E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zbardhet vendimi, pensionet do të rriten me 4-6 për qind



adi shkembi

Qeveria vendos të rrisë me 6 për qind pensionet e ulëta dhe me 4 për qind pensionet e larta të qytetit. Vendimi u mor dje nga Qeveria dhe minimalisht një pensionist që përfitonte pension minimal, nga sot, do të paguhet me 614 lekë më shumë. Rritja e pensioneve në fshat do të jetë 10 për qind. Nga rritje e pensioneve, të miratuara dje, do të përfitojnë 540 mijë pensionistë, nga të cilët 24.640 përfitues të programeve të veçanta. Gazeta zbardh vendimin e Qeverisë, duke treguar sa do të bëhet pensioni i ri për të gjitha kategoritë e pensionistëve. Duhet theksuar se përveç rritjes së djeshme, të gjithë pensionistët do të vazhdojnë të përfitojnë të ardhura të tjera, që jepen me vendime të veçanta, si 150 lekë në muaj kompensim për diferencën e çmimit të bukës, 350 lekë në muaj si kompensim për energjinë elektrike dhe 414 lekë në muaj për çdo pjesëtar të familjes që është në varësi ekonomike. Gjithashtu do të vazhdojë të përfitojë nga politikat e kompensimit të pensioneve 500 lekë për vendimin e qershorit 2006, 760 lekë në muaj sipas vendimit të dhjetorit 2006 dhe 190 lekë në muaj, sipas vendimit të prillit 2009. Të gjithë pensionistët që përfitojnë shtesën prej 640 lekësh në muaj, të vendosur dy muaj më parë, do të vazhdojnë ta marrin atë. Kjo shtesë nuk është llogaritur në skemën e re të rritjes së pensioneve.
Pensioni minimal
Qeveria ka përdorur një skemë tjetër për të llogaritur rritjen 6 për qind për pensionet e ulëta dhe 4 për qind për pensionet e larta. Nga vendimi i djeshëm do të përfitojnë të gjithë llojet e pensionistëve, ato që përfitojnë pension të plotë, të pjesshëm, pension familjar apo invaliditeti dhe të gjithë llojet e pensioneve suplementare. Kjo, e ndarë sipas kategorive.
Sipas vendimit të Qeverisë, të ardhurat totale mujore për pensionin e plotë minimal të pleqërise në qytet llogariten jo më pak se 12840 lekë në muaj. Deri tani, të ardhurat minimale të një pensionisti në qytet ishin 12226 lekë në muaj. Pra rritja për pensionin minimal është 614 lekë. Për të arritur në këtë shifër, Qeveria ka përdorur formulën e kompensimit. Pra të shtesës 200 lekë, për kategorinë që marrin pensione minimale dhe të një shtese nën 200 lekë, për ata që marrin më shumë pension. Për ta bërë më të thjeshtë, po marrim një shembull të një pensionisti me pension minimal. Në vendimin e djeshëm të Qeverisë, theksohet se pensioni minimal, (pa shtesat për bukën, dritat dhe familjarët e tjerë në varësi) nga 10276 lekë në muaj, bëhet 10690 lekë në muaj, pra pëson një rritje prej 410 lekësh në muaj. Nga ana tjetër, pensionisti merr shtesë mbi pensionin, 350 lekë për energjinë elektrike, 150 lekë për çmimin e bukës dhe 1450 për kompensimin e të ardhurave mujore nga vendimet e viteve 2006 dhe 2009. Të gjitha këto shtesa do të vazhdojnë të merren edhe gjatë këtij viti. Pra në total, pensioni bëhet 12640 lekë në muaj. Kësaj shifre, Qeveria i ka shtuar edhe 200 lekë në muaj, në formën e “kompensimit për rritjen e pensionit”, dhe në total, pensioni minimal bëhet 12840 lekë në muaj. Pas 1 korrikut, ky do të jetë pensioni minimal. Pra pensioni minimal shtohet me 614 lekë.
Pensioni maksimal
Në vendimin e djeshëm të Qeverisë është theksuar se pensioni maksimal i qytetit do të rritet me 4 për qind. Kështu, një pensionist me pension maksimal merr sot 20552 lekë në muaj. Kjo shumë llogaritet, 20552 lekë si pension maksimal dhe shtohen me 350 lekë në muaj si kompensim për energjinë elektrike dhe 150 lekë për çmimin e bukës. Në total, dje një pensionist me pension maksimal përfitonte 20552 lekë në muaj. Me vendimin e djeshëm, pensioni i ri maksimal arrin në 21880 lekë, ose 828 lekë më shumë.
Pensionet e tjera
Llogaritja bëhet pak më e ndërlikuar për pensionet e pjesshme. Pra për pensionet që janë në mes të pensionit minimal aktual, (pa kompensimet), prej 10276 lekësh në muaj dhe atij maksimal aktual (pa kompensimet), prej 20552 lekësh në muaj. Për ta bërë më të qartë, po marrim një shembull. Një pensionist merr aktualisht një pension prej 13 mijë lekësh në muaj. Këtij pensioni i shtohen 350 lekë në muaj kompensim për energjinë, 150 lekë në muaj kompensim për cenimin e bukës dhe 500 lekë në muaj kompensim nga vendimi i qershorit 2006. Pra pensioni i tij arrin në 14 mijë lekë në muaj. Në fund të vitit 2006, Qeveria vendosi të shtojë me 760 pensionet, por në mënyrë proporcionale. Pra jo të njëllojtë për të gjithë pensionistët. Për këtë, ajo vendosi të aplikojë një formulë, ku shtesa për çdo pensionist do të llogaritej duke shumëzuar pensionin bazë, me shtesën 760 lekë, dhe këtë shumë e pjesëtonte me pensionin minimal. Në bazë të kësaj formule, në shembullin tonë, pensioni bazë 13 mijë lekë shumëzohet me shtesën 760 lekë dhe pjesëtohet me pensionin minimal, që është 10690 lekë. Nga aplikimi i formulës del se shtesa për vitin 2006, do të jetë 924 lekë në muaj. E njëjta formulë është përdorur edhe për shtesën tjetër të vitit 2009. Vendimi i Qeverisë së vitit 2009, parashikonte që shtesa të ishte 190 lekë në muaj. Nga zbatimi i formulës, do të kishim 13000 lekë, që është pensioni, shumëzim me 190 lekë, që është shtesa për vitin 2009, pjesëtim për 10690 lekë, që është pensioni minimal. Pra, shtesa për vendimin e vitit 2009 do të ishte 231 lekë. Kjo formulë është përdorur edhe për rritjen e sivjetme prej 200 lekësh. Pra do të kemi, 13000 lekë, (që është pensioni bazë shembullit tonë), shumëzim për 200 lekë (që është shtesa e sivjetme) pjesëtim për 10690 lekë (që është pensioni minimal). Në fund për vitin 2010, shtesa do të jetë 243 lekë në muaj. Në total, sot një pensionist që merr pension bazë prej 13000 lekësh në muaj, do t’i shtojë atij 350 lekë, për kompensim energjie, 150 lekë për kompensim buke, 500 lekë për kompensim të ardhurash nga vendimi i qershorit 2006, 924 lekë për kompensim të ardhurash nga vendimi i dhjetorit 2006, 231 lekë shtesë të ardhurash nga vendimi i prillit 2009 dhe 243 lekë shtesë të ardhurash nga vendimi i djeshëm i Qeverisë. Në total, pensionisti i shembullit tonë, do të merrte një pension prej 15398 lekësh në muaj.

Rritja e pensioneve

6 për qind
Pensionet e pleqërisë minimale në qytet (193200 përfitues)
4 për qind
Të gjitha pensionet, mbi minimale në qytet (89600 përfitues)
6 për qind
Pensionet e invaliditetit në qytet (46100 përfitues)
6 për qind
Pensionet familjare në qytet (51100 përfitues)
10 për qind
Pensionet në fshat, Pensionet e Invaliditetit në fshat,
Pensionet familjare në fshat (160000 përfitues)
4 për qind
Programe e veçanta, ushtarake, minatorë, punonjës të ish-industrisë ushtarake, pilotë, detarë dhe profesorë (24640 përfitues)

Pensioni minimal në qytet
Ishte
10276 lekë në muaj
Bëhet
10690 lekë në muaj
Shtesa
410 lekësh në muaj
E ardhura minimale në qytet
Ishte
12226 lekë në muaj
Bëhet
12840 lekë në muaj
Shtesa
614 lekë në muaj

Llogaritja
10.690 leke, masa e pensionit minimal.
350 leke kompensim i vitit 1994 për energjinë
150 leke kompensim i vitit 1996 për bukën
500 leke kompensim i qershorit 2006 për të ardhurat
760 leke kompensim i dhjetorit 2006 për të ardhurat
190 leke kompensim i vitit 2009 për të ardhurat
200 leke kompensim i vitit 2010 për të ardhurat
Në total 12840 lekë në muaj

Pensioni maksimal në qytet
Ishte
20552 lekë në muaj
Bëhet
21380 lekë në muaj
Shtesa
828 lekë në muaj
E ardhura minimale në qytet
Ishte
21052 lekë në muaj
Bëhet
21880 lekë në muaj
Shtesa
828 lekë në muaj
Llogaritja
21380 leke, masa e pensionit minimal.
350 leke kompensim i vitit 1994 për energjinë
150 leke kompensim i vitit 1996 për bukën
Në total 21880 lekë në muaj

shembull

Shembulli për një pension bazë prej 13000 lekësh në muaj

Shumës prej 13000 lekësh në muaj do t’i shtohen
350 leke kompensim nga vendimi. Nr138, date 31.3.1994 “Për kompensimin e shpenzimeve nga ndryshimi i çmimit të energjisë elektrike dhe lendëve djegëse”.
150 lekë kompensim nga Vendimi. Nr 471, datë 15.7.1996 “Për kompensimin nga ndryshimi i çmimit të bukës, vajgurit dhe gazit të lëngshëm”
500 lekë kompensim nga Vendimi Nr 401, datë 21.06.2006 “Për kompensimin e të ardhurave mujore të pensionistëve”.
924 lekë kompensim nga Vendimi Nr 763, date 27.12.2006 “Për kompensimin e të ardhurave mujore të pensioneve, që në rastin konkret llogaritet si produkt i pensionit të caktuar, shumëzuar me 760 lekë dhe kjo që del pjesëtohet me pensionin bazë, pra (13.000*760/10690).
231 lekë kompensim nga Vendimi Nr 415, datë 30.04.2009 “Për rritjen e pensioneve”, që në rastin konkret, llogaritet si produkt i pensionit të caktuar, shumëzuar me 190 lekë dhe kjo që del pjesëtohet me pensionin bazë, pra (13.000*190/10690).
243 lekë kompensim nga Vendimi datë, 30.06. 2010 “Për rritjen e pensioneve”, që në rastin konkret, llogaritet si produkt i pensionit të caktuar, shumëzuar me 200 lekë, që është masa e kompensimit dhe kjo që del pjesëtohet me pensionin bazë, pra (13.000*200/10690).
Në total pensioni do të ishte:
13000 + 350 + 150 + 500 + 924 + 231 + 243 = 15398 lekë në muaj

Berisha: Javën tjetër do rrisim edhe pagat

Kryeministri Sali Berisha tha dje në mbledhjen e Qeverisë se nga rritja e pensioneve do të përfitojnë rreth 520 mijë pensionistë. Sipas kreut të ekzekutivit, rritja për këtë kategori do të jetë nga 4 për qind, në 10 për qind, ku përfitimin më të madh do ta kenë pensionet e fshatit. “Qeveria vendos për rritjen e pensioneve mujore për 520 mijë qytetarë shqiptarë, një rritje 3 deri në 5 herë më e madhe se rritja e çmimeve nga muaji korrik, në muajin korrik të këtij viti. Pra, me rritjen 1 herë bëhet indeksimi, ndërsa të gjitha rritjet e tjera janë shtesë reale mbi pensionin e tyre. Kjo rritje e pensioneve përshkallëzohet nga 6 për qind, për pensionet e ulëta në tërësi, me një rritje prej 6140 lekë (të vjetra). Kjo është një rritje e përfillshme, e përmuajshme. Nga rritja në këtë vlerë përfitojnë afërsisht 200 mijë pensionistë. 170 mijë pensionistë të fshatit do të kenë një rritje prej 10 për qind të pensionit të tyre. Pensionet e larta dhe ato suplementare rriten me 4 për qind”, tha Berisha. Sipas tij, kjo rritje e pensioneve vjen në një moment kur vendet e tjera të Europës janë në krizë financiare dhe në disa prej tyre pensionet, ose nuk janë rritur, ose janë zvogëluar. Në të njëjtën kohë, në mbledhjen e djeshme të Qeverisë, Kryeministri Berisha bëri të ditur se në mbledhjen e ardhshme do të miratohet vendimi për rritjen e pagave. “Gjatë kësaj jave, Ministria e Financave do të sjellë edhe vendimin për rritjen e rrogave. Sërish ne i qëndrojmë vendimit të rritjes së rrogave, sipas përshkallëzimeve dhe parashikimeve të nevojshme. Pra, programi i Qeverisë mbetet i paprekur në rrafshin e rritjes së rrogave dhe pensioneve”, tha më tej Kryeministri. Edhe pse e trumbetuar si rritja më e madhe e pensioneve, paratë që do të shpenzojë Qeveria këtë vit për rritjen e pensioneve, janë dy herë më të vogla se sa një vit më parë. Në fund të vendimit theksohet se efektet financiare që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, përllogariten në shumën prej 1912 milionë lekësh. Ndërkohë që një vit më parë, efektet e vendimit të rritjes së pensioneve ishin 4168 milionë lekë. Pra, më shumë se dy herë më pak.

Nga 1 korriku do përfitojnë edhe minatorët, pilotët, profesorët dhe policët
Rriten me 4 për qind dhe pensionet e ushtarakëve

Adi Shkembi

Qeveria vendosi dje të shtojë me 4 për qind edhe pensionet e kategorive të subvencionuara, ose speciale. Nga vendimi përfitojnë të gjitha ata ushtarakë, minatorë, punonjës të ish-industrisë ushtarake, pilotë, detarë dhe profesorë, të cilët marrin pensione nga shteti. Në total numri i përfituesve nga vendimi i djeshëm arrin në 24.640 persona. Qeveria vendosi rritjen me 4 për qind të pensioneve të parakohshme për vjetërsi shërbimi, të pensioneve suplementare të pleqërisë, të pensioneve suplementare të invaliditetit, të pensioneve suplementare të invaliditetit të ushtarakëve që, për shkak të detyrës, bëhen plotësisht të paaftë për shërbim, të pensioneve suplementare familjare, të pensioneve suplementare familjare të ushtarakëve, që kanë humbur jetën për shkak të detyrës. Kjo për të gjitha kategoritë e ushtarakëve, policëve, punonjësve të SHISH, të zjarrfikësve. Përfitim shtesë do të marrin edhe familjet e pilotëve, që kanë humbur jetën në detyrë, apo pilotët që përfitojnë nga trajtimi i veçantë. Në këtë listë përfituesish përfshihen edhe ish-minatorët, që kanë trajtim të veçantë për shkak të punës nëntokë. Sipas vendimit të Qeverisë, bashkë me përfituesit e mësipërm, janë edhe profesorët, apo punonjësit e akademisë së shkencave. Në total vendimi që i shtrin efektet e shtesës prej 4 për qind që nga data 1 korrik, ka një kosto prej 98.420 milionë lekë.
Rritja
Sipas vendimit të Qeverisë, pensioni i parakohshëm i ushtarakëve, për vjetërsi shërbimi nga mesatarisht 15412 lekë në muaj, do të bëhet 16028 lekë në muaj. Pra do të ketë një shtesë 616 lekë në muaj. Këtë shtesë do ta përfitojnë 9593 ushtarakë në pension. Pensioni suplementar i ushtarakut parashikohet të rritet mesatarisht 198 lekë në muaj. Këtë shtesë do e përfitojnë 4954 ushtarakë. Shtesë do të marrin edhe policët, për pension të parakohshëm për vjetërsi. Kjo shtesë mendohet mesatarisht 733 lekë në muaj. Ndërkohë që pensioni suplementar i policëve do të rritet me 301 lekë në muaj. Bashkë me forcat e armatosura dhe policët, në listë janë edhe minatorët. Shtesën e pensionit mesatar prej 280 lekësh në muaj mendohet ta [përfitojnë 3712 minatorë në të gjithë vendin. Për profesorët, pensioni suplementar [pritet të rritet nga mesatarisht 8 mijë lekë në muaj, në 8320 lekë në muaj.

Rritet pagesa për të marrë pensione

Qeveria ka rritur pagën minimale për efekt të kontributeve për pension. Sipas vendimit të djeshëm, paga minimale mujore, për efekt të llogaritjes së kontributeve të sigurimeve, shoqërore e shëndetësore, nga 1 korriku do të jetë jo më pak se 16820 lekë, ndërsa paga maksimale mujore do të jetë 84100. Aktualisht paga minimale për efekt kontributesh ishte 16120 lekë, pra 700 lekë më e vogël, ndërsa maksimalja 80600, pra 3500 lekë më e vogël. Në bazë të pagës minimale, mbahen kontributet e sigurimeve shoqërore. Si rrjedhojë e ndryshimit të bazës së pagës, mbi të cilën mbahen kontributet, ndryshon edhe sasia e parave që duhet të mbahen nga paga për të marrë pension. Kështu deri më sot, minimumi i sigurimeve që mbaheshin nga paga ishte 4497 lekë në muaj. Me rritjen e pagës minimale, ky detyrim shkon në 4693 lekë në muaj. Pra rritet me 196 lekë në muaj. Kuptohet që edhe paga zvogëlohet me po kaq para. Kjo, për pagën minimale. E njëjta logjikë përdoret edhe par pagën maksimale. Vendimi i djeshëm i Qeverisë prek edhe të vetëpunësuarit. Sipas vendimit “Shuma minimale mujore e kontributit të sigurimit shëndetësor për të vetëpunësuarin dhe për pjesëtarët e familjes, të patrajtuar me pagë, të jetë 7 për qind e pagës minimale mujore, e barabartë me 1 177 lekë. Një vit më parë, kjo shumë ishte e barabartë me 1128 lekë në muaj. Vendimi prek edhe privatët, ose tregtarët e vegjël ambulantë. “I vetëpunësuari, i vetëpunësuari në ortakëri, i vetëpunësuari që punëson të tretë (me përjashtim të të vetëpunësuarit në bujqësi), duke filluar nga data 1.7.2010 e në vazhdim, paguan për vete një kontribut të detyrueshëm, për sigurimet, shoqërore dhe shëndetësore, në masën 30 për qind të pagës mujore minimale, prej 16820 lekësh, të barabartë me 5046 lekë në muaj”. Të njëjtin trajtim do të kenë edhe të vetëpunësuarit, për pjesëtarët e familjes së tij, mbi 16 vjeç, që nuk trajtohen me pagë, por që punojnë e bashkëjetojnë me të ligjërisht. Ndërkohë që personat e vetëpunësuar në veprimtari, tregtare apo shërbimi, ambulante, do të deklarojnë dhe të paguajnë kontribut minimal mujor, në shumën 1440 lekë. “Kontributi i detyrueshëm për sigurimet shoqërore, për personat që punojnë si punëtorë shtëpie, nga data 1.7.2010 e në vazhdim, do të jetë 1440 lekë në muaj”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›