi punëtore? Askush. Atëherë pse e ngrenë këtë çështje? Qëllimi është i qartë: të diskreditojnë socializmin, të largojnë njerëzit nga rruga e drejtë, t’i vënë kundër pushtetit.
Këta njerëz nuk e kuptojnë se parullat për demokracinë, për lirinë e individit ose për pluralizmin” kanë synim të zhdukin Partinë, të zhdukin komunistët.
A nuk mjaftojë disa shembuj shokë, që t’i kemi parasysh? A ka komunistë që i kanë bërë shërbime më të mëdha imperializmit se komunistët jugosllavë? Nuk ka. Po çfarë po ndodh aty? Edhe ata imperializmi po i heq nga pushteti, po i zhduk. çfarë bën imperializmi në Slloveni apo në Kroaci? ç’po kërkon të bëjë ai në Serbi? Ai nuk do të dëgjojë më fjalën komunist, nuk do të dëgjojë më fjalën socializëm, por do një pushtet të borgjezisë.
A nuk “meritonte” në linjën e tyre një monument Dubçeku, i cili ishte paraprirës i këtij reformizmi të madh dhe që sovjetikët e rrëzuan nga posti me tanke? Si u soll me të borgjezia? E ka vënë në një qoshe dhe nuk ndihet fare. Borgjezisë nuk i duhen ata që kanë emrin komunistë, pale të jesh komunist me fytyrë njeriu, siç e quante veten Dubçeku. Asaj aktualisht i duhet Haveli, Shvarcenbergu, reaksionarët e klasit të parë.
A nuk e shikoni ç’po ndodh në Rumani dhe në Bullgari? Iu desh Mlladenovit (Presidenti i parë postsocialist bullgar, red.) të kalonte fazën e parë dhe tani nuk i duhet më borgjezisë.
Lexojmë nëpër axhanset fjalën “reformistë”. Borgjezia nuk i ka për zemër as reformistët dhe as konservatorët. Ato janë fjalë boshe me qëllim që të përçajnë e të shkatërrojnë çdo gjë përparimtare. Ajo nuk do askënd që është kompromentuar me socializmin. Borgjezia për të realizuar qëllimet e veta po peshkon vagabondë e huliganë. Për qëllimet e veta dhe një prostitutë e bën heroinë, por pas pak ditësh e flak etj. Këto janë manovrat e njohura të borgjezisë. A nuk i shpjegon Partia jonë këto fenomene që po ngjasin në Lindje? Për konsekuencë a nuk duhet ne të mbledhim të tëra forcat?
Përgatiti: Ferdinand Dervishi
(vijon nesër)
Berisha: 2 korriku, sinjal Europës
Adi Shkembi
Maxhoranca organizon tubim në Qytetin Studenti 20 vjet pas ngjarjeve të Tiranës ku qindra qytetarë u futën në ambasadat perëndimore, ngjarje e cila i hapi rrugë nisjes së protestave ndaj regjimit.
Në të njëjtin shesh ku në dhjetor 90, Kryeministri Berisha dhe themeluesit e PD-së iu drejtuan studentëve, dje shumica e djathtë risolli edhe njëherë ngjarjet e korrikut të 20 viteve më parë. “Sot ne jemi mbledhur së bashku për të nderuar dhe kremtuar 20-vjetorin e një prej ngjarjeve më të mëdha në tërë historinë e demokracisë shqiptare, të një prej përpjekjeve më të guximshme të shqiptarëve për liri dhe demokraci, 2 korrikut, dita në të cilën me mijëra djem dhe vajza të rinj shqiptarë u vërsulën si luanë të vërtetë dhe shembën ‘Murin e Berlinit’ në Tiranë, duke u shndërruar kështu në maratonomakë të marshit të lirisë së shqiptarëve”, u shpreh Kryeministri Berisha në fjalën e tij. Fjalimi i kreut të Qeverisë u shoqërua për rreth 20 minuta me pamjet e xhiruara në atë periudhë nga hyrja në ambasada e qytetarëve të kryeqytetit. Sipas kreut të PD, Shqipëria në vitin 1990 erdhi si një vend ku më shumë se gjysma e qytetarëve jetonin në varfëri të plotë, ndërsa pjesa tjetër ishin transformuar nga qenie shoqërore në qenie shtetërore. “Ata ishin njerëz të thjeshtë, punëtorë, mëditësa, tornitorë, mekanikë, marangozë, hidraulikë, elektricistë, të papunë, por që të gjithë ishin kreshnikë të vërtetë në guximin e tyre. Të gjithë ata së bashku u ngritën me një guxim dhe trimëri të paparë, u dhanë zemër shqiptarëve që përjetonin tmerrin dhe frikën më të madhe. Ata i dhanë mesazhin Europës dhe botës se ky komb nuk ka të ndalur, se ky komb është i gatshëm për çdo sakrificë për lirinë dhe dinjitetin e tij”, u shpreh më tej Berisha. Në fjalimin e tij Kryeministri nuk përmendi për asnjë moment opozitën, por nga sheshi i Qytetit Studenti theksoi edhe njëherë faktin se vendi zhvilloi zgjedhje të lira dhe të ndershme një vit më parë. “Ky 20-vjetor na fton ne të gjithëve të bashkohemi në përpjekjen tonë të ndershme, fisnike, për të shndërruar sa më parë në realitet ëndrrën tonë europiane, idealet tona europiane, Shqipërinë europiane”.
Ngjarjet e 2 korrikut
Pamje nga futja e qytetarëve në disa prej ambasadave kryesore në Tiranë u transmetuan dje në sheshin kryesor të Qytetit Studenti, në fillim të fjalës së Kryeministrit Berisha, por edhe gjatë fjalimit të tij. Në të njëjtën kohë pjesë të këtij organizimi ishin edhe këngët më në zë të kohës si “Wind of change” e grupit “Scorpions”, por edhe pamje nga festivali i Radio Televizionit Shqiptar në vitin 1990. Në përfundim të fjalës së kreut të ekzekutivit u shfaqën pamje nga ngjarjet më të rëndësishme të vendit në vitet e fundit si anëtarësimi i Shqipërisë në NATO, ngritja e flamurit në Bruksel apo edhe dorëzimi i pyetësorit të BE.